LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane i bashkohet Nismës

Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane i bashkohet Nismës

Nismës Socialdemokrate i është bashkuar gjatë ditës së sotme, drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Bekim Brestovci. Një gjë të tillë ka bërë të ditur edhe kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj në një konferencë për media.

Limaj tha se falë angazhimit të Brestovcit dhe qindra personave, Kosova është çliruar.


“Nga sot po na bashkohet në rrugëtimin tonë politikë kësaj familje SocialDemokrate në fitoret e reja, një personalitet i rëndësishëm, një personalitet jo që vetëm po i kthehet Kosovës dhe politikës së Kosovës, por po kthehet fuqishëm që të jap kontributin e vet në Nismën SocialDemokrate. Është fjala për drejtorin i deritanishëm të Unionit të Bizneseve në Gjermani, Bekim Brestovci. Një intelektual i ri që nuk u ndal duke punuar në Gjermani. Një njeri, i cili është përkushtuar që nga dita e parë në diasporë për t’u organizuar dhe fuqizuar zërin e diasporës tonë”, tha Limaj.

Brestovci ndonëse i përndjekur, Limaj tha se nuk ia ktheu shpinën asnjëherë Kosovës. Mes tjerash, sipas tij, kthimi i tij në Kosovë dhe inkuadrimi në Nismë, është nder.

Bekim Brestovci tha se nga sot po nis një rrugëtim i ri në Kosovë. Derisa ka treguar për aktivitetin e tij në Gjermani, tha se tash e sa kohë ka qenë në kërkim të një formati të ri, se si t’i ndihmojë vendit të tij.

“Jetova për 25 vite rresht në Gjermani, por asnjëherë përveç punës që është dashur të bëjë për mirëqenien ekonomike të familjes nuk rreshta në kontribut për vendin, për popullin, por edhe për komunitetin tim të diasporës. Sado që ka bërë njeriu për atdheun, asnjëherë nuk është pak, prandaj unë kam qenë gjithherë në kërkim të një formati të ri, se si të jem më afër problemeve që ka vendi im, dhe si ta definoj kontributin tim që të jem gjithherë më i fuqishëm se sa ka qenë i ditëve të mëhershëm”, tha Brestovci.

Brestovci mes tjerash shpreson që kyçja e tij në politikë do të jetësoj zhvillimin ekonomik.

Kreu i partisë Nisma Socialdemokrate është pyetur në lidhje me koalicionet parazgjedhore dhe takimeve të sotme mes partive, por i njëjti nuk ka dashur të deklarojë në lidhje me këtë, duke thënë se ardhja e Brestovcit në partinë e tij, është festë. /KP/