Edhe pse gjatë tërë kampionatit munguan, në këtë ndeshje Plisat kishin ardhur në numër të madh, rreth 4.000, me një koreografi impresionuese, për të kremtuar titullin e 10-të me skuadrën e tyre të zemrës. 

Plisatttwide


Prishtina e mori iniciativën që në fillim të ndeshjes duke bërë presion në kundërshtarët dhe arritën të krijojnë disa raste. Për mysafirët, Shpëtim Idrizi rrezikoi nga gjuajtja e lirë, por Mushica ishte në vend.

Nuk deshi shumë kohë që bardhekaltërit të dalin në epërsi. Ishte minuta e 16-të kur me një goditje nga largësia dhe afër vijës këndore, Argjend Malaj shënoi për t’i çmendur Plisat që ishin zhveshur duke festuar në shi. Vlen të cekët se goditjen e Argjendit e devijoi paksa mbrojtësi i Trepçës ’89, Leutrim Bekteshi.

Prishtina edhe në minutat e mbetura të fraksionit të parë bëri përpjekje për ta ngritur epërsinë, por nuk ia doli dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Edhe në pjesën e dytë Prishtina e diktoi tempon e këtij takimi. Golin e dytë dhe përfundimtar të kësaj ndeshje e shënoi Florim Berbatovci në minutën e 63-të. Ky ishte goli i tij i 16-të këtë edicion, që njëherit e bënë atë edhe golashënuesin më të mirë të kësaj lige.

Prishtina e mbyll këtë edicion me 73 pikë, 15-të më shumë se përcjellësi i parë Trepça ’89. 

Prishtinakampionwide

Në fund të takimit, në fushë u improvizua një skenë e vogël. Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i ndanë medaljet dhe ia dhuruan kupën kapitenit të Prishtinës, Driton Krasniqit. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app