LAJMI I FUNDIT:

Diplomatet kosovare-model i të bërit diplomaci

Diplomatet kosovare-model i të bërit diplomaci

Shteti më i ri në Evropë, Republika e Kosovës, jo rrallë herë ka hyrë në kategoritë e shteteve që janë veçuar për suksese në shumë të fusha. Duke pas parasysh se shumë të rinj e të reja, kanë prekur majat e sukseset në botë, e të cilët janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Pa dyshim në këtë drejtim një performacë të jashtëzakonshme kanë bërë dhe janë duke vazhduar ta bëjnë, diplomatet femra , të cilat me punën e tyre po e promovojnë shtetin e Kosovës, në arenën ndërkombëtare.

Në shtetet më të rëndësishme të botës, Republika e Kosovës ka emëruar ambasadore dhe diplomate, të cilat çdo ditë, me punën dhe angazhimin e tyre po e bëjnë Kosovën shumë krenare.


Puna e mrekullueshme e ish-Presidentes Atifete Jahjaga, si presidente e parë femër në Ballkan, dhe ish krye diplomate e Republikës së Kosovës, ka bërë që zëri i Kosovës të dëgjohet kudo në botë. Me punën e saj, ajo ka bërë që prezenca  e shtetit te Kosovës të jetë kudo në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, ajo ka ngritur çështjen më të ndjeshme të Kosovës, atë për viktimat e dhunës seksuale që serbët kanë kryer gjatë luftës në Kosovë,

Ambasadorja e Republikë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku përveç se është një femër e politikane e suksesshme, ajo është edhe një nga personalitet më të veçante në jetën diplomatike.

Si asnjëherë më parë, ajo në disa momente e ka bërë Kosovën shumë krenare, sidomos në raportimet e saj në Këshillin e Sigurimit, ku diskutohet për Republikën e Kosovës.


Vlora Çitaku

Ballafaqimi i saj i drejtpërdrejtë me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, në këto seanca të Këshillit të Sigurimit, ka bërë që ambasadorja Çitaku ta mbrojë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovën. Ajo veçohet për ngritjen e zërit për të zhdukurit, për viktimat e dhunës seksuale, që serbët kanë kryer gjatë luftës në Kosovë. Në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, ajo shumë herë është duartrokitur nga të pranishmit, duke folur për sukseset e qytetarëve të shtetit më të ri në botë, Kosovës, duke përmendur sukseset e vazhdueshme të sportistëve tanë, Majlindës, Akilit, Nores dhe duke mos anashkaluar as sukseset e artistëve tanë, që kamë shkelur edhe qilimin e kuq të shtëpisë më të madhe të filmit, në ‘Oscar”, dhe padyshim edhe sukseset e këngëtareve tona si: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi etj.

Jo vetëm kaq, ambasadorja Çitaku ka treguar një performancë të shkëlqyer edhe ne punën e saj si ambasadore në SHBA, duke promovuar shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në kontinentin e Amerikës, përpos shërbimit të ambasadores Çitaku, aty kemi edhe diplomate të tjera të suksesshme, të cilat me punën që bëjnë çdo ditë e më tepër e bëjnë Republikën e Kosovës shumë krenare.


Teuta Sahatqija

Fillimisht, është ambasadorja Teuta Sahatqija, shefe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, për të cilët, diplomacia është e rëndësishme për funksionimin, promovimin dhe fuqizimin e shtetit në aspekte të ndryshme. Ndonëse, sipas saj, nga Kosova krijohet përshtypja që të  gjithë në SHBA , dinë çdo gjë për Kosovën, kjo përshtypje ndryshon rrënjësisht kur takohesh me njerëz e organizata të ndryshme.

“Nuk është gjë e rrallë që njerëzit e zakonshëm kanë dëgjuar për Kosovën vetëm nga koha e luftës dhe e refugjatëve. Ka jo pak që nuk dinë asgjë, dhe në shumë raste pyesin se a është Kosova në Rusi. Promovimi i Kosovës në aspektin kulturor, artistik, edukativ, afarist, etj ndihmon në afrimin e popujve dhe forcimin e lidhjeve shumë të afërta me amerikan. Në aspektin diplomatik, New Yorku është komplet mision i veçantë që dallon nga të gjitha misionet tjera diplomatike. Për shkak të prezencës së Kombeve të Bashkuara, në New York janë 193 përfaqësi, gjë që nuk është në asnjë shtet tjetër. Por, për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e KB, Misioni i Kosovës në New York ballafaqohet me pengesa si askush tjetër. Ne, nuk kemi mundësi të marrim pjesë në punimet e KB, bile e kemi të vështirë të hyjmë në KB, edhe për aktivitete jo zyrtare. Puna jonë ndihmohet nga shtetet mike si misionet e SHBA, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Austria, Mali i Zi, Kroacia etj. Këtu dhe shtetet tjera ndihmojnë në pjesëmarrjen tonë nëpër evente, në aranzhimet e takimeve me shtetet jo-njohëse dhe përçimin e mesazheve tek ato”, tha ajo për Telegrafin.

Sa i përket vështirësive në punën e saj si diplomate në New York, ajo tha se të qenit femër diplomate në New York dhe para misioneve pranë KB-së, është shumë e rëndësishme, sepse përçon mesazhin e një shteti progresiv, përçon kulturën dhe thyen paragjykimet, që mund të kenë për ne.

Ajo ndjehet krenare që gjatë kohës sa ishte deputete në mandatin e katërt të legjislaturës kosovare. “Së bashku me të gjitha gratë deputete kemi pas kërkuar fuqishëm, dhe kemi arritur  rritjen e numrit të grave ambasadore, duke menduar se rritja e numrit të grave është një sukses për diplomacinë kosovare”.

