Dollari amerikan bie në nivelin më të ulët në katër vjet

Dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2022, duke shënuar një dobësim të ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare valutore. Rënia vjen mes shqetësimeve të investitorëve për paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë ditës së djeshme, dollari humbi rreth 1.3 për qind kundrejt një shporte monedhash kryesore, ndërsa në baza vjetore rënia e tij ka arritur afërsisht 10 për qind. Kjo përbën humbjen më të madhe ditore të monedhës amerikane që nga prilli i vitit të kaluar, raporton theguardian.
Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi ndaj zhvillimeve duke deklaruar se dollari “po ecën shumë mirë”, deklaratë që u interpretua nga tregjet si mungesë shqetësimi për dobësimin e monedhës dhe që kontribuoi më tej në presionin negativ mbi dollarin.

Analistët e lidhin rënien me pasigurinë rreth politikave tregtare, kërcënimet për vendosjen e tarifave të reja dhe tensionet gjeopolitike, si dhe me dyshimet për ndërhyrje politike në politikat e Rezervës Federale.
Ndërkohë, euroja dhe franga zvicerane janë forcuar ndjeshëm, duke arritur nivele më të larta shumëvjeçare. Edhe ari ka shënuar rritje rekord, duke kaluar nivelin 5200 dollarë për “unce”, pasi investitorët kërkojnë asete të sigurta në kohë pasigurie.
Ekspertët paralajmërojnë se dobësimi i dollarit mund të vazhdojë edhe në muajt në vijim, nëse pasiguria politike dhe ekonomike në SHBA nuk zbutet.
Rënia e monedhës amerikane pritet të sjellë përfitime për kompanitë eksportuese, por edhe rritje të çmimeve për mallrat e importuara për konsumatorët amerikanë. /Telegrafi/


















































