LAJMI I FUNDIT:

Dogana vazhdon me rritjen e të hyrave

Dogana vazhdon me rritjen e të hyrave

Dogana e Kosovës në tre mujorin e parë të 2019-ës ka grumbulluar mjaftueshëm të hyra.

Sipas njoftimit për media, gjatë periudhës raportuese të hyrat e përgjithshme të inkasuara nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej rreth 229.9 mil€, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018 paraqet një rritje prej 10.3 % apo rreth 21.5 mil€ më shumë.


Në njoftim thuhet se ndikim në të hyra ka pasur MSA, dhe lirimet nga taksat në import për prodhuesit kosovar, për lenden e parë, dhe të gjitha inputet që përdoren në procesin e prodhimit.

“Sa i përket MSA duhet theksuar se ndikimi në të hyra nga MSA përgjatë kësaj periudhe është rreth 12.9 mil€ apo rreth 46.6% me shume së periudha e njëjtë vitit paraprak, ndërsa ndikimi në të hyra nga pako fiskale që i referohen prodhuesve përgjatë periudhës raportuese është rreth 17.2 mil€, që paraqet një rritje prej rreth 59 % krahasuar me periudhën e njëjtë te vitin e kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës për media, nga struktura e të hyrave kufitare, kontributin më të madh pozitiv në rritjen e të hyrave nga importi, e kanë dhënë të hyrat e arkëtuara nga TVSH – të, të cilat kanë shënuar rritje prej rreth 6.47% apo rreth 7.2 mil€ më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Të hyrat nga taksa doganore kanë shënuar rritje prej rreth 8% apo shprehur në vlerë nominale rreth 2 mil€ më shumë. Ngjashëm me taksën doganore, edhe të hyrat nga taksa e akcizës kanë shënuar rritje prej 11.6%, apo shprehur në vlerë nominale rreth 9 milion € më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Të hyrat nga TVSH në kufi gjatë kësaj periudhe marrim pjesë me rreth 51%, pasuar nga të hyrat e arkëtuara prej akcizës me rreth 37.5% dhe të hyrat nga taksa doganore me rreth 11.5%”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit sa i përket eksportit, i njëjti përgjatë periudhës raportuese ka shënuar ngritje ne sasi prej rreth 6.6%, përderisa edhe vlera e eksportit ka shënuar ngritje me rreth 12.46%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./Telegrafi/