LAJMI I FUNDIT:

Dokumentar për Kastriot Gjinin

Dokumentar për Kastriot Gjinin

Në Tiranë është shfaqur dokumentari artistik “Kastriot Gjini – kompozitori që u shua në mars”, me ide, skenar dhe regji të Ilir Yzeirit. Ky dokumentar është në vazhdën e krijimeve të tjera të Yzeirit, si “Kuteli dhe Petro Marko – dy vetmitarët në diktaturë”, dokumentarët për Muharrem Xhedikun, Ramadan Sokolin apo Pashko Vasën, deri të cikli i fundit me katër seri për Hoxhë Tahsinin, Kristoforidhin, Vreton e Mitkon ose “Shqiptarët e mëdhenj të Stambollit dhe një në Misir”.

Dokumentari është ndërtuar si një imazh që paraqet një personazh me tri pamje: një kompozitor të talentuar që shenjoi një periudhë, një njeri të mrekullueshëm dhe një fat tragjik. Kastriot


Gjini nuk kishte studiuar për muzikë. Ai kishte mbaruar për anglisht dhe muzikën e kishte të lindur. I krijonte këngët dhe më pas i hidhte në pentagram së bashku me Robert Radojën apo Josif Mingën apo me Ferdinand Dedën.

Sapo kompozoi këngën e parë “Kartolina”, u bë i famshëm. Pastaj erdhi kënga “Fqinja”, “Mes dritash”, “Duart e tua” etj. Këngët e tij i këndonte Sherif Merdani dhe kjo dyshe dikur kishte pushtuar atmosferën muzikore.

Dokumentari ishte ndërtuar me intervista të shumta dhe në disa raste arkivi i familjes me disa sekuenca me zërin e Kastriotit kur ai këndonte këngë të The Beatles apo krijime të tij të papublikuara.

Në dokumentar një vend të posaçëm zinte edhe rrëfimi për vendin që zë Kastriot Gjini në traditën e kulturës shqiptare si dhe për rolin që luan liria në personalitetin e njeriut. Po ashtu, në të ishte ndërtuar me shumë skrupulozitet atmosfera e viteve ’70.

Një vend të posaçëm në dokumentar zunë këngët që këndohen ashtu siç janë interpretuar në vitet ’70 prej Sherif Merdanit.

Kastriot Gjini vdiq pa mbushur 30 vjeç prej një sëmundjeje të rëndë në zemër. /Shqiptar/