Një grua është gjetur e vdekur brenda shtëpisë që është përfshirë nga zjarri sot në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot (29.03.2025) rreth orës 14:55 policia është njoftuar se në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec, një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri.


“Njësitet e nevojshme policore, zjarrfikësit dhe emergjenca, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pas lokalizimit të zjarrit, brenda shtëpisë është gjetur pa shenja jete një grua e moshës rreth 85 vjeçe, shtetase e Kosovës, pjesë e komunitetit serb. Ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e saj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se “nga hetimet e para të zhvilluara, ekzaminimet e kryera në  vendin e ngjarjes si dhe dëshmive tjera të siguruara, dyshohet se deri tek vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e  zjarrit të shkaktuar në mënyrë aksidentale nga stufa me të cilën ajo ngrohej”.

“Mirëpo, shkaktari zyrtar i vdekjes do të vërtetohet vetëm pas ekzaminimit mjeko ligjor, gjë e cila është urdhëruar nga prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar edhe rast ‘incident zjarri’ dhe ‘hetim i vdekjes’, thuhet në njoftim. /Telegrafi/