Dogana e Kosovës: Sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke

Dogana e Kosovës ka njoftuar publikun dhe palët e interesuara se platforma Schwacke, e cila është përdorur deri më tani për vlerësimin doganor të automjeteve të përdorura, ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar ndërprerjen e qasjes në këtë shërbim.
Sipas njoftimit, si pasojë e sulmit, qasja në platformën Schwacke është ndërprerë “në nivel evropian dhe më gjerë”, çka e bën të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore.
“Si pasojë e këtij sulmi, qasja në këtë platformë është ndërprerë në nivel evropian dhe më gjerë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Për të siguruar vijimësinë e procedurave doganore dhe për të shmangur vonesat në zhdoganimin e automjeteve, Dogana ka bërë të ditur se ka kaluar në përdorimin e platformës DAT (Deutsche Automobil Treuhand).
“Në këto rrethana… Dogana e Kosovës ka kaluar në përdorimin e platformës DAT (Deutsche Automobil Treuhand), e cila operon me standarde të njëjta profesionale dhe ofron të dhëna të besueshme për vlerësimin e automjeteve”, thuhet më tej.
Dogana e Kosovës ka theksuar se veprimet e ndërmarra synojnë lehtësimin e tregtisë, evitimin e pritjeve dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Dogana e Kosovës siguron se të gjitha veprimet e ndërmarra janë në funksion të lehtësimit të tregtisë, evitimit të pritjeve dhe mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në njoftim.
Nga Dogana kanë bërë të ditur se për çdo ndryshim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë. /Telegrafi/




















































