Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi që synojnë rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e mundësive të reja për nxënësit e kryeqytetit.

Marrëveshjet janë formalizuar nën udhëheqjen e drejtorit të DKA-së, Samir Shahini, me Institutin për Teknologji dhe Shoqëri si dhe me Kosova Global Talent Center.


Sipas DKA-së, këto partneritete do të fokusohen në tre fusha kryesore: forcimin e privatësisë dixhitale, përmirësimin e mirëqenies mendore të nxënësve, dhe zhvillimin e talenteve përmes programeve bashkëkohore, përcjell Telegrafi.

Përmes këtyre bashkëpunimeve, nxënësve do t’u ofrohen mundësi të reja për trajnim, mentorim dhe pjesëmarrje në gara vendore e ndërkombëtare.

Po ashtu, mbështetje e njëjtë do t’u sigurohet edhe mësimdhënësve, me qëllim që puna e tyre e përditshme të jetë sa më efektive në përgatitjen e nxënësve për të ardhmen.

DKA e Prishtinës ka theksuar se këto marrëveshje hapin rrugën për projekte të reja dhe përmirësime të qëndrueshme në sistemin arsimor të kryeqytetit. /Telegrafi/