LAJMI I FUNDIT:

Dokumenti i BE-së ku njoftohet se Spanja ka njohur pasaportën tonë: Ky ndryshim nuk përbën njohje të Kosovës si shtet

Dokumenti i BE-së ku njoftohet se Spanja ka njohur pasaportën tonë: Ky ndryshim nuk përbën njohje të Kosovës si shtet

Spanja ka njohur pasaportën e Republikës së Kosovës, që nënkupton se qytetarët pas liberalizimit të vizave gëzojnë të drejtën për ta vizituar këtë shtet.

E në dokumentin e Bashkimit Evropian ku njoftohet për këtë vendim, thuhet se kjo nuk nënkupton njohje të shtetësisë së Kosovës.


“Spanja njohu nga 1 janari 2014 pasaportat që lëshohen nga Republika e Kosovës. Ky ndryshim nuk përbën në asnjë mënyrë njohje zyrtare të Kosovës”, thuhet në dokument.

Vendimi për njohjen e pasaportave të Kosovës është marrë nga 1 janari.

Gërvalla: Spanja i njohu pasaportat e zakonshme të Kosovës që nga 1 janari 2024
Lexo po ashtu Gërvalla: Spanja i njohu pasaportat e zakonshme të Kosovës që nga 1 janari 2024

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë lirshëm në Spanjë.

“Qytetarët e Kosova mund të udhëtojnë në Spanjë tani. Bazuar në njoftimet e shteteve anëtare të BE-së deri më 5 janar 2024, Mbretëria e Spanjës njeh pasaportat e zakonshme të Republikës së Kosovës që nga 1 janari 2024”, ka njoftuar Gërvalla përmes platformës “X”.

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar gjatë ditës së shtunë se Spanja njeh pasaportën e Kosovës.

Bislimi në një postim në Facebook ka shkruar se DG Home (Drejtoria e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme e BE-së) ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës dhe mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti.

“Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, ka shkruar ai. /Telegrafi/