LAJMI I FUNDIT:

Disa fjalë për ata që nuk e dinë se kush është Rade Sherbexhija

Disa fjalë për ata që nuk e dinë se kush është Rade Sherbexhija

Rade Sherbexhija (Rade Šerbedžija) dhe Bekim Fehmiu, pa kurrfarë dyshimi, janë aktorët më të mirë të të gjitha kohërave që kanë jetuar dhe vepruar në ish-Jugosllavi. Është çështje e shijes dhe e neutralitetit të cilësohet se cili nga këta dy, si aktorë, qëndron mbi tjetrin.

Mund t’ju rrëfej se si e njoh unë Rade Sherbexhija-n. Sherbexhija është aktor serb i nga Kroacia cili u detyrua ta lëshojë këtë shtet kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë, pasi që nuk pajtohej me luftën. Shkoi në Beograd dhe u përzu edhe nga ky vend për shkak se nuk pajtohej me regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Madje, në një rast një nacionalist serb iu kërcënua që ta vriste duke gjuajtur me armë në një takim ku gjendej ai dhe u quajt ‘tradhtar serb’.


Pastaj Sherbexhija erdhi në Londër për shkak se gruaja e tij, Lenka Udoviçki, kishte një post në Ambasadën e Kolumbisë dhe punonte si aktore në kryeqytetin britanik. Aktorja e njohur Vanessa Redgrave, e cila angazhohej për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, ia kishte lënë në dispozicion tërë zyrën e saj Rade Sherbexhijës nga ku ai shpejt depërtoi në rolet e filmave më të njohur botëror. Tashti Sherbexhija është kthyer për të jetuar në Kroaci të cilin shtet ai e konsideron si vendin e tij.

Më duket se ka qenë viti 1995 ose 1996 kur nëpërmes Vanessës rashë në kontakt me Sherbexhijën nga i cili kërkova që të më jepte një intervistë për revistën “ZËRI”. Ai pranoi me kënaqësi. Kurrë nuk kam takuar serb sikur Sherbexhijën që fliste me respekt të madh për shqiptarët. Thoshte se shqiptarët po keqtrajtoheshin nga regjimi i Millosheviqit dhe se meritonin të drejtat e tyre në Kosovë. Për Bekim Fehmiun fliste me një respekt, sikur nxënësi i mirë që flet për ndonjë guru të tij të madh. Madje, për Bekimin ai e kompozoi dhe e këndoi këngën e njohur ‘Pjesma za Bekima’ (‘Ej Boro, beli Boro’). Më tutje, Sherbexhija mendonte se aktorët më të mirë në Jugosllavi, si në teatër ashtu edhe në film, ishin shqiptarët. Së paku në intervistën që më dha mua dhe në bisedat në dy apo tri takimet që patëm, është deklaruar kështu.

Tashti, shikojeni këtë video më poshtë. Aty flet një regjisor dhe skenarist (Luan Kryeziu) i cili është duke i bërë përgatitjet për një film në lidhje me Adem Jasharin. Këtu thuhet se për rolin e Adem Jasharit qenka lajmëruar (vullnetarisht) Rade Sherbexhija. Kjo nuk është e konfirmuar, por po e marrim se është e vërtetë.

Shiheni se si regjisori ynë, me një ‘nonchalance’, e refuzon kërkesën e Rade Sherbexhija-s. Arsyeja? Për shkak se Sherbexhija është serb! Pra, shkak i refuzimit nuk janë cilësitë artistike të aktorit, por nacionaliteti i tij. Regjisori ynë, me anë të filmit të tij për heroin tonë, Adem Jasharin, dëshiron të krijojë patriotizëm e jo art.

Ky ‘refuzim’ flet shumë. Flet për gjendjen tonë në Kosovë, por edhe për marrëdhëniet shqiptaro-serbe ku arti, humanizmi, politika, muzika dhe letërsia janë ende pjesë e luftës që tenton të mos përfundojë.

Dhe, po, poenta ime është që Rade Sherbexhija lirisht mund ta luajë rolin e Adem Jasharit. Arsyet pro janë të shumta kurse ‘arsyet’ contra janë të pakta.