Eric Trump ka deklaruar se Chelsea e kishte ftuar babain e tij, Donald Trump, për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të trofeut pas triumfit në Kupën e Botës për Klube – duke e cilësuar këtë si “nderin më të madh të jetës së tyre”.

Presidenti amerikan ishte i pranishëm në stadiumin MetLife, ku pa Chelsean të mposhtte PSG-në me rezultatin 3-0, në një ndeshje ku Cole Palmer shënoi dy gola. Pas përfundimit të finales, Trump doli në skenë, ndau medalje për lojtarët dhe dorëzoi trofeun e Kupës së Botës për Klube, qëndroi aty edhe gjatë ngritjes së tij nga skuadra.


Pamjet nga ngjarja shkaktuan reagime të përziera, pasi shumë tifozë dhe disa lojtarë të Chelseat u dukën të habitur nga prania e papritur e Trumpit në skenë. Ylli i ndeshjes, Cole Palmer, shihej i hutuar, duke bërë pyetjen: "Çfarë po bën ky?", gjë që nënkuptoi se pjesëmarrja e tij nuk ishte komunikuar qartë me skuadrën.

Megjithatë, Eric Trump, duke folur për BBC Sport, këmbënguli se pjesëmarrja e babait të tij ishte e miratuar nga klubi: “Ekipi fitues e ftoi në skenë sepse thanë se do të ishte nderi më i madh i jetës së tyre nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara do të mund të dorëzonte trofeun. Ai është Komandanti i Përgjithshëm i Amerikës”.

Eric shtoi se atmosfera në stadium ishte elektrizuese dhe e përshkroi momentin si një ndër më të veçantit: “Unë isha atje, po e shikoja. Vendi u çmend. Dhe nuk ka askush që ka bërë më shumë për sportin sesa ai”.

Pavarësisht këtyre deklaratave, konfuzioni i krijuar në skenë dhe reagimet spontane të disa lojtarëve hedhin dyshime mbi faktin nëse prania e Trumpit ishte me të vërtetë e koordinuar me klubin. /Telegrafi/

telegrafi sport app