LAJMI I FUNDIT:

Donald Trump do të lejohet të kthehet në Facebook dhe Instagram

Donald Trump do të lejohet të kthehet në Facebook dhe Instagram

Donald Trump do të lejohet të kthehet në Facebook dhe Instagram, pasi Meta njoftoi se do t’i jepte fund pezullimit dyvjeçar të llogarive të tij.

Pezullimi do të përfundojë “në javët e ardhshme”, tha gjiganti i mediave sociale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Në një deklaratë, Nick Clegg, presidenti i Meta-s për çështjet globale, tha se publiku “duhet të jetë në gjendje të dëgjojë se çfarë thonë politikanët e tyre”.

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së u pezullua për një kohë të pacaktuar nga Facebook dhe Instagram pas trazirave të Kapitolit në vitin 2021.

Firma kishte ndërmarrë veprime pas “lavdërimit të Trump për njerëzit e përfshirë në dhunë në Kapitol”, tha zoti Clegg.

“Pezullimi ishte një vendim i jashtëzakonshëm i marrë në rrethana të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Ai tregoi se një rishikim zbuloi se llogaritë e zotit Trump nuk përfaqësonin më një rrezik serioz për sigurinë publike.

Por për shkak të “shkeljeve” të së kaluarës së zotit Trump, ai tani do të përballet me dënime të larta në rast të shkeljeve të përsëritura.

Republikanët kanë bërë presion që zotit Trump të lejohet të kthehet në Facebook ndërsa ai përgatitet të kandidojë sërish për presidencën vitin e ardhshëm.

Trump postoi në kompaninë e tij të mediave sociale, Truth Social, si përgjigje të mërkurën, duke thënë se Facebook kishte “humbur miliarda” pasi ndaloi “presidentin tuaj të preferuar, mua”.

Sipas tij, “një gjë e tillë nuk duhet t’i ndodhë më kurrë një presidenti në detyrë, apo kujtdo tjetër që nuk e meriton ndëshkimin!”. /Telegrafi/