LAJMI I FUNDIT:

Dorëzohet aplikacioni për statusin e investitorit strategjik për hotelin Grand

Dorëzohet aplikacioni për statusin e investitorit strategjik për hotelin Grand

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, të enjten ka pritur në takim presidentin e kompanisë Global Hotel Investments AG, Roger Maibach, kompani kjo e cila në partneritet me rrjetin më të madh të hoteleve në botë ACCOR HOTELS, ka dorëzuar aplikacionin për statusin e investitorit strategjik për hotelin Grand në Prishtinë.

Ministria e diasporës thotë se Accor Hotels është një rrjet botëror i hoteleve dhe lider i tregut në Evropë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Ky rrjet posedon 4,300 hotele në 100 shtete.


Në kuadër të këtij grupi veprojnë hotelet më të njohura botërore si Movenpick, Fairmont, Sofitel, Rixos, Pullman, Swissotel, Grand Mercure, Novotel, Ibis, etj.

Presidenti i Global Hotel Investments AG, Roger Maibach, potencoi që ky rrjet i hoteleve së shpejti do të jetë prezent edhe në Shqipëri, Mal te Zi dhe Maqedoni.

Aplikimi i një rrjeti me reputacion si ACCOR Hotels për të hyrë në tregun e Kosovës është fat i mirë dhe gjithsesi do të kontribuojë edhe në interesimin e kompanive të tjera të këtyre përmasave për fitimin e statusit të investitorëve strategjik në Kosovë. /Telegrafi/