LAJMI I FUNDIT:

DnV tregon për numrin e votuesve deri në orën 13:00

DnV tregon për numrin e votuesve deri në orën 13:00

Deri në orën 13:00 kanë votuar 372 mijë qytetarë, apo 19 për qind, ku në zgjedhjet e kaluara (2017) deri në këtë kohë kishin votuar 13 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Kështu tha në një konferencë për media Artan Murati nga Demokracia në Veprim (DnV), i cili mes tjerash tha se ka trend të rritjes në bazë të votimit.


“Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim, deri në orën 13:00 kanë votuar 372 mijë qytetarë të Kosovës. Me drejtë vote në tërësi, i bie 19 përqind . Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, dalja në periudhë të njëjtë do të thotë deri në orën 13:00 ka qenë 13 përqind që do të thotë kemi një trend të rritjes në bazë të votimit i cili po bëhet gjatë ditës së sotme”, tha Murati.

Prej orës 09:30 deri në orën 13:00 Murati tha se ka pasur raste kur qytetarët kanë pasur vështirësi për të gjetur vendet ku kanë të drejtë vote, për çka tha se për këto raste prin Prizreni dhe Peja me nga 107 raste.

“Identifikimi i votuesve është po ashtu shfaqur si problematike sepse është një numër me prej 317 personave të cilët janë identifikuar dhe janë lejuar të votojnë me dokumente të vlefshme por të cilat kryesisht kanë pasur afat të skaduar”, shtoi ai.

Krahas kësaj, Murati tha se nga ora 9 e 30 deri në orën 13:00 janë raportuar 23 mijë votues të cilët kanë votuar me asistencë, ku 1110 raste janë evidentuar si raste kur është ofruar asistencë më shumë se një herë.

Murati tha se ka pasur shkelje edhe në fshehtësinë e votës.

“Madje fotografimi i votës është edhe vepër penale e cila është dënuar edhe me burgim efektiv, kështu që gjatë intervalit kohor nga ora 09:30 deri në 13:00 fotografimi i votës është evidentuar në 83 raste në 53 vendvotime, pastaj bërja publike e fletëvotimeve është raportuar në 31 raste dhe në 28 vendvotime dhe qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinave është evidentuar në 96 raste në 56 vendvotime dhe këtu nuk bëhet fjalë për votim me asistencë”, ka thënë ai mes tjerash. /Telegrafi/