Dolly Parton shtyn shfaqjet për shkak të problemeve shëndetësore

Dolly Parton ka njoftuar shtyrjen e koncerteve të saj të planifikuara në Las Vegas, për shkak të problemeve shëndetësore që kërkojnë disa procedura mjekësore.
Legjenda 79-vjeçare e muzikës country duhej të performonte në dhjetor në “The Colosseum” të Caesars Palace, por koncertet do të zhvillohen tashmë në shtator të vitit 2026.
Në një mesazh të ndarë me fansat, Parton tha se ka nevojë për më shumë kohë për t’u rikuperuar dhe për t’u përgatitur siç duhet për shfaqjet, shkruan BBC.

“Dua të jem në formën më të mirë për ju, sepse ju meritoni një performancë të plotë. Nuk është vizita e zakonshme te kirurgu plastik, por disa procedura të tjera që më duhen për shëndetin tim”, shkroi ajo me humor.
Artistja nuk dha detaje të plota për gjendjen e saj, por së fundmi kishte treguar se po përballej me probleme të shkaktuara nga një gur në veshka.
Për shkak të kësaj, ajo ishte detyruar të tërhiqej edhe nga një event në parkun e saj tematik, Dollywood.
Pavarësisht vështirësive, Parton siguroi fansat se nuk ka ndërmend të largohet nga muzika. “Zoti nuk më ka thënë ende që të ndalem”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, biletat e blera për koncertet e dhjetorit do të jenë të vlefshme për datat e reja, ndërsa do të ofrohen edhe rimbursime për ata që nuk mund të marrin pjesë.
Dolly Parton është një nga ikonat më të mëdha të muzikës country, e njohur për hite si Jolene, I Will Always Love You, 9 to 5 dhe Coat of Many Colors. /Telegrafi/




























