Se sa është e vështirë të jesh femër diplomate kosovare, dhe çka e bën të ndihet mirë me punën që bën, ajo thotë se aktivitetet e shumta, realizimi i pritjeve, njohja e punës nga diaspora, respekti që kemi arritur të fitojmë nga diplomatët e huaj në New York, vërtetë e bëjnë të lumtur me punën e saj dhe të diplomatëve të Kosovës në Misionin- Konsullatën e Përgjithshme në New York.

“Jam shumë krenare që Konsullata e Kosovës, apo siç me të drejtë e quajmë ne, Misioni i Kosovës, ka përkrahur një numër të madh të artistëve shqiptar, aktorëve, piktorëve duke shndërruar hapësirat e Konsullatës, në galeri arti për promovim të piktorëve të rinj, në vend të konferencave e seminareve. Kemi promovuar bizneset kosovare të IT, ushqimore, prodhuese etj, duke ndihmuar në organizim të vizitave të ndryshme në New York, por edhe në dërgimin e bizneseve amerikane në Kosovë. Vizita në mars të 2019-të, e bizneseve amerikane në Kosovë, deri sot rezultoi në hapjen e bizneseve dhe partneriteteve me Kosovën. Për këtë gjë ndihem shume e lumtur dhe krenare”, tha ajo.

Ambasadorja Sahatqija, inkurajon sa më shumë vajza e gra të shikojnë diplomacinë si një rrugë të karrierës së tyre.

Ajo ka një mesazh për to, duke i porositur që të përgatiten maksimalisht me njohjen e gjuhëve, me kapacitetet intelektuale që të jenë përfaqësuese të denja të shtetit, ndërsa, ne që tashme jemi në udhëheqje të Misioneve, të jemi mentorë dhe përkrahëse të diplomateve të reja, duke ndihmuar në krijimin e kapaciteteve të fuqishme të shtetit në aspektin ndërkombëtar.


Albana Bykykbashi

Përpos ambasadoreve të lartpërmendura, në këtë shtet veçohet me punën dhe angazhimin e saj diplomatik edhe Albana Bylykbashi, zëvendës Shefe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, ku thotë se të jesh diplomate e Republikës së Kosovës, kudo në botë, dhe jo vetëm në Nju Jork, është një nder dhe privilegj. Kur merr titullin diplomat karriere e vendit tënd, atëherë i takon më shumë vendit sesa vetvetes.

“Të jeshë diplomat karriere e Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme në New York, ku aktualisht jam zëvendës-shefe e Konsullatës së Përgjithshme, ka specifikë tjetër: Veprimtaria jonë është e fokusuar në Kombet e Bashkuara, dhe New York ka numrin më të madh të përfaqësive diplomatike, krahasuar me çdo qytet apo kryeqytet tjetër në botë; 193 vende anëtare, pa përmendur sa e sa konsullata të përgjithshme. Të gjitha kanë misionet e tyre dhe neve na duhet të ndjekim (përcjellim), vlerësojmë, punojmë për të fituar mbështetjen e tyre për njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Kjo është një punë gjigante. Natyrisht që një pjesë e vendeve që na kanë njohur janë në mbështetje të kauzës tonë. Por, fakti që dy prej anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit bllokojnë çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën e vështirëson punën tonë”, tha ajo për Telegrafin.

Përveç kësaj, ajo shtoi se Konsullata e Përgjithshme ka në funksion edhe punën konsullore që lidhet me shumë shërbime që iu ofrohen mijëra bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në këtë shtet, të cilët ruajnë lidhjet e tyre të forta me vendlindjen, si dhe, shtetasve të tjerë të huaj që kanë dëshirë ta vizitojnë Kosovën e që duhet të pajisen me vizë.

“E veçanta e diasporës tonë në SHBA është se, më shumë se tri dekada ata kanë kontribuar në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, për të cilët do të jemi gjithmonë mirënjohës. Pa diasporën tonë kudo në botë, sot nuk do të ishim këtu ku jemi! Sa i takon të qenit femër, në fakt kjo nuk e vështirëson punën tonë. Si shtet i ri, ne kemi arritur një standard shumë të lartë në barazinë gjinore dhe jemi pothuajse të barabartë me disa nga shtetet më të zhvilluara në botë”, tha ajo.

Sa i përket asaj se si trajtohet femra diplomate në Kosovë, fillimisht nga drejtuesit e institucioneve dhe mandej edhe nga shoqëria kosovare, ajo tha se ‘në diplomacinë e Kosovës, ka një standard të lartë të barazisë gjinore, dhe kjo është një arritje shumë e madhe e vendit tonë’.

Megjithatë, ajo konsideron se e vetmja vështirësi për të qenë diplomate e Kosovës në New York, është mos njohja e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete, përfshirë Rusinë dhe Kinën – anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe fakti se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Kjo e vështirëson praninë tonë në takime të ndryshme në Kombet e Bashkuara, por me mbështetjen e shteteve aleate ne po arrijmë që të jemi të pranishëm dhe të ftuar nga shtetet anëtare, me ç’rast zëri i Kosovës po dëgjohet në KB. Pra, jam krenare qē në këtë aspekt, pavarësisht nga vështirësitë me të cilat ballafaqohemi ne si diplomatë, unë dhe kolegët e tjerë kemi arritur të kontribuojmë në afirmimin e Republikës së Kosovës në KB. Jam e bindur se Kosova një ditë do ta ketë ulësen e saj në Kombet e Bashkuara”, shtoi ajo.

Ndërkohë, ajo ka një mesazh për femrat që kanë synim rrugën e diplomacisë, duke konsideruar se nuk ekziston ndonjë rrugëtim standard që duhet ndjekur, por fuqishëm beson, se në rend të parë është dashuria ndaj atdheut.

