LAJMI I FUNDIT:

Dinari serb po shfrytëzohet si mjet pagese në Kosovë, konsiderohet shkelje kushtetuese

Dinari serb po shfrytëzohet si mjet pagese në Kosovë, konsiderohet shkelje kushtetuese

Edhe pas 11 viteve shtet, dinari i Serbisë po qarkullon si mjet pagese në vendbanimet serbe, në gjithë territorin e Kosovës, dukuri kjo e cila nga njohës të fushës financiare po konsiderohet antiligjore dhe antikushtetuese.

Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), po ashtu thuhet se sipas kërkesës, banka do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.


Zyrtarë të BQK-së pohojnë se Kosova ka adaptuar euron si valutë zyrtare.

Eksperti financiar, Milazim Abazi, pohon se fatkeqësisht në Kosovë po përdoret përveç euros, edhe dinari nëpër enklavat serbe si mjet i pagesave të brendshme, edhe pse është antiligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën Kosovës, si dhe në kundërshtim me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, të cilat përcaktojnë detyrat për ruajtjen e sistemit të pagesave të sigurt dhe të qëndrueshëm.

“Kjo paraqet edhe shkelje të sovranitetit shtetëror, ngase euro në nenin 11 e përcaktuar si valutë e Kosovës, çdo përdorim i ndonjë valute tjetër brenda tregut të Kosovës si mjet pagese paraqet shkelje të Kushtetutës dhe të sovranitetit të saj. Prandaj, ne i bëjmë apel Bankës Qendrore që rreptësisht të marr masa dhe mos të lejoj përdorimin e ndonjë valute tjetër në tregun e brendshëm të Kosovës. Sikurse të lejohet kjo, atëherë edhe shqiptarët do të fillojnë të përdorin lekun, turqit lirën turke, boshnjakët markën boshnjake dhe kështu do të çrregullohej tregu i Kosovës dhe sovraniteti i saj”, thotë Abazi.

Ai po ashtu deklaron se edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) me inspektoratin e saj duhet të inspektojë dyqanet të cilat përdorin dinarin dhe të marrë masa ndaj tyre.

Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Arsim Selmonmusaj, thotë se Komercialna Banka në veri të Mitrovicës mundëson lëshimin e valutës dinari për qytetarët e kësaj pjese dhe në tërë territorin e Kosovës, ku edhe disa biznese punojnë me këtë valutë.

“Veprimtaritë e bizneseve që operojnë në veri dhe në për të gjitha enklavat, ka një evazion fiskal që është i pa menaxhueshëm nga institucionet e shtetit të Republikës së Kosovës, ku mund të themi se është duke i sfiduar të gjitha institucionet, Qeverinë edhe Bankën Qendrore, duke u bazuar se operojnë edhe disa banka financiare të cilat janë në veri, Graçanicë dhe në disa qytete të tjera, ku ata edhe punojnë me valutë të Serbisë”, deklaron Selmonmusaj.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, pohon se këto dukuri janë ato zbrazëtira në kontrollin e territorit dhe në zbatimin e ligjit, e njëra ndër to është edhe valuta dinari.

Ish-deputeti Mustafa, thotë se institucionet e shtetit duhet me ashpërsuar kontrollin në ato pjesë ku bëhen pagesat me dinarë, por përderisa nuk ka kontroll në shumë çka më së vështiri është me i kontrollua parat.

“Ajo është absurde, në qoftë se ka bankë komerciale që punon me dinar dhe nuk është e licencuar prej BQK-së dhe i shkel ligjet, Banka qendrore është fajtore së bashku me Qeverinë, (në qoftë se është e licencuar), e ka përgjegjësi me mbikëqyrë”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, thotë se Kosova ka adaptuar euron si valutë zyrtare. Megjithatë, sipas tij, bankat komerciale që operojnë në Kosovë mund të mbajnë edhe valuta tjera të huaja, por sipas rregullores së BQK-së për rrezikun nga aktiviteti me valuta të huaja, BQK-ja ka specifikuar kufizimin e ekspozimit të bankave ndaj rrezikut nga aktiviteti i këmbimit valutor.

“Për më shumë, asnjë bankë nuk duhet të ketë pozicion neto të hapur të valutës së huaj, në asnjë nga valutat e huaja që tejkalon 15% të kapitalit të klasit të parë të saj, ku bankat janë në pajtueshmëri me kërkesë në fjalë. Për më shumë, ky pozicion ka të bëjë me raportin në mes të mjeteve dhe obligimeve të një banke e që në momentin që ato zbriten, vlera e fituar të mos jetë më e madhe se 15% e kapitalit të klasit të parë”, pohon Ahmeti në një përgjigje elektronike.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Gjykata Kushtetuese për këtë fenomen, por drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula deklaron se gjykata nuk mund të ofrojë përgjigje në pyetjet hipotetike të parashtruara nga individët përkitazi me çështje të ndryshme kushtetuese.

“Gjykata shqyrton dhe vendos vetëm për kërkesat e parashtruara në mënyrë ligjore dhe nga palët e autorizuara”, thotë Dula në një përgjigje elektronike.

Ndryshe, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ndërsa, ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë. /Telegrafi/