LAJMI I FUNDIT:

Dogana ka evidentuar produkte të falsifikimit me vlerë mbi 2 milionë euro

Dogana ka evidentuar produkte të falsifikimit me vlerë mbi 2 milionë euro

Në konferencën Kombëtare “Të drejtat pronësore Intelektuale”, që është organizuar në shënimin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala tha se është prioritet i MTI-së fuqizimi i sistemit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Ministri Shala tha se përdorimi i paautorizuar i pronave intelektuale janë preokupim në të gjitha vendet e botës, andaj edhe Kosova është e përkushtuar në luftimin e kësaj dukurie.


Leonora Bunjaku Morina, zëvendësministre e Kulturës theksoi se krijuesit meritojnë mbrojtje dhe kompensim.
“E drejta e autorit dhe pronësisë është duke u avancuar në Kosovë. Kosova çdo ditë e më shumë po e mbron autorin”, tha Bunjaku.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha se Dogana kontribuon për arritjen e objektivave qeveritare për përmbushjen e të hyrave si dhe në zbatimin e të drejtave intelektuale që është një garanci edhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas tij, gjatë vitit 2018, Dogana ka evidentuar mbi 380 raste të falsifikimit me mbi 1 milionë copë produkte që janë asgjësuar, ku vlera e tyre është mbi 2 milionë euro.

Drejtori i Zyrës për të drejtat e Autorit, Valon Kashtanjeva tha se të drejtat pronësore intelektuale kanë një rol të rëndësishëm në kohën tonë, kur zhvillimet teknologjike dhe format e reja të ndërmarrësisë dhe të prodhimit paraqiten çdo ditë e më shumë. Produktet kreative dhe novative duke filluar nga librat, muzika, pikturat, programet kompjuterike, filmi, vizatimet teknike dhe arti që mbrohen me të drejtën e autorit, duke vazhduar me produktet si barërat, telefonat e mençur, brendet e rrobave e deri te prodhimet e printerëve trendimensionalë e të tjera, që janë të mbrojtura me të drejta pronësore industriale.

“Të drejtat pronësore intelektuale duhet të shfrytëzohen dhe avancohen edhe në vendin tonë, me qëllim të mbrojtjes së novacionit dhe kreativitetit të shoqërisë sonë, avancimet e ndërmarrësisë dhe bizneseve, me qëllim të zhvillimit të ekonomisë hapjes së vendeve të reja të punës dhe pasurimit të jetës kulturore dhe artistike”, tha Kashtanjeva. /Kp/Telegrafi/