“Femrat që synojnë të jenë pjesë e diplomacisë së Republikës së Kosovës, sugjeroj që të angazhohen qysh në moshë të re dhe të mos kenë kurrfarë paragjykimesh. Asgjë nuk arrihet lehtë por nuk ka asgjë që nuk arrihet me punë dhe përpjekje. Shembull konkret kemi ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, presidente e parë femër në Ballkan, sportistet tona, në veçanti Majlinda jonë e artë, si dhe artistë e këngëtarë me renome botërorë si: Rita, Dua, Era etj. Kosova e lirë dhe e pavarur na jep këtë mundësi dhe ne duhet ta vlerësojmë këtë”, tha ajo.


Ines Demiri

Një kontribut të jashtëzakonshëm në aspektin diplomatik për Republikën e Kosovë, vazhdon ta japë Ines Demiri, Sekretare e parë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, e cila, tregon për Telegrafin se përpos që New York është një ndër kryeqendrat e diplomacisë për shtetin e Kosovës, dhe është selia e Kombeve te Bashkuara, ku edhe ne aspirojmë të jemi shtet anëtar. Është një vend me shumë dinamikë dhe kompleksiteti i punës më përcjell gjatë gjithë kohës. “Prandaj, mund të them se është sfidë, por në të njëjtën kohë edhe nder dhe privilegj të jem diplomate e karrierës dhe të kontribuojë në proceset më me rëndësi për shtetin e Kosovës”.

“Njëkohësisht, New York është i veçantë, meqë këtu kemi një komunitet shqiptaro-amerikan te mrekullueshëm, me të cilët kam pasur nderin të bashkëpunojë. Kontributi i tyre për shtetin e Kosovës, më ka lënë mbresa dhe prej tyre kam mësuar se si mbrohet dhe duhet atdheu edhe kur je larg tij, dhe ke një jetë të organizuar me shumë vite. Andaj, edhe vështirësitë që mund të has gjatë punës time janë të parëndësishme, në krahasim me vullnetin qe e kam për të kontribuar në këtë drejtim”, tha Demiri për Telegrafin.

Ajo shtoi se në shumë raste kemi vërejtur se femrat diplomate janë përkrahur dhe duartrokitur edhe nga liderët institucional, por edhe nga shoqëria kosovare, në raste specifike kur kanë treguar ndonjë sukses të jashtëzakonshëm, por mund të them se ka mungesë të femrave nëpër pozita vendimmarrëse.


Zana Rudi

Përpos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika e Kosovës ka edhe Misonin e saj diplomatik edhe në Panama, ku në krye të këtij Misioni është Zana Rudi, ambasadore e Republikës së Kosovës në Panama. Për zonjën Rudi, kjo detyrë është nder shumë i madh, pasi që shërben si përfaqësuesja e parë e Kosovës në nivelin më të  lartë në Panama, Kosta Rikë, Honduras, El Salvador, Belize, Saint Kitts dhe Nevis, Saint Lucia dhe së fundit Guajana, ndërsa jo-zyrtarisht të mbuloj çdo shtet nga Meksika deri në Argjentinë, përfshirë dhe rajonin e Karaibeve.

Besimi që më është dhënë nga Presidenti dhe Qeveria e Kosovës dhe përkushtimi i saj personal për të avancuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, për ambasadoren Rudi, kanë qenë kyç për një punë të ngarkuar dhe me përgjegjësi.

“Kur kam pranuar këtë rol jam ndier e nderuar tej mase me besimin e shtetit tim se unë mund të hapja një Ambasadë, ndërtoja ekip, ndërtoja dhe përforcoja marrëdhëniet diplomatike jo vetëm me Panamanë por me çdo shtet në këtë regjion. Përveç kësaj, në këtë varg ndryshimesh dhe plotësimesh në jetën time personale dhe atë profesionale, unë u bëra edhe nënë për herë të parë. Sot kemi një Ambasadë të vetme në gjithë Amerikën Latine dhe Karaibeve, ajo është funksionale dhe shume aktive… Gjeografia e ambasadës që kam themeluar dhe drejtuar është shumë e gjerë dhe diverse. Këtu ka shtete anglisht-folëse dhe spanjisht-folëse, por ka edhe shtete ku flitet gjuha frënge, holandeze dhe ajo portugeze. Këtyre duhet shtuar edhe gjuhët indixhene që pasurojnë edhe më tej diversitetin e kësaj pjesë të botës. Por, edhe brenda për brenda botës spanjisht-folëse ka variacione të ndryshme të gjuhës dhe mënyra të të shprehurit që janë të rëndësishme dhe shpesh të lidhura me historinë dhe krenarinë e vendit. Rëndësia e këtyre ndryshimeve bashkë me kuriozitetin dhe respektin tim për çdo shtet në këtë rajon, më shtyn të mësoj çdo ditë. Dhe, gjithsesi si rezultat është pranimi ynë si shtet partner i këtij regjioni e që është në rritje çdo ditë e më shumë”, tha ambasadorja Rudi për Telegrafin.

Se i përket punës së saj si ambasadore femër në këtë kontinent, Rudi tha se kryen me shumë krenari punën që i është besuar, dhe është e vetëdijshme që jo gjithherë puna në shërbimin e jashtëm është e llojit të tillë që vërehet, andaj është shumë e falënderuese.

“Të jesh diplomate grua e shtetit që ka mbushë 11 vjet është nder i veçantë, por gjithsesi që në vete nënkupton edhe sfida të ndryshme që koleget e mija nga vendet e zhvilluara nuk i kanë, apo i kanë më të zbehura. Një shërbim i jashtëm i përqendruar në barazi gjinore, apo një qasje feministe dhe e barabartë brenda shërbimit të jashtëm, në Kosovë, por edhe përtej kufijve tanë, akoma duhet të analizohet dhe adaptohet si politikë shtetërore. Por, për ta bërë edhe më të pamundur anashkalimin e këtij argumenti, diversiteti gjinor brenda shërbimit të jashtëm në rastin tonë, ka treguar sukses të pamohueshëm, duke ditur që në disa nga postet diplomatike kyçe, ne kemi gra të zonjat në krye. Puna larg Kosovës, në Panama dhe Amerikën Latine dhe Karaibet, shpesh herë më shndërron edhe në një këshilltare për institucionet e Kosovës për qasje me këtë rajon të largët, por shumë të rëndësishëm. Këshillat dhe rekomandimet janë pranuar çdo herë, dhe ky besim për mua ka qenë dhe mbetet tejet i rëndësishëm për punën dhe ndikimin tim këtej”, theksoi ajo.

