Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më datë 25.08.2026 ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh.

Në dosjen e Prokurorisë, në pikën dy specifikohet se Sheholli kishte shtantazhuar Arben Jetullahun duke e dëmtuar të njëjtin në vlerë prej 13 mijë euro.


Sipas Prokurorisë, këtë vepër Sheholli dyshohet ta ketë kryer nga viti 2022 e deri në vitin 2025.Sipas dosjes së PSRK-së, shantazhi ishte kryer ndaj Jetullahut që mos t`i publikohen disa video-incizime dhe informacione që do t`i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetet e të dëmtuarit.

PSRK në aktakuzë pretendon se këto veprime ka arritur t`i argumentoj përmes masave të veçanta hetimore.Në këto masa të fshehta, që janë lëshuar me urdhër të gjykatës, në dosje shkruan se janë siguruar komunikime dhe porosi kërcënuese të Shehollit drejtuar të dëmtuarit.

Porositë që i ka dërguar Sheholli të dëmtuarit, Jetullahu, janë bërë derisa i njëjti ishte nën masën e paraburgimit, përmes një familjari të tij.Në këmbim të kërcënimeve sipas dosjes së PSRK-së, shkruan se familjari i Shehollit i kishte kërkuar nga 700 euro pagë në baza mujore me paralajmërimin se në të kundërtën do të publikoheshin video-incizimet.

Sipas dosjes, 500 euro i janë dhënë familjarit të Shehollit, pas kërcënimeve dhe nga frika se do të publikohen këto video-incizime.

KALLXO, ka tentuar të marrë një qëndrim nga Arben Jetullahu, mirëpo i njëjti ishte i paqasshëm në telefonin e tij.

Fatmir Sheholli u arrestua më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh.Më 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.Më 07.11.2025, atij iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj.

Më 09.01.2026, Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Dhe më 09.03.2026, Shehollit iu vazhdua masa e paraburgimit edhe për dy muaj, po ashtu edhe më datë 08.05.2026 të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj.Sipas këtyre vendimeve të Gjykatës së Prishtinës, Sheholli gjendet nën masën e paraburgimit që nga tetori i vitit 2025.

Fatmir Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve dhe urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale që ka siguruar Kalllxo.com, thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.Detyrat e Shehollit sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.

Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik.

Në vëzhgimet direkte sipas dosjes së prokurorisë është zbuluar edhe një skemë ku Sheholli ka pranuar informacione nga BIA të cilat më pas janë publikuar në media në Kosovë.

Këto të dhëna pastaj, sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se i ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s, përmes komunikimeve telefonike.

Më 07.10.2025, Kallxo.com publikoi hulumtimin për një dosje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale kah mesi i vitit 2024, teksa përmendej edhe Fatmir Sheholli.