Dodik sfidon vendimin e gjykatës: Nuk ka zgjedhje, unë mbetem president

Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë nga Gjykata Shtetërore e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila e dënon me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, presidenti i entitetit Republika Serbe, Milorad Dodik, deklaroi se nuk do të tërhiqet nga pozita dhe nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Do të vazhdoj të jem president i Republikës Serbe. Ky është vullneti i popullit, dhe askush nuk do ta ndryshojë këtë fakt me vendime politike të orkestruara,” deklaroi Dodik në një konferencë për shtyp në Banja Lluka, duke shtuar se procesi gjyqësor kundër tij është “i motivuar politikisht”.
Pavarësisht vendimit të gjykatës, Dodik theksoi se dënimi nuk është ende i formës së prerë dhe se ai do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të apeluar këtë vendim.
“Asnjë vendim nuk është i vlefshëm derisa të marrë formën përfundimtare ligjore”, tha ai, raporton klix.ba.
Sipas aktgjykimit, në rast se dënimi konfirmohet nga gjykata e apelit, Dodiku do të ndalohet të mbajë ndonjë funksion publik për një periudhë prej gjashtë vjetësh, duke përfshirë edhe postin aktual të presidentit të Republikës Serbe. Kjo parashikohet në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, neni 203a, paragrafi 5.
Ndërkohë, reagimet e para nga opozita dhe analistët politikë kanë qenë të ndara. Disa e shohin deklaratën e Dodikut si sfidë të drejtësisë, ndërsa të tjerë besojnë se ai po përpiqet të ruajë bazën e tij politike në prag të një vendimi përfundimtar.
Nëse apeli nuk e ndryshon vendimin, skena politike në Bosnjë dhe Hercegovinë do të përballet me një krizë të re institucionale, me pasoja të mundshme për stabilitetin e të gjithë vendit. /Telegrafi/





















