Kurse, për vështirësitë e saj në këtë mision, ajo tha se edhe pse shërben në një rajon shumë të gjerë, shpesh herë i është dashur që me javë të tëra ta lë fëmijën e saj të mitur, të marr rrugë nëpër vende të largëta për të siguruar një njohje, apo për ndonjë votë në favor të Kosovës.

“Përkrahja që kam pasur ndër vite nga Presidentët, Kryeministrat dhe Ministrat, më ka lehtësuar punën. Puna në diplomaci është sfiduese, por gjithsesi interesante. Duke përfaqësuar Kosovën jashtë vendit, duke përshtatur elemente të ndryshme të vendit tonë për t’i bërë ato të kapshme për audienca të huaja, unë edhe jam pajisur me informacione se si Kosova mund ti qaset këtij rajoni. Hapja e një misioni në një vend të largët, në një regjion me të cilin Kosova ka pasur pak njohuri dhe shkëmbime, ka prezantuar sfida që më kanë forcuar si diplomate, por edhe ka bërë që institucionet tona të jenë më fleksibile sa i takon kërkesave dhe mundësive. Përmes punës dhe përkushtimit maksimal, në Panama kam pritur delegacione të nivelit të lartë”, tha ajo, duke shtuar se kemi shërbim të jashtëm relativisht të ri, dhe kemi shumë për të mësuar për të trajtuar diplomatët më mirë, por ajo që na dallon neve si diplomaci është ndjenja e komunitetit dhe familjes që mbushë hapësirat që ndonjëherë kemi në sistem të përkrahjes institucionale.

“Ne jemi duke bërë histori, ne jemi duke bërë Kosovën faktor ndërkombëtar, ne jemi në linjën e frontit. Dhe këtë liderët tanë institucional e kanë treguar dhe respektuar shumë herë përmes përkrahjes dhënë misionit tonë në Panama”, theksoi ajo.

Përveç të qenit grua, ambasadorja Rudi tregon se ka edhe një identitet tjetër, sepse është edhe diplomate e re në moshë. Por, thotë se të dyja këto i ka kthyer në fortësi në misionin e saj të përfaqësimit të vendit tonë.

“Aftësimi profesional është i rëndësisë së veçantë në shërbimin e jashtëm të Kosovës, si për gra ashtu edhe për burra. Zotësia e gjuhëve të huaja është gjithashtu kyçe. Ndërsa, edhe me kyç është krijimi i një komuniteti përkrahës rreth vetës”, ishte mesazhi i saj për femrat që synojnë rrugën e diplomacisë.

Në anën tjetër, përveç performancës së duhur që kanë treguar femrat diplomate në kontinentin e largët të Amerikës, janë edhe ato të kontinentit të Evropës, që dallohen për punën e tyre në Misionet diplomatike.


Shkendije Geci- Sherifi

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi Shkendije Geci- Sherifi, thotë se në rrugëtimin e saj në Misionin diplomatik, përtej sfidave që ka ky profesion për të dyja gjinitë, është nder i madh dhe krenari t’i shërbesh atdheut.

Ajo tha se për të është privilegj i veçantë madje, madje, e quajti edhe historik faktin, që është ambasadorja e parë femër e Republikës së Kosovës, e shtetit më të ri në Evropë, i cili lindi pas shumë sakrificave dhe padrejtësive shekullore. Pikërisht kjo e rritë edhe më tepër përgjegjësinë time si përfaqësuese e shtetit.

“Kam pasur fatin të shërbej në vende mike dhe përkrahëse të Kosovës, fillimisht në Hungari, pastaj në Kroaci dhe para pak kohësh jam emëruar Ambasadore në Suedi. Emëruesi i përbashkët i të tria këtyre shteteve, është se janë vende të BE-së, dhe që të tria e përkrahin zgjerimin dhe anëtarësimin e Kosovës dhe te Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Përvoja ime në të dy vendet e para, Hungari dhe Kroaci, ka qenë jashtëzakonisht e dobishme dhe ka rezultuar në sukses dhe rezultate konkrete në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, gjë e cila është vlerësuar edhe nga vendet pritëse. Jam dekoruar me urdhrat më të lartë shtetëror për promovimin e raporteve bilaterale nga të presidentët e këtyre vendeve. Edhe në Suedi, do të mundohem të jap kontributin tim maksimal profesional në drejtim të forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore”, tha ajo për Telegrafin.

Hapja e misioneve të para diplomatike, sipas saj, nuk ka qenë e lehtë.

“Mbaj mend që në misionin e parë, në Budapest, ku krahas punës mjaft intensive diplomatike, duheshe të merresha edhe me punë teknike qe nga themelimi i Ambasadës, rekrutimi i stafit, e deri te funksionalizimi i saj i plote.  Nuk mund ta mohoj faktin se kishte momente kur ky mision me dukej i pamundur.  Në momente të tilla, ulesha dhe e motivoja veten duke e rikujtuar se nëntë vite më parë, kisha qenë e dëbuar nga shtëpia dhe sot po kontribuoja në themelimin e një përfaqësie diplomatike për vendit tim”, tha ajo.

Sa i përket aspektit gjinor, sipas saj, historikisht, në diplomaci gratë janë përfshirë relativisht vonë.

“Shefja e parë femër e një Misioni Diplomatik, ka qenë nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1923, SHBA-të, tek në vitin1925, filluan të pranojnë femra në shërbim ndërkaq Franca, në vitin 1930 ka pranuar femrën e parë përmes provimit pranues. Pas luftës së dytë Botërore, megjithatë, numri i grave që kanë bërë karrierë diplomatike, është rritur mirëpo përfshirja e grave në diplomaci vazhdon të jetë shumë vogël dhe disproporcionale me atë të burrave. Ky profesion tradicionalisht është dominuar nga burrat dhe normalisht edhe Kosova nuk bënë ndonjë përjashtim këtu”, tha ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi,  Shkendije Geci- Sherifi, duke shtuar se “edhe pse me numër më të vogël, dua të besoj se unë dhe koleget e mia ambasadore, nuk jemi në këto pozicione vetëm sa për të plotësuar kuota gjinore, por për shkak se punën diplomatike e kryejmë ne mënyrë profesionale”.

Sa i përket performancës së saj në punën si diplomate, ai theksoi se ka shërbyer në vende shumë përkrahëse të Kosovës, dhe rrjedhimisht i ka pasur dyert e hapura gjithmonë.

“Edhe nëse ka pasur ndonjë paragjykim për shoqërinë kosovare si patriarkale, nuk mund të them se një gjë e tillë është reflektuar në komunikimin profesional. Unë besoj në profesionalizëm dhe nuk kam prirje që sukseset apo mossukseset eventuale t’ia atribuoj gjinisë”, tha mes tjerash ajo.

“Profesioni i diplomatit është sfidues edhe për burrat edhe për gratë. Një nga sfidat me të cilat përballemi në këtë profesion është mënyra e jetesës e cila shpesh përkufizohet si ‘jetë nomade’. Ndërrimi i shpeshtë i vendbanimeve vjen me implikimet e veta familjare, e sidomos profesionale për njërin bashkëshort. Ka tendosje emocionale edhe për fëmijët, dhe për këtë arsye, mirëkuptimi familjar dhe marrja e vendimeve në pajtueshmëri të plotë, janë jetike në këtë profesion”, theksoi ajo.


Mimoza Ahmetaj

Për ambasadoren Mimoza Ahmetaj, shefe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strazburg, të jesh ambasadore e Kosovës është nderë, privilegj dhe mbi të gjitha përgjegjësi.

Sipas saj, në përkufizimin e diplomacisë shënohen dy dimensione: diplomacia është profesion dhe  art, dhe këto dy atribute nuk duhen konsideruar të ndara nga njëra -tjetra, por në dinamikë bashkëvepruese konstante në të gjitha format e punës diplomatike, dhe është pikërisht ky kombinim që i jep diplomacisë tonalitetin e veçantë.

“Pra diplomacia është një punë për të cilën përveç dijës kërkohet edhe të mësosh nga përditshmëria dhe shpejt të adaptohesh me rrethanat në të cilat gjendesh dhe vepron.  Por, misionit tim i shtohet edhe një veçanti tjetër, ai i të qenit ambasadore e një shteti në proces shtetndërtimi. Shumë procese nëpër të cilat Kosova ka kaluar këto vite, do t’i takojnë historisë, ndërsa për mua ato do t’i përkasin gjithmonë të tashmes si eksperienca unike. të cilat nuk do të përsëritën dy  herë”, tha ambasadorja  Ahmetaj.

Duke folur për punën e saj si diplomate, ajo bëri të ditur se trajektorja e saj diplomatike, e ka fillesën në Slloveni, për të vazhduar në Bruksel dhe aktualisht në Strazbourg.

“Misioni im diplomatik është përshtatur me specifikat e secilit vend, por gjithmonë në varshmëri me faktin se ku është Kosova në raport me vendin pritës, interesat e Kosovës në raport me të duke iu adaptuar në këtë mënyrë agjendës shtetërore të Kosovës. Duke u mbështetur në përvojën time diplomatike, konsideroj se Sllovenia ka qenë për Kosovën ‘porta hyrëse’,  përsa i përket përvojës së anëtarësimit në BE dhe NATO. Theksoj se Sllovenia është investitori i tretë ekonomik në Kosovë”, tha ajo suke shtuar se misioni diplomatik në Bruksel, qendër vitale e vendimmarrjes për BE dhe NATO, gjithashtu kryeqytet i institucioneve evropiane, ka qenë një përvojë e veçantë me një dinamike të papërsëritshme.

“Kjo periudhë e punës diplomatike shënon disa arritje sinjifikative : Kosova bën një nga hapat më kapitale për integrimin evropian me nënshkrimin e MSA, dialogu me Serbinë ka qenë në një intensitet krejt tjetër në krahasim me tani, Kosova u anëtarësua në disa organizata ndërkombëtare,  u bë analiza dhe prezantimi i Strategjisë së Sigurisë, etapë shumë e rëndësishme, sepse ajo i parapriu transformimit te FSK në ushtri.  Në Strasbourg, objektivi kryesor i misionit tim, është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata evropiane e quajtur ndryshe edhe ‘shtëpia e gjithëpërfshirëse evropiane’, e cila ka në themel të saj  forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare mbi bazën e angazhimit  të përbashkët në favor të demokracisë, të drejtave të njeriut, rendit dhe ligjit”, tha mes tjerash ajo.

Kosova edhe pse është shteti më i ri në Evropë, sipas Ahmetajt, ka arritur ta thyejë paragjykimin për gratë në politikë, diplomaci, apo jetë publike.

“Ne kemi pasur Presidenten e parë grua në rajon, kemi gra të shkëlqyera në diplomaci dhe politikë. Ajo për të cilën, një grua ka nevojë në Kosove është barazi shansesh dhe mundësish – arsimimi, punësimi dhe mirëqenia duhet të mbetet një prioritet konstant i shoqërisë kosovare. Francezja filozofe dhe shkrimtare Simone de Beauvoir, teoricientja më e madhe e feminizmit tërheq vëmendjen dhe apelon duke thënë se ‘Asgjë nuk është definitivisht e arritur. Mjafton një krizë politike, ekonomike, fetare për të rivënë në pikëpyetje të drejtat e grave. Terë jetën tuaj duhet të qëndroni vigjilentë’. Këshilli i Evropës ku unë ushtroj Misionin Diplomatik aktualisht, ka strategji të fuqishme për barazinë gjinore si një nga prioritetet e dukshme të aktivitetit të tij. Për këtë është edhe Konventa e Stambollit, dokumenti i cili i obligon shtetet që ta luftojnë dhunën në familje dhe të garantojnë mirëqenie dhe barazi për gratë”, tha ajo.

Ambasadorja Ahmetaj theksoi se feminizmi i politikës dhe i diplomacisë, ka qenë një proces i vështirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në përgjithësi.

“Politika e jashtme, ka qenë gati hermetike për gratë dhe në botë, deri vonë diplomacia është konsideruar si ekskluzivitet i burrave. Por, gjërat kanë ndryshuar shumë. Këshilli i Evropës që sivjet feston 70 vjetorin e krijimit, për herë të parë zgjodhi për Sekretare të Përgjithshme një grua, znj. Marija Pecinovic-Buric, e cila mban postin e ministres së jashtme në Kroaci. Pra, fryma e ndryshimeve në Evropën Juglindore po vjen dhe sigurisht që edhe Kosova është pjesë e këtyre ndryshimeve. Misionin diplomatik, më tepër se të vështirë do e quaja intrigues”, tha ajo.

Po ashtu, është edhe Fatmire Musliu, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, e cila karrierën e saj si diplomate e ka filluar ne vitin 2009, si pjesë e grupit të parë të diplomatëve të pranuar me konkurs. Mandati i saj i parë në këtë rrugëtim, ishte Sekretare e Parë në Ambasadën e RKS në Berlin, në një vend jo vetëm me një histori të jashtëzakonshme, por edhe me ndikim jashtëzakonisht të madh në arenën e politikës ndërkombëtare.


Fatmire Musliu

“Sfida më e madhe ka qenë një lloj beteje me vetveten dhe kërkesat që i kisha parashtruar vetës, e që kishin të bënin tërësisht me arritjen e përfaqësimit adekuat të vendit tim i cili ende mbante aromën e luftës. Balancimi i të kaluarës me të tashmen, dhe synimet për të ardhmen, vazhdojnë të mbesin një sfidë në vete. Sa i përket privilegjit, është një privilegj dhe një nder i madh të veshësh petkun e të dërguarës për të përfaqësuar interesat e vendit tënd në një vend me ndikim të madh politik ekonomik e kulturor siç është RF e Gjermanisë”, tha Musliu, për Telegrafin.

Ajo veçoi se është fat i madh që Gjermania është një shtet mik, i cili nuk e ka ndërprerë asnjëherë përkrahjen qoftë politike, qoftë ekonomike për vendin tonë, dhe ne si diplomat të rinj kishim të gjitha dyert e hapura për të vepruar.

“Në çdo iniciativë tonën për të prezantuar Kosovën, kemi hasur në një mirëpritje të palës gjermane, të cilët jo rrallëherë na kanë ofruar ndihmë në formë këshillash për mënyrën e shtyrjes përpara të qëllimeve tona”, tha ajo, duke shtuar se në fillim të karrierës, duke qenë se ishim diplomat të një shteti të ri, i cili kishte lindur nga një luftë e përgjakur, dhe edhe vet ishte krijuar me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, ne gjetëm përkrahje të parezervë.

Ajo tha se, ka zhvilluar një agjendë të bujshme dhe çdoherë me përkushtim të plotë që vendi im të prezantohet dinjitetshëm. Ndërkaq, ajo veçoi se femra diplomate në Kosovë, besoj që trajtohet si çdo femër tjetër në Kosovë, e cila është e kyçur në jetën publike, dhe jo vetëm në Kosovë, por gjithandej politika dominohet nga burrat.

“Në realitet ne jemi vetëm në fillim të rrugës dhe në trajtimin e femrës, qoftë në diplomaci, qoftë në përgjithësi në shoqëri, duhet të angazhohemi shumë më tepër. Për të dhënë një përgjigje të shkurtë, gratë në politikë akoma duhet të ofrojnë dyfishin e punës për tu trajtuar si të barabarta me burrat”, theksoi ajo, duke shtuar se nuk është e lehtë të jeshë diplomate, posaçërisht në fillim nuk ishte aspak e lehtë.

“Gjatë këtyre dhjetë viteve jam përballur me sfida të ndryshme, të cilat kanë pasuar si rrjedhojë e mentalitetit të shoqërisë sonë. Pas një rruge jo të lehtë Berlin-Frankfurt-Bernë-Frankfurt, kam arritur të ngritëm gradualisht në detyrë dhe aktualisht jam Konsulle e Përgjithshme në Konsullatën e RKS-së në Frankfurt. Në këtë kuadër, Konsullata e Përgjithshme e RKS-së në Frankfurt, deri më tani ka menaxhuar një rreth konsullor i cili përfshinë katër Republika, me një sipërfaqe territoriale shumë të madhe dhe me një numër banorësh prej rreth 30 milion. Në këtë hapësirë, kemi një numër shumë të madh të mërgatës tonë. Bashkëpunimi me këtë pjesë të qytetarëve të Kosovës, është një pjesë shumë aktive e punës sime. Mërgata jonë, tani është shumë mirë e integruar dhe shumë aktive. Pritja dhe mirënjohja që ata më ofrojnë, mua gjithandej rrethit tonë konsullor, por edhe më gjerë, janë për mua nderi dhe mirënjohja më e çmuar”, theksoi për Telegrafin,  Fatmire Musliu, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt.

Përpos diplomateve të lartpërmendura, e të cilat ekskluzivisht janë deklaruar për Telegrafin, për punën e tyre në Misionet Diplomatike, Republika e Kosovës, ka diplomate tjera, të cilat po arrijnë suksese në punën ne tyre si diplomate të shtetit më të ri në Evropë. Mund ta veçojmë ambasadoren e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, e cila po tregon një performacë të shkëlqyer në këtë shtet, e po ashtu edhe ambasadoren e Republikës së Kosovës në Hungari, Luljeta Vuniqi, ish-ambasadoren e Republikës së Kosovës në Holandë, Vjosa Dobruna, ish- ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj, dhe shumë këshilltare, konsulle dhe sekretare, që aktualisht janë duke shërbyer në shumë misione diplomatike anembanë botës.


Bukurije Gjonbalaj

Për ish Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj, përvoja e saj gjatë shërbimit në Itali, San Marino, Malta dhe Vatikan, ka qenë një vazhdim i natyrshëm i formimit akademik dhe profesional në punën time të gjatë në ujërat diplomatike që nga mesi i viteve të 90-ta.

Ajo theksoi se gjenerata  e saj, është formuar pa dashje, në ngjarjet që kanë shënuar kohën në mes te dy shekujve dhe përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të gjetur zgjidhje për çështjen e Kosovës, dhe nga ana tjetër në brutalitetin e të gjitha formave kundër këtyre përpjekjeve, fatkeqësisht ky brutalit akoma vazhdon.

Në rrugëtimin e saj si diplomate, ajo veçoi se është sfidë e veçantë, por jo vështirësi përderisa di pse je aty, të imponohesh dhe t’i shtysh kufijtë si përfaqësuese e një shteti të ri, dhe në të njëjtin kuadër, të koordinosh, si them unë pesë rrathë çdo ditë nga e para, dhe çdo “tetë” ditë të javës.

“Rrethi i parë është menaxhimi i Ambasadës që është karakteristik për çdo zyrë. Në këtë aspekt, pa përkrahje të stafit administrativ në Romë, Albinës, Ledinës dhe Kimit, zor që do t’Ia kisha dalë. Rrethi i dytë, harmonizimi i punës me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, dhe kolegët e mi në Ambasadat tjera të Kosovës në botë, si dhe me ministritë e tjera kosovare. Rrethi i tretë, puna me institucionet e shtetit mikpritës më konkretisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë. I katërti rreth, jo me ndikim të vogël, i Ambasadorëve të huaj të akredituar në Itali dhe Vatikan dhe i fundit, por jo edhe nga rëndësia, është diaspora jonë e cila me të drejtë kërkon shërbime dhe përkrahje nga Ambasada dhe Konsullata në Romë. Në këtë javë pune, hyjnë edhe shteti San Marino dhe Malta, të cilët mbulohen nga Ambasada në Romë si dhe Selia e Shenjtë në Vatikan. Do t’i shtoja kësaj margaritarët e postit tim në Itali, e ata janë Arbëreshët, një komunitet magjik, të cilët të mësojnë dashurinë e sinqertë, të papërsëritshme dhe pa kushte”, tha ajo, duke shtuar se çdo minutë i secilës orë në shërbim diplomatik, është i ndjeshëm, i çmueshëm dhe kërkon kreativitet, analizë dhe kokë të ftohtë, dhe kjo pa marr parasysh a ke përpara një shtet mik, apo një që se ka njohur Kosovën.

Fundja, diplomacia për Gjonbalaj, nuk ka lindur në sofër të miqve, por vazhdon të shërbejë në të mirën e atyre që kanë qëndrime të kundërta dhe dy skaje duan kohë, informata dhe mjeshtri të afrohen dhe lidhen.

Ajo konsideron se, si në çdo profesion tjetër, kjo punë kërkon pasion dhe përkushtim ndaj shtetit tënd, ku shtesë në diplomaci, vjen karakteristikat dhe kujdesi, që duhet të kemi edhe në vendin pranues ku faktikisht punojmë dhe jetojmë gjatë mandatit.

Gjonbalaj thotë se, pa dallim gjinie, i gjithë profesioni i diplomatit është sfidë, po kjo është e bukura e kësaj pune, vështirësitë e saja.

Mesazhi i saj për femrat që kanë synim rrugën e diplomacisë, është që të lexojnë dhe të kenë durim.


 Zana Mehmetaj

Përpos në kontinentet e Amerikës dhe Evropës, Republika e Kosovës ka ambasadën e vet edhe në kontinentin e largët të Australisë. Në këtë ambasadë  shërben Zana Mehmetaj, Sekretare e dytë në këtë mision diplomatik.

Ajo tregon për Telegrafin se përvojën e parë diplomatike e ka bërë në Australi, me emërim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Të punosh diplomate mbi të gjitha është përgjegjësi. Për Australinë kisha dëgjuar, lexuar e kisha parë filma, por nuk kisha qenë asnjëherë. Prandaj, sa më shqetësonte emërimi në një vend me distancë rreth 14 mijë kilometra nga shtëpia, aq më provokonte puna që do të bëja. Australia është një vend i mrekullueshëm, me një popull të ngrohtë e dashamirës e që të vlerësojnë. Australia na ka ndihmuar gjatë eksodit të vitit 1999, mijëra refugjatë ky shtet i sistemoi dhe i mbajti derisa përfundoi lufta. Australia ishte ndër të parat që e pranoi shtetin e Kosovës ,këto ishin përparësi të mëdha për mua”, tha Mehmetaj për Telegrafin, duke shuar se “nëse është për t’u veçuar gjinia, atëherë pajtohem se kemi ambasadore e diplomate të shkëlqyera, që na bëjnë të ndjehemi krenare të gjithë neve me performancat e tyre”.

“Pa dashur të tingëllojë feministe, por mendoj se trendi i suksesit të femrave në shoqërinë tonë, është në rritje dhe nuk kufizohet vetëm në fushën e muzikës apo sportit. Ndërkaq, puna me institucionet e vendit pritës -Australisë  është e lehtë dhe është kënaqësi kur e ke të qartë agjendën e qëllimin. Australia, si kulturë dallon nga  vendet tjera, përfaqësuesit institucional të ndryshëm janë të qasshëm më bashkëpunues. Më duhet të shtojë se si sfidë dhe si pjesë e punës time si diplomate dhe e gjithë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra, është edhe sensibilizimi ose njoftimi i shoqërisë australiane me Kosovën dhe popullin e Kosovës, përmes aktiviteteve të ndryshme.”, tha ajo mes tjerash.

Të jesh diplomate femër, sipas saj, është punë që kërkon përkrahjen e familjes.

“Është  mirë të mos ngurrojnë femrat , nëse e kanë ëndërr diplomacinë, apo nëse e duan këtë profesioni. Natyrisht i ka specifikat e fshehtësitë e veta, kërkon sakrifica, është i vështirë, ka plotë sfida. Largësia e vetmia ndonjëherë të mundojnë, por ia vlen dhe PO është punë dhe profesion për femra”, tha Mehmetaj.


Elvana Shala

Përpos diplomateve që Republika e Kosovës ka anembanë botës, shteti më i ri në botë, për herë të parë në histori, ka edhe Ambasadoren e Vullnetit të Mirë, Elvana Shala, e shpallur nga një mekanizëm ndërkombëtar siç është International Human Rights Commission.

Të qenit e para Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën e shpallur nga një mekanizëm ndërkombëtar siç është International Human Rights Commission, për znj, Elvana Shala, përveç se është një privilegj i madh, është edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme, e mbi të gjitha sfidë e veçantë për faktin se jam e para e llojit të tillë në Kosovë, një detyrë të cilën e kam pranuar në një moshë tepër të  re.

“Misioni im është mision përfaqësues diplomatik jo-fitimprurës me mandat 4 vjeçar (tash mandati im i dytë), që më jep mundësinë e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në fushën e diplomacisë publike deri në vendet ku nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe pjesëmarrjen dhe realizimin e projekteve të ndryshme sociale në Kosovë. Në fillim të detyrës sfidat dhe vështirësitë ishit tejet të mëdha, por me kalimin e kohës fitova një mbështetje tejet të madhe nga spektri diplomatik ndërkombëtar, por edhe nga vet institucionet e Kosovës, gjë që e bënë pastaj më të lehtë rrugën në këtë mision”, tregon ajo për Telegrafin.

Kurse, sa i përket performancës për Kosovën në vende të ndryshme të botës, ajo tregon se është shumë e përkushtuar që të shpalos një imazh pozitiv të suksesshëm të një shteti në ndërtim e sipër, duke mos lënë anash edhe sfidat dhe vështirësitë e ndryshme që i kemi si shtet ende shumë i ri, edhe pse pavarësisht kësaj, ajo thotë se gjithmonë është krenare me arritjet e të rinjve e, sidomos të femrave.

“Si fillim në vitin 2014 kur edhe u emërova, depërtimi në skenë do ta quaja, ka qenë tejet i vështirë, më shumë ndoshta për faktin që institucionet e Kosovës, nuk e kuptonin mirë rëndësinë dhe rolin e misionit tim, dhe nuk e merrnin as shumë seriozisht atë që bëja. Sepse tek ndërkombëtarët rruga ime tashmë pothuajse ishte e hapur, për faktin që unë u emërova nga një mekanizëm ndërkombëtar dhe ata e dinë mirë rëndësinë e të qenit Ambasadore e Vullnetit të Mirë. Me përfaqësuesit ose organizatat e ndryshme ndërkombëtare, komunikimi ishte gjithmonë më i lehtë dhe shumë korrekt, madje kureshtja për të më njohur mua dhe për të ditur pastaj më shumë për Kosovën ishte tejet e madhe sidomos kur çështjet kishin të bënin me rininë”, tha ambasadorja Shala.

Ajo me keqardhje e thotë se femra në Kosovë, qoftë diplomate apo politikane, ende nuk e gëzon besimin dhe respektin e plotë as nga liderët institucional, por deri diku as nga shoqëria kosovare. “Kjo për faktin se ende kemi të pranishëm një mentalitet patriarkal paragjykues se ‘femra është vetëm për punët e kuzhinës’”. Megjithatë, ajo shtoi se vetëm të qenit femër në Kosovë, është e vështirë e lëre më diplomate.

Femrat diplomate kosovare sot e kryejnë punën me shumë përkushtim dhe seriozitet, duke dhënë maksimumin e tyre në përfaqësim, jo vetëm politik, e diplomatik, por edhe atë zhvillimor, kulturor, arsimor etj.

E, veçanta e diplomateve kosovare është se ato mendojnë se vazhduar me rritjen e numrit të grave në diplomaci, si dhe bërjen publike të punës së tyre të mirë që shoqëria kosovare të jetë në dijeni për to. /Lumturije BEKAJ/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Kurti: Zëvendësdrejtori i policisë që u ndalua dje nga Serbia, është dërguar në Rashkë

Kurti: Zëvendësdrejtori i policisë që u ndalua dje nga Serbia, është dërguar në Rashkë

Lajme
Lirohen policët e ndaluar në Serbi, përveq zv.drejtorit Jankoviq

Lirohen policët e ndaluar në Serbi, përveq zv.drejtorit Jankoviq

Lajme
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Johnson: Putini mund të synojë Ballkanin, nëse lejohet

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Johnson: Putini mund të synojë Ballkanin, nëse lejohet

Lajme
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Shpërthen një granatë dore në oborrin e një shtëpie në Zveçan

Shpërthen një granatë dore në oborrin e një shtëpie në Zveçan

Lajme
Kalo në kategori