Dua Lipa ka mbajtur një sërë koncertesh mbresëlënëse në Australi gjatë pjesës australiane të turneut të saj "Radical Optimism".

Këngëtarja 29-vjeçare kishte një ditë të lirë të enjten dhe e shfrytëzoi për të vizituar disa nga plazhet ikonike lokale.


Ajo shkoi në plazhin Tamarama me miqtë e saj dhe veshi një bikini të vogël për të shijuar diellin, shkruan DailyMail.

Bikinit me pika ishin kombinuar me një fund të hollë në ngjyrë kafe, me detaje dantelle të bardhë.

Artistja, e njohur për pamjen e saj natyrale, dukej se kishte shmangur makijazhin për këtë dalje dhe i kishte lënë flokët kafe të lëshuara mbi supe.

Ajo e kompletoi pamjen e saj me një palë syze dielli dhe aksesorët i kufizoi në disa unaza argjendi.

Pas një kohe të kaluar duke pushuar në rërë me miqtë e saj dhe duke biseduar, këngëtarja veshi një bluzë të bardhë me mbishkrimin "hardcore" dhe u nis drejt qytetit.

Ajo shtoi një rrip kafe në kombinimin e saj dhe rrugës ndaloi për të bërë një selfie me një nga rojet e plazhit.

Grupi më pas u nis drejt një dyqani të njohur akulloresh, Gelato Messina, ku Dua u trajtoi me një kupë akulloreje në një kon vafle, dukshëm e kënaqur me shijen që kishte zgjedhur.

Këngëtarja padyshim e meriton këtë pushim, pasi ka qenë duke punuar me intensitet të lartë gjatë turneut të saj në Australi.

Së fundmi, ajo mbërriti në Sydney pas pesë koncerteve të suksesshme në Melbourne.

Në një moment surprizues, Dua emocionoi publikun duke sjellë në skenë këngëtarin australian Troye Sivan, me të cilin interpretoi këngën e tij "Rush" në një performancë plot energji.

Gjatë koncertit të saj të së dielës në Melbourne, ajo ftoi edhe kantautorin australian Vance Joy për një duet shpirtëror me hitin e tij "Riptide", duke krijuar një atmosferë magjike në skenë.

Pas koncerteve në Melbourne, Dua po performon tre netë në Qudos Bank Arena në Sydney, para se të udhëtojë në Auckland për dy koncerte në Spark Arena.

Më pas, ajo do të kthehet në Evropë në maj për disa data të tjera, para se ta përmbyllë turneun e saj në SHBA.

Pavarësisht ritmit të ngjeshur, ajo nuk tregoi shenja lodhjeje dhe shfrytëzoi një ditë pushimi për të vizituar kopshtin zoologjik Taronga javën e kaluar.

Më herët gjatë kësaj jave, Dua tregoi fleksibilitetin e saj mbresëlënës gjatë një seance joga, si pjesë e përgatitjeve për koncertet.

E veshur me një komplet sportiv blu me detaje të bardha, ajo demonstroi disa pozicione të vështira, duke përfshirë edhe qëndrime me kokë poshtë.

Ambientet e studios dukeshin elegante, me një gong të madh të artë, enë muzikore të bardha dhe dyshekë të zinj për stërvitje.

Ajo ndau disa foto të ushtrimeve të saj në Instagram me mbishkrimin: "Përgatitje për shfaqje".

Në një intervistë për podcastin Dish From Waitrose, Dua ka zbuluar më parë si arrin të qëndrojë në formë gjatë turneut.

Kur u pyet nëse mënyra e saj e të ushqyerit ndryshon gjatë turneve, ajo u përgjigj: "Për fat të keq, po".

"Por sapo futem në ritëm dhe trupi im është i fortë dhe i shëndetshëm, gjithçka lidhet me qëndrueshmërinë. Më pas jam mirë, sepse trupi im arrin një nivel të caktuar. Por gjatë turneut nuk mund të pi alkool".

"Edhe salca pikante nuk lejohet," shtoi ajo, duke shpjeguar se dieta e saj përbëhet kryesisht nga mish viçi dhe perime.

Regjimi i saj i rreptë ushqimor shoqërohet edhe me një program të ashpër stërvitor.

"Gjithçka përfshin prova, pa alkool, stërvitje të pandërprerë për të përgatitur veten për koncertet," shpjegoi ajo.

"Po ashtu, nuk kam mbajtur një turne të plotë për një vit, kështu që më duhet të rikthej qëndrueshmërinë përpara festivaleve".

"Prandaj, bëj vrap, kërcej dhe këndoj njëkohësisht, për t'u siguruar që mund t’i përballoj koncertet kur të më kapë adrenalina".

Duke sqaruar procesin e saj të provave, ajo shtoi: "Duhet të jem e sigurt që lëvizjet e reja të kërcimit nuk do ta bëjnë zërin tim të dridhet".

Gjatë turneve të saj botërore, fituesja e dy çmimeve Grammy sigurohet që të shijojë qytetet ku performon, duke i përqendruar aktivitetet e saj kryesisht rreth ushqimit.

"Mendoj për udhëtimin dhe menjëherë filloj të planifikoj ku do të ha," tha ajo. "Gjithçka rrotullohet rreth ushqimit dhe më pas çdo gjë tjetër në mes".

Dua pranoi se gjatë turneve ka më shumë kohë të lirë: "Gjatë turneut, e vetmja gjë për të cilën duhet të mendoj është koncerti i mbrëmjes".

"Kështu që, në ditët e mia të lira, fokusohem në gjetjen e restoranteve më të mira në qytet, muzeve më interesante dhe përpiqem të jem një turiste e vërtetë".

Duke folur për titullin e albumit të saj të fundit, Radical Optimism, artistja britanike-shqiptare shpjegoi:

"Fillova të mendoj për albumin tim të tretë dhe tashmë kisha vendosur titullin. Për mua, 'Radical Optimism' lidhet me qëndrueshmërinë – edhe kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, ti vazhdon përpara".

"Ky koncept më kujtoi periudhën që po kaloja dhe mënyrën si u zhvillua Future Nostalgia, duke mos ditur se çfarë do të ndodhte me të".

"Pastaj, kur u bë e mundur të niste turneu në vitin 2022, realizuam 97 koncerte brenda një viti". /Telegrafi/