LAJMI I FUNDIT:

Dibër, rritet numri i fëmijëve që kanë probleme me shikimin

Dibër, rritet numri i fëmijëve që kanë probleme me shikimin

Fëmijët në Komunën e Dibrës viteve të fundit shpesh herë janë pacientë të oftalmologut. Të dhënat e institucioneve shëndetësore, por edhe arsimore, thonë se nga viti në vit është në rritje numri i fëmijëve të cilët kanë probleme me shikimin, shkruan gazeta KOHA. Institucionet në fjalë si shkaqe kryesore për këtë problem shëndetësor të fëmijëve detektojnë përdorimin e tepërt të kompjuterëve, celularëve dhe qëndrimi i gjatë pranë ekraneve televizive. Kjo situatë vërehet edhe në të dhënat që kanë institucionet arsimore në Dibër, ku për çdo vit bëhen edhe vizitat sistematike.

Oftalmologu Ismail Mashkulli, thotë se qëndron fakti se ka një rritje të dukshme të fëmijëve pacientë, të cilët kanë probleme me shikimin. Duke filluar nga fëmijët e moshave parashkollore si dhe të moshave shkollore, kemi një rritje të dukshme të numrit të nxënësve të cilët mbajnë syza, gjë që tregon qartë se problemet me sytë tek fëmijët janë evidente. Mashkulli thekson se shkaqet tani më janë të njohura, meqë jetojmë në një kohë moderne, e cila të rriturve, por edhe fëmijëve, ju mundëson komunikim nëpërmjet teknologjisë moderne, por që në fakt kjo mënyrë e jetesës ndikon negativisht, veçmas te fëmijët.


Pediatri Arben Agolli, po ashtu pohon se problemi me shikimin e fëmijëve është evident. Qysh në moshat shumë të reja, fëmijët në një numër të theksuar kanë probleme me sytë. Sipas pediatrit Agolli, problemi kryesor qëndron te prindërit, të cilët duhet, siç thotë ai, të ndikojnë te fëmijët që sa më pak të merren me celularët si dhe më pak të qëndrojnë pranë kompjuterëve dhe ekraneve televizive.

Një situatë e këtillë ndikon drejtpërdrejtë edhe në shëndetin e përgjithshëm te fëmijët, thonë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore. Drejtoritë e shkollave, por edhe të çerdhes marrin sugjerime nga punëtorët shëndetësor të Spitalit që pas verifikimit të problemeve që hasin fëmijët me sytë e tyre, thirren prindërit dhe më pas vazhdon procedura e mjekimit në institucionet shëndetësore.