LAJMI I FUNDIT:

Doli nga shtypi libri “Promovimi i vlerave sociale në arsimin parauniversitar në Kosovë” i autores Muhabere Maliqi

Doli nga shtypi libri “Promovimi i vlerave sociale në arsimin parauniversitar në Kosovë” i autores Muhabere Maliqi

“Promovimi i vlerave sociale në arsimin parauniversitar në Kosovë” është titulli më i ri që i është shtuar serisë së botimeve shkencore në vend. Libri i doktores së sociologjisë, Muhabere Maliqit, është i rëndësisë së veçantë, duke marrë parasysh faktin se ka pak studime nga kjo fushë në Kosovë, si dhe duke marrë parasysh faktin se shoqëria kosovare ka kaluar nëpër një fazë të tranzicionit të thellë në të gjitha aspektet, si politike, ekonomike e shoqërore.

Ky studim në fokus ka hulumtimin e ndikimit që kanë pasur reformat në arsimin parauniversitar, duke filluar me implementimin e kurrikulës të bazuar në kompetenca, në promovimin e vlerave sociale. Përveç trajtimit të dokumentacionit relevant, hulumtohen opinionet dhe vlerësimet e mësimdhënësve për promovimin e vlerave sociale, si dhe faktorët që ndikojnë në zbatimin e kurrikulës për lëndën e edukimit qytetar.

Ky studim është realizuar duke përdorur metoda kualitative dhe kuantitative për arritjen e rezultateve, duke përfshirë analizën e përmbajtjes dhe anketimin e mësimdhënësve të lëndës së edukatës qytetare. Popullata e synuar për këtë studim janë mësimdhënësit e lëndës së edukatës qytetare në arsimin parauniversitar në Kosovë. Studimi është bërë në gjithë vendin, duke anketuar përmes pyetësorit 349 mësimdhënës. Për analizën e të dhënave u përdor paketa statistikore e shkencave sociale (SPSS, 25) e, po ashtu, paketa statistikore (STATA, 13).

Libri është i strukturuar në shtatë kapituj, në të cilët është shtrirë një kornizë teorike relevante për temën, duke u thelluar në çështjet praktike të zbërthimit të sistemit arsimor parauniversitar në Kosovë, deri te rezultatet konkrete dhe rekomandimet e vlefshme për përmirësimin e gjendjes në arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës. Libri ka 233 faqe, dhe mund ta gjeni në librarinë “Dukagjini”.

Artikull i sponzorizuar