VLEN dhe AKI në ditën e parafundit të fushatës kanë mbajtur tubime përmbyllëse në Çair dhe Tetovë.

VLEN sonte ka mbajtur tubimin përmbyllës në Çair, ndërsa para përkrahësve të tyre, kandidati për kryetar të kësaj komune Izet Mexhiti, tha se nuk është në garë me Bujar Osmanin por me Ali Ahmetin.


"Më 19 tetor Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin do t’i dërgojmë në pension politik, ndërsa disa edhe në histori. Fitorja në Çair ka të bëjë me nderin e Çairit sepse unë nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit. Sonte jam këtu që t’ju them se kjo betejë i ka kaluar dimensionet e një gare të rëndomtë për një komunë të Shkupit, siç është Çairi ynë. Kundërshtarët tanë politikë deshën të na sfidojnë në Çair, të na mundin në Çair dhe kërkuan mejdan politik në Çair, duke menduar se ne do të ikim. Por unë e pranova këtë sfidë personalisht", deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se më 19 tetor, me vullnetin e qytetarëve, do t’i dërgojë kundërshtarët e tij në “pension politik”, ndërsa disa të tjerë në histori.

Ndërsa AKI sonte ka mbajtur tubimin përmbyllës në Tetovë, prej ku kandidati i tyre për kryetar në këtë komunë, Bajram Rexhepi, tha se "Tetova ndodhet para një sfide historike".

“Tetova jonë ndodhet para një sfide historike për të bërë një zgjedhje të madhe mes atyre që mashtruan dhe bënë mashtrimin më të madh në historinë e këtij qyteti, dhe nesh, që ofrojmë zgjidhje reale për problemet e përditshme të qytetarëve", deklaroi Rexhepi.

Në tubimin në Tetovë fjalim mbajti edhe Ali Ahmeti, i cili u bëri thirrje për mobilizim përkrahësve të AKI.

“Të gjithë të mobilizuar si një trup i vetëm, në kutinë e votimit, për të votuar për krenarinë tonë kombëtare, për legjitimitetin tonë politik dhe për të ardhmen tonë të sigurt", u shpreh Ahmeti./Telegrafi/