Drenica mbetet pa kryesi dhe pa trajner

Skuadra e Drenicës ka mbetur pa udhëheqës. Ekipi nga stadiumi ‘Bajram Aliu’ është braktisur nga kryesia e saj, të cilët kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, të martën pasdite.
Këtë e ka konfirmuar për Express tashmë ish kryetarja e klubit drenicas, Mihane Kadriu Bekteshi.
“Sot e kemi pasur një mbledhje dhe kemi vendosur që të japim dorëheqje nga klubi për shkak të angazhimeve që kemi”, ka thënë për Express, Kadriu.
“Për dy vite radhazi e kemi ndihmuar klubin dhe tash kemi vendosur që largohemi. Tash ka kohë që klubi të riorganizohet pasi veç sa ka përfunduar sezonin”, ka theksuar ajo.
Ndërkohë, pas dorëheqjes së kryesisë, nga klubi është larguar edhe trajneri Tahir Lushtaku.
“Kam dhënë dorëheqje për shkak të kushteve të vështira në klub. Klubi ishte në mëshirën e dy personave, Mihane Kadriu Bekteshit dhe Fadil Nurës. Është e vështirë që klubi të mbahet vetëm me dy veta, pasi ka shpenzime të mëdha dhe nuk e kanë pasur përkrahjen e qytetit”, ka thënë për Express, Lushtaku.
Nëse klubi riorganizohet, Lushtaku është i gatshëm të rikthehet dhe ta ndihmojë Drenicën, në të kundërtën thotë se nuk e ka ndërmend të rikthehet.
Drenica, sezonin e ka përfunduar në pozitën e tetë në renditjen tabelore me 43 pikë të tubuara, duke e siguruar mbijetesën në Superligë në xhirot e fundit. /Telegrafi/




















































