Drita ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Zekirija Ramadanit ka vazhduar serinë pozitive pa humbje këtë pranverë, pasi ka marrë edhe fitoren e katërt nga pesë ndeshjet e para, ku ka edhe një barazim.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët qarkulluan topin, krijuan raste dhe shënuan edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 35-të me anë të Albert Dabiqajt, i cili shënoi nga afërsia për 1-0, ndërsa Liridon Balaj (45+) shënoi një gol të bukur për të mbyllur këtë pjesë me rezultat 2-0.

Në pjesën e dytë, gjilanasit ishin prapë skuadër më e mirë, menaxhuan lojën dhe në fund shënuan edhe një gol për të siguruar fitoren.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutat shtesë me anë të rezervistit Mike Arthur, i cili vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 3-0.


Pas kësaj fitore, Drita e sheh veten në pozitën e parë me 42 pikë, ndërsa Prishtina e Re renditet e nënta me 22 pikë.

Në ndeshjen e radhës, gjilanasit udhëtojnë për derbin e madh ndaj Ballkanit, ndërsa Prishtina e Re luan në udhëtim te rivali lokal Prishtina. /Telegrafi/

telegrafi sport app