LAJMI I FUNDIT:

Dhjetë kompanitë me më shumë ‘cash’ në botë

Dhjetë kompanitë me më shumë ‘cash’ në botë

Një studim i fundit ka bërë publike kompanitë amerikane me nivelin më të lartë të kapitalit dhe stokut të parave likuide që zotërojnë.

Sipas të dhënave nga FactSet, përcjell Telegrafi rezulton se Microsoft aktualisht ka grumbullin më të madh të parave të gatshme me plot 136.6 miliardë dollarë që nga tremujori i fundit. Pas saj renditen Berkshire Hathaway me 128.2 miliardë dollarë, Alphabet me 121.2 miliardë dhe Apple me 100.6 miliardë dollarë.


Facebook, Amazon, Ford, Oracle, Cisco dhe Bristol Myers renditen më tej pas tyre, në pjesën tjetër të listës së dhjetë kompanive më të pasura botërisht. Për arritjen e këtyre përfundimeve, janë marrë në konsideratë bilancet e kompanive, si dhe investimet afatshkurtra, për shembull në obligacione.

Kompanitë mund të shpenzojnë përmes mjeteve tradicionale si investimet kapitale dhe blerjet, si dhe me kthimin e parave për aksionarët përmes blerjes së aksioneve dhe dividentëve. Disa argumentojnë se këto të fundit, sidomos blerjet dhe shitjet e aksioneve janë një nxitje e shpejtë për investitorët dhe shëndetin afatgjatë të kompanisë përkatëse.

Megjithatë në rastet kur bëhet fjalë për kompani të tilla, me fitime miliarda dollarëshe dhe shtrirje botërore, të ardhurat dhe investimet padyshim ndikojnë ekonominë e shteteve dhe atë globale në përgjithësi.