LAJMI I FUNDIT:

Dhimbja e nyjeve – ndër ankesat më të shpeshta në sëmundjet reumatike

Dhimbja e nyjeve – ndër ankesat më të shpeshta në sëmundjet reumatike
Dr. Besim Demolli, reumatolog

Dhimbja e nyjeve si pasojë e artritit është një realitet i përditshëm për miliona njerëz në botë. Për disa, kjo dhimbje është e përkohshme për shkak të një dëmtimi, por për të tjerët mund të jetë një simptomë e vazhdueshme dhe madje dobësuese si pasojë e artritit

Dr. Besim Demolli
Specialist i reumatologjisë
Tel. 044727068


Artralgjia është termi për dhimbjen në ose rreth nyjes/ve. Është një simptomë, jo një sëmundje. Kjo dhimbje mund të përfshijë një ose më shumë nyje dhe mund të përshkruhet si e mprehtë, e shurdhër, therëse, djegëse ose pulsuese dhe mund të shkojë nga një intensitet i lehtë deri në të rëndë.

Shkaktari më i madh i dhimbjes së nyjeve është artriti qoftë i formës degjenerative, inflamatore, metabolike ose infektive. Pra, ka më shumë se 100 lloje të ndryshme të artritit që është pezmatimi i nyjeve dhe gjendjeve të lidhura me të.

Cili është hapi i parë?

Është e rëndësishme të krijoni një marrëdhënie të hapur, të besueshme me mjekun tuaj. Sigurohuni që të gjeni dikë me të cilin jeni rehat, i cili do të dëgjojë shqetësimet tuaja dhe do t’i marrë seriozisht. Por ju si pacient duhet të keni një mendje të hapur dhe të kuptoni se, ndërsa mjeku është atje për t’ju ndihmuar, ai ose ajo mund të mos pajtohet gjithmonë me mendimet tuaja.

Si reumatolog, u jam përkushtuar pacientëve të mi. Mundohem të vazhdoj me të dhënat e fundit dhe të lexoj revista rigorozisht të vlerësuara nga kolegët, në mënyrë që të di se çfarë është më e mira për pacientët e mi. Kjo është arsyeja pse unë kultivoj një marrëdhënie të besueshme me ta, kështu që ata të ndjehen të sigurt në udhëzimet e mia dhe të bëjnë ndryshime për të kontrolluar dhimbjen e tyre në mënyrë që të jetojnë jetë cilësore!

Cilat janë simptomat e artralgjisë?

Simptoma kryesore e artralgjisë është dhimbja e nyjeve. Dhimbja e nyjeve mund të shfaqet papritmas ose të zhvillohet dhe përkeqësohet me kalimin e kohës.

Ju mund të përjetoni simptoma të dhimbjes së nyjeve tuaja çdo ditë ose vetëm një herë në një kohë. Ndonjë nga këto simptoma të artralgjisë mund të jetë e rëndë:

• Ndjenja e djegies
• Ndjenja e kruajtjes
• Mpirje
• Dhimbje ose ndjeshmëri e shtuar e dhimbjes
• Skuqje, ngrohtësi ose ënjtje
• Lëvizshmëria e zvogëluar (diapazoni i lëvizjes së nyjeve)
• Ngurtësia
• Ndjesi shpimi gjilpërash ose ndjesi të tjera të pazakonta

Cilët janë shkaktarët e dhimbjes së nyjeve tuaja (artralgjisë)?

Ka shumë shkaqe të artralgjisë. Artralgjia me dhimbje të papritur të kyçeve mund të shkaktohet nga një dëmtim, ndërsa artralgjia që zhvillohet dhe përkeqësohet me kalimin e kohës mund të jetë për shkak të një sëmundje esenciale ose çrregullimi. Shkaku më i zakonshëm i artralgjisë është artriti, i cili është inflamacioni i kyçeve.

Shkaqet më të shpeshta të artralgjisë!?

Inflamacioni për shkak të artritit mund të shkaktojë dhimbje të kyçeve. Shembuj të shkaqeve artritike të artralgjisë përfshijnë:

• Artriti urik/gihti është një formë e zakonshme dhe komplekse e artritit që mund të prekë këdo. Karakterizohet nga sulme të papritura, të forta të dhimbjes, ënjtje, skuqje dhe ndjeshmëri në nyje, shpesh të nyjeve në bazën e gishtit të madh të këmbës/ve.

• Osteoartriti- është forma më e zakonshme e artritit, që prek miliona njerëz në të gjithë botën. Ndodh kur kërci mbrojtës që mbështet cepat e kockave tuaja prishet me kalimin e kohës. Megjithëse osteoartriti mund të dëmtojë çdo artikulacion, çrregullimi më së shpeshti prek nyjet në duart tuaja, gjunjët, kërdhokullat dhe shpinën.

• Sindroma Reiter (formë e artritit)- është një formë e artritit që prodhon dhimbje, ënjtje skuqje dhe nxehtësi në nyje. Është një nga familjet e çrregullimeve artritike që prekin shtyllën kurrizore. Reiter sindroma zakonisht përfshin nyjet e shtyllës kurrizore dhe zonat e nyjeve sakroiliake ku shtylla kurrizore bashkohet me komblikun.

• Artriti reumatoid– është një sëmundje autoimune dhe inflamatore, që do të thotë se sistemi juaj imunitar sulmon qelizat e shëndetshme në trupin tuaj gabimisht, duke shkaktuar inflamacion (ënjtje të dhimbshme) në pjesët e prekura të trupit. Artriti reumatoid kryesisht sulmon nyjet, zakonisht shumë nyje në të njëjtën kohë.

• Artriti septik (artriti infektiv) – Një bakter, virus ose mikozat mund të hyjnë në nyje dhe të shkaktojnë inflamacion. Shembuj të organizmave që mund të infektojnë nyjet janë salmonella dhe shigella (helmim ose kontaminim ushqimor), klamidia dhe gonorrea (sëmundje seksualisht të transmetueshme) dhe hepatiti C (një infeksion gjaku shpesh i bartur përmes gjilpërave të përbashkëta tek narkomanët ose permes transfuzioneve). Në shumë raste, trajtimi në kohë me antibiotikë mund të largoj infeksionin e kyçeve, por nganjëherë artriti bëhet kronik.

• Morbus Still- Ky lloj i rrallë i artritit inflamator karakterizohet nga ethe, skuqje dhe dhimbje të kyçeve. Sëmundja Still me fillim tek mosha madhore është një lloj i rrallë i artritit që mendohet të jetë autoimun ose auto-inflamator. Ka simptoma të ngjashme me artritin juvenile idiopatik me fillimin sistemik – ethe, skuqje dhe dhimbje të kyçeve.

• Spondiliti ankilozant- Spondiliti ankilozues është një sëmundje inflamatore që me kalimin e kohës mund të shkaktojë shkrirjen e disa prej kockave të vogla në shtyllën kurrizore (rruazat tuaja). Kjo shkrirje e bënë shtyllën kurrizore më pak fleksibile dhe mund të rezultojë në një qëndrim të përkulur përpara. Nëse preken brinjët, mund të jetë e vështirë të marrësh frymë thellë.

• Nekroza avaskulare e kockave – është vdekja e indeve kockore për shkak të mungesës së furnizimit me gjak. Gjithashtu e quajtur osteonekrozë, mund të çojë në thyerje të vogla në kockë dhe kolaps përfundimtar të kockave. Një kockë e thyer ose nyje e zhvendosur mund të ndërpresë rrjedhën e gjakut në një pjesë të kockave.

• Bursiti – Bursiti është pezmatim ose acarim i qeskës së bursës. Këto qese i keni në të gjithë trupin tuaj. Ato janë të mbushur me lëng që ndihmon në lehtësimin e fërkimit midis indeve si kocka, muskujt, tendinat dhe lëkura. Bursiti është i zakonshëm rreth nyjeve kryesore si supe, bërryl, kërdhokull ose gju.

• Sëmundje të tjera reumatike si shkaktarë të artralgjisë janë: Sindroma komplekse regjionale e dhimbjes (dhimbje kronike për shkak të një sistemi nervor jofunksional), fibromialgjia, artriti juvenile idiopatike, lupusi eritematoz sistemik, sëmundjet e padiferencuara të indit lidhor, sëmundjet e përziera të indit lidhor, sklerodermia, sindroma Sjögren, miopatitë inflamatore, sëmundja Lyme, ethja reumatike, ethja mesdhetare, morbus wipple, sarkoidoza, tendinitet, kapsuliti adhesive, epikondilitet e shumë e shumë sëmundje të tjera reumatike.

Shkaqet infektive të artralgjisë

Një sërë sëmundjesh infektive mund të shkaktojnë artralgji. Këto sëmundje përfshijnë: haemophilus inluenca (infeksion bakterial, më i zakonshëm tek fëmijët), hepatiti, influenca (gripi), fruthi (infeksion viral), mononukleoza (infeksion viral), parotiti (infeksion viral i gjëndrave të pështymës në qafë), neisseria gonococcus (infeksion bakterial më i zakonshëm tek adoleshentët dhe të rriturit e rinj), salmonella (infeksion bakterial më i zakonshëm tek pacientët me drepanocitozë), staph. aureus (infeