LAJMI I FUNDIT:

Dita e fundit e janarit, Qeveria e Kosovës ende nuk tregon vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave

Dita e fundit e janarit, Qeveria e Kosovës ende nuk tregon vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se koeficienti i në kuadër të Ligjit të Pagave do të caktohet brenda muajit janar, mirëpo deri më sot një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke bërë që të mbetet e paqartë vlera e saj.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.


“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik po më 4 janar 2023”, është shprehur për Telegrafin këshilltari për Media i Zyrës së Presidentes, Bekim Kupina.

Pas dekretimit, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ishte shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, ishte shprehur zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Vlera e koeficientit të pagave pritet që javën tjetër të dërgohet për miratim në Kuvend, opozita e quan proces jo-transparent
Lexo po ashtu Vlera e koeficientit të pagave pritet që javën tjetër të dërgohet për miratim në Kuvend, opozita e quan proces jo-transparent

Për shefin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri procesi i përcaktimit të koeficientit të pagave është jo-transparent.

“Këtë proces e ka karakterizuar një proces jo-transparent. Pra, përcaktimi i koeficientit të pagave do të duhej të mendohej si një debat i gjerë ndërmjet Qeverisë dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë, grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të sindikatave”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se çështja e koeficientit për Ligjin e Pagave nuk është duke u mbajtur fshehtë.

Murati përmes një konference për media ka thënë se vlera e koeficientit është duke u përllogaritur nga informatat që vijnë nga organizata të caktuara.

“Disa çështje i takojnë dikastereve të tjerë, ekipet po punojnë në aktet nënligjore. Edhe për koeficientin dhe tema tjera do të përditësohen. Koeficienti nuk është duke u mbajtur fshehur. Po përllogaritet ashtu siç vijnë informatat në organizatat buxhetore”, është shprehur Murati.

Murati: Koeficienti për Ligjin e Pagave nuk po mbahet fshehtë, po përllogaritet nga informatat që vijnë
Lexo po ashtu Murati: Koeficienti për Ligjin e Pagave nuk po mbahet fshehtë, po përllogaritet nga informatat që vijnë

Kujtojmë se, opozita ashtu dhe sindikatat në vend kanë kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, niveli 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deri sa koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë. Derisa koeficienti më i ulët është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/