LAJMI I FUNDIT:

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në përmbyllje të vitit thekson të arriturat dhe sfidat

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në përmbyllje të vitit thekson të arriturat dhe sfidat

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë në koktejin e organizuar për fundvit me bizneset anëtare, institucionet, përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare, përfaqësues të ambasadave, kryetarë të Dhomave të Tregtisë ka treguar për të arriturat dhe sfidat gjatë këtij vitit.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë Skënder Krasniqi, tha se ende pa dalë mirë nga pandemia, bizneset u goditën nga ndryshimet enorme në çmime dhe vonesat në furnizim si rrjedhojë e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.


Motoja “Bëje çdo ditë të domosdoshmen, pastaj të mundshmen se e pamundura që është për të tjerët, vjen vetvetiu” ka vazhduar edhe gjatë këtij viti që po lëmë pas ku është mbajtur Kuvendi zgjedhor ku Dhoma e Tregtisë u freskua në udhëheqje në bord me mbi 30%, shtoi tutje Krasniqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Mehdi Qyra, theksoi se bashkëpunimi korrekt padyshim se do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë duke e vlerësuar si një nga partnerët strategjik rajonal.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, edhe gjatë këtij viti ka vazhduar me së paku dy ditë në javë me vizita tek bizneset, ku kanë parë gjendjen nga afër, duke reaguar ndaj çdo vendimi në të mirë të biznesit dhe vendit, përmes konferencave, reagimeve, shkresave, takimeve e komunikatave drejtuar Institucioneve adekuate, për të lobuar për ndryshime pozitive dhe falë besimit dhe bashkëpunimit me sektorin privat specifikisht me bizneset kemi arritur suksese konkrete individualisht për biznese, por edhe për sektor specifik.

Ndërsa viti 2022 po mbyllet, DHTIK ka ndarë disa momente për të reflektuar mbi gjithçka që kanë arritur së bashku si organizatë: Avokimi për ligjin për Gjykatën Komerciale që tani është funksionale duke e përmirësuar ligjin e mëhershëm, avokim për lirim të masave të pandemisë për bizneset dhe për rinegocim të kontratave publike me operatorët ekonomik, avokim tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për ngritjen e vazhdueshme të çmimit të çimentos, avokim për pajisje me Pëlqime dhe Leje Ujore e Mjedisore për bizneset anëtare tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, avokim për gjobat e shqiptuara kompanive transportuese në pika kufitare, tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke e hequr atë ku i’u kemi dal në ndihmë edhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Perëndimore.

Po ashtu thuhet se kanë avokuar për lejim të punës së PayPal-it në Kosovë, avokim tek institucionet përkatëse për blerje të energjisë elektrike nga biznese, avokim për pranim të kallëpeve si lëndë e parë dhe lirim nga obligimi i pagesës së taksave doganore për të njëjtat, avokim për sektorin e gurthyesve dhe minierave, lidhur me vendimet e nxjerra nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës dhe Agjencia Pyjore e Kosovës, kërkesë për ulje të TVSH-së për produktet esenciale, lobim në zgjidhjen e problemeve të bizneseve anëtare lidhur me mungesën e furnizimit stabil me energji elektrike, ndërprerjet e energjisë, pëlqime elektro-energjetike dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me KEDS & KESCO.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë thotë se po ashtu ka avokuar për zgjidhjen e problemit të bizneseve anëtare për obligimin e nënshtrimit të kontrolleve fitosanitare pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës për importin e lëndës së parë, avokim për lirim të plotë të lëndës së parë nga taksa doganore dhe TVSH për bizneset prodhuese, sigurim i informatave konkrete konform kërkesave të deleguara nga bizneset.

“Si rezultat i lobimit të fuqishëm, në kontinuitet dhe këmbënguljes, pavarësisht sfidave e shpesh edhe hezitimit të institucioneve, kemi bërë që shumë çështje të marrin epilog dhe shumë biznese t’i zgjidhin problematikat e tyre.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, përmes implementimit të projektit të financuar nga Banka Botërore, kemi organizuar mbi 11 module të trajnimeve pa pagesë në fushat me interes për bizneset anëtare dhe stafin e tyre. Qëllimi kryesor i moduleve të trajnimeve ka qenë ngritja e kapaciteteve të stafit të bizneseve tona anëtare”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në konferencën rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale” e financuar nga WBF dhe e organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore dhe Odën Ekonomike të Malit të Zi është diskutuar për promovimin e investimeve rajonale, rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional, ndërlidhjen e të rinjve me tregun e punës, diskutimin rreth asaj se çfarë ofron Kosova dhe vendet e rajonit për investitorët si dhe sfidat e Dhomave të Tregtisë për përkrahje të bizneseve.

Kjo konferencë ishte mundësi e mirë për zgjerim të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre rajonale.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë thekson se në vitin 2023 është e bindur se me bashkëpunimin e vazhdueshëm me bizneset, do të arrijmë suksese edhe më të mëdha. /Telegrafi/