LAJMI I FUNDIT:

Ditë të humbura

Çfarë domethënie kanë ditët e humbura për një komb, shoqëri apo person, na difton bukur një tregim brilant i shkrimtarit italian, Dino Buxatit. Ky shkrimtar, që shquhet për një letërsi magjike, në tregimin me titull “Ditë të humbura”, me pak rreshta, por me një rrëfim të ngjeshur, të shkruar me spirtuozitet e mjeshtëri, nëpërmjet një alegorie të mbrehtë e therëse, trajton ditët e humbura të një pronari të një vile luksoze. Ky pronar, ndërsa kthehej në shtëpi, vë re një burrë me një arkë në shpinë që del nga dera e murit të shtëpisë së tij dhe të njëjtën e ngarkon në një kamion. I habitur, e ndjek me makinë deri te një luginë, ku ndalet kamioni. Aty fillon një debat i ankthshëm mes burrit me arka dhe pronarit. Ky i fundit, pasi i shpjegon burrit arsyen pse e ndoqi, i intereson të dijë më shumë se çka kishte në arka. Burri qeshet dhe i thotë pronarit se të tilla ka shumë në kamion. Burri i panjohur, e vazhdon punën e tij dhe e hedh arkën në përrua, ku ka shumë arka tjera. Kureshtar tej mase, pronari e pyet: Çfarë ka brenda?

Burri e shikoi buzagaz: Në kamion kam plot të tjera që duhen hedhur. Ju nuk e dini ç’janë këto? Janë ditët tuaja të humbura.


Pronari i shikoi, ishte një sasi e madhe, ku kishte ditë të tija të humbura, kur ai duhej t’i plotësonte me diçka, kur ai duhej të ishte afër dikujt që kishte nevojë për të. Ai fillon t’i hap dhe vëren momentet të dhimbshme kur ai duhej të bënte ndonjë gjest të mirë, të ishte pranë të dashurve të tij. Ishin ato ditë të shumta që ai i kishte bjerrë kot. Këto ishin ditë të humbura.

E në fund të tregimit, pronari i drejtohet burrit: Zotëri, më jep leje të marrë të paktën këto tri ditë.

Bëhej fjalë për tri ditë të rëndësishme.

Pronari i thotë burrit të panjohur, që i kishte arkat, se ai ka të holla dhe e paguan sa të donë.

Bartësi i arkave, bën një lëvizje për të treguar diçka që nuk mbërrihej dot dhe për të thënë se tani s’mund të bënte gjë, ngase ishte shumë vonë.

Shqiptarët po humbin ditë, muaj e vite, pa ndonjë arsye të kuptueshme e të justifikueshme, duke u surrogat pas budallaqeve të një kaste politike që është treguar e paaftë me çua këtë komb drejt lumturisë dhe me rreshtua krahas kombeve të qytetëruara. Ambiciet për një jetë më të lumtur dhe më të dinjitetshme tashmë janë preh e kësaj politikë pa vizion. Ka një kohë të gjatë qyshkur jeta kombëtare vazhdon të vuaj nga një anomali politike e brendshme, ku edhe për gjërat ma banale, lypset ndërhyrja ndërkombëtare, për t’i qetësuar gjakrat e tendosura të politikës sonë. Kjo gjendje, ka pllakos një komb të tërë në një situatë të pashpresë dhe në dëshpërim të thellë.

Në planin historik, kemi humbur shumë dhe atë në mënyrë të pakompensueshme, duke u vonuar gjithmonë në procese tejet të rëndësishme për kombin. Faturën e kësaj e paguajmë shtrenjtë edhe sot, ngase përmasat e këtyre humbjeve vazhdojnë të na hakmerren. Këtu mundemi me e përmend sidomos raportin tonë me të kaluarën. Ne ende s’ kemi arrit me vu drejtësinë historike mbi të kaluarën tonë. E pikërisht kjo e ka rënduar ndërgjegjen tonë, edhe ashtu të plasaritur kombëtare. Po kjo ka penguar formimin e një shpirti të përbashkët e të unjësuar kombëtar. Dhe pikërisht kjo ishte dhe vazhdon të jetë njëra nga pengesat kryesore pse sot e kemi kaq vështirë të ecim të bashkuar drejt të ardhmes së përbashkët.

Historia shqiptare vritet qëllimisht dhe atë çdo ditë, sepse politikanët shqiptarë kudo mendojnë se prej tyre dhe me ta duhet të filloj çdo gjë. Kjo ka bërë që shqiptarët tash e një kohë të gjatë, edhe pse në liri, të vendnumërojmë. Në këtë amulli politike, askund s’shihen shkëndija të ideve të fisme dhe e alternativave të shëndosha. Ndërkaq, edhe ato pak debate që bëhen, të lënë përshtypjen se janë sajime që shpeshherë kontrollohen nga një politikë që zotërohet fund e krye nga padija.

Ndonëse një kohë të gjatë janë identifikuar sëmundjet e politikës shqiptare (nga shkrimtarë, publicistë, historianë), akoma s’mund të bëhet fjalë për ndonjë alternativë shpresëdhënëse ndër shqiptarë. Nga ky faj, pakkush mundet të amnistohet. Partitë politike, duke u shndërruar në oaza që prodhojnë të këqija (kështu mendon opinioni dominues publik), ato s’kanë arritur asnjëherë të hyjnë në ndonjë proces të brendshëm demokratik. Pastaj, duke qenë në këso gjendje, nga to janë larguar gjithmonë njerëzit me identitet e dinjitet dhe kanë mbet militantë e palo politikanë, që përtej liderit dhe karriges së tyre, s’shohin gjë. Kjo përshtypje për partitë politike, mund të jetë tepër e ekzagjeruar, por mbizotëron kudo hapësirave shqiptare.

Është stërtheksuar fakti se kombit po i mungon një ide e shëndoshë, një ide shtytëse, një platformë unfikuese, e cila do të qartësonte pikësëpari, mbi çfarë principesh dhe parimesh mendohet të ndërtohet e ardhmja e kombit tonë. Në mungesë të një ideje frymëzuese, shoqëria shqiptare e plagosur vazhdon të vrojtoj teksa një kastë politikanësh tallet me fatin e një kombi.

Nëse e shtrojmë çështjen e kohës së humbur në kontekstin historik, atëherë e dimë fare mirë se në historinë tonë kombëtare, flitet për zgjimin e vonuar kombëtar, pas periudhës së gjatë e të errët të pushtimit osman. Si rezultat i këtij zgjimi të vonuar, pra ditëve të humbura, shqiptarët ishin të fundit që krijuan shtetin e tyre në Ballkan. Të plandosur në një letargji primitive, me disa sentimente të çoroditura pro pushtuesit, për shqiptarët shërimi i plagëve të rënda të së kaluarës, u bë i vështirë.

Nëse e marrim për bazë porosinë që del nga tregimi i lartpërmendur, shqiptarët s’duhet të lejojnë assesi të humbin ditë dhe t’i hedhin në përrua. Një ditë bëhet tepër vonë dhe ato ditë s’mund të kthehen, veçse për to do ta paguhet tepër shtrenjtë.

Shqiptarët po e humbim kohën kot, duke mos e plotësuar me punë të mira, me vepra të mira, me ide të fisme, me projekte të mira, në mënyrë që nesër pasardhësit të gjejnë një komb të plotësuar, të konsoliduar dhe të shëndoshë, në gjitha pikëpamjet. Entuziastët e paktë, që zakonisht janë pjese e oborreve politike, me ngazëllim thonë s’po humbim asgjë, ndërkaq vrojtuesit objektivë të jetës sonë kombëtare, ankthshëm thonë se po humbim kohë, madje shumë. Pikërisht për këtë, ka kohë qyshkur një pjesë e mirë e inteligjencies thërret për rizgjim kombëtar, duke dhënë alarmin se kambanat po bien për ne.

Duke i vështruar proceset politike nëpër hapësirat shqiptare, njeriu s’ka sesi të mos ndjej ankthshëm frikën e kohës së humbur. Kur shohim gjitha kombet evropiane si jetojnë në paqe, të qeta e të lumtura, lulëzojnë ndër arte dhe sport, kanë mirëqenie dhe respekt ndërkombëtar, s’ka sesi mos të shqetësohemi për mos lumturinë tonë, për gjendjen tonë të mjerë sociale, për imazhin e rënduar kombëtar dhe perspektivën e zymtë kombëtare.

Ne kemi një politikë që vazhdon paturpësisht avazin e vetëkënaqësisë dhe mburrjes. Ne kemi në skenë një politikë që s’e njeh autokritikën dhe përgjegjësinë për atë që bënë, por edhe për atë së s’e bën. Kësisoj çfarë është politika shqiptare e shkëputur nga jeta reale, ajo flirton me lirinë e këtij kombi, me historinë e këtij kombi, me të tashmen e këtij kombi dhe natyrshëm me të ardhmen e këtij kombi.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për historinë. Shqiptarët edhe pse tani një kohë të gjatë jetojnë në liri, siç e thamë më lart, ende s’kanë arritur të flasin për drejtësinë historike. Në mungesë të kësaj drejtësie, shqiptarët tashmë kanë humbur busullën e orientimit. Kjo ka shpërfaqur edhe një krizë identiteti, sidomos të theksuar te disa qarqe neoosmane, që përpiqen ta ndërrojnë rrotën e historisë dhe ta përmbysin historinë reale shqiptare, në favor të një historie të sajuar nga politikanë halabakë dhe pseudohistorianë.

Shqiptarët, s’kanë kohë më të humbin. Ata duhet të zgjohen dhe të luftojnë për çdo ditë të tyre, që të fitojnë kohën e humbur. Ata duhet me vendosmëri t’ju thonë jo degradimeve të brendshme. Një komb i lumtur, në paqe dhe harmoni të brendshme, mund të ndërtohet vetëm atëherë kur sendërtohen raporte të shëndosha brendapërbrenda tij. E dihet mirëfilli se asnjë komb s’e ka ndërtuar të ardhmen e tij mbi rrënjë të kalbura dhe me ide utopike.

Në trend

Më shumë
Dy lojtarë 'refuzuan' të ekzekutonin penalltinë në ndeshjen Man City-Real Madrid

Dy lojtarë 'refuzuan' të ekzekutonin penalltinë në ndeshjen Man City-Real Madrid

Liga e Kampionëve
Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Lajme
Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

La Liga
Arrestime të artistëve shqiptarë në Zvicër? Policia kantonale e Cyrihut konfirmon se ka pasur bastisje në klube nate, por nuk specifikon emra

Arrestime të artistëve shqiptarë në Zvicër? Policia kantonale e Cyrihut konfirmon se ka pasur bastisje në klube nate, por nuk specifikon emra

Butrint Avdyli
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Ka pesë vite pjesë e klubit, çmimi qesharak i shitjes që Reali i ka vendosur yllit të skuadrës

Ka pesë vite pjesë e klubit, çmimi qesharak i shitjes që Reali i ka vendosur yllit të skuadrës

La Liga
Kalo në kategori