LAJMI I FUNDIT:

Dilema për etninë në letërnjoftimet e Maqedonisë

Dilema për etninë në letërnjoftimet e Maqedonisë
Foto: Ilustrim

Kryeministri Zoran Zaev është i gatshëm të heq dorë nga përkatësia etnike në letërnjoftime në emër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe pse ditë më parë u shpreh i prerë se për këtë çështje është dhënë fjala dhe se do të përmbushet, sot Zaev me qëndrim ndryshe. Sipas tij, derisa direktivat e BE-së ndalojnë një gjë të tillë, vendi duhet patjetër ta respektojë. Zaev nuk e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse propozim-Ligji për letërnjoftime do të tërhiqet nga procedura parlamentare.

“… nëse BE-ja ka direktivë konkrete për këtë çështje, neve nuk kemi alternativë tjetër pos anëtarësimit të plotë në BE”, tha Zoran Zaev, kryeministër


Por Lëvizja Besa nuk pajtohet. Sipas tyre, procesi eurointegrues është i gjatë dhe ligji duhet miratuar. Nëse është nevoja, pas anëtarësimit në BE i njëjti mund të abrogohet.

“Në këtë moment neve nuk e shohim këtë për pengesë në procesin e integrimit. Po flasim për një rregullativë e cila vlen për anëtarët e BE-së. Neve jemi të gatshëm që sapo të hyjmë në procesin anëtarësimit apo afër anëtarësimit do të diskutojmë edhe për ta hequr nëse do të ishte pengesë për integrimin”, pohoi Kastriot Rexhepi, deputet i Lëvizjes Besa.

Kuvendi akoma është duke përpunuar teknikisht 1.230 amendamentet e propozuara nga E Majta. Për këtë javë nuk është parapa seancë e Komisionit për Sistem Politik lidhur me shqyrtimin e amendamenteve. Euroambasadori në Shkup, Dejvid Gir në dy prononcimet e fundit ka deklaruar se një dispozitë e tillë ligjore bie në kundërshtim me legjislacionin e BE-së e cila nga gushti i vitit 2021 do ta heq përkatësinë etnike dhe fetare nga çdo kartë identiteti të qytetarëve të vendeve anëtare Unionit. OBRM-PDUKM-ja nuk është lëkundur nga qëndrimi, pa miratimin e amendamentit për kombësinë në letërnjoftime, nuk e mbështesin ligjin./Alsat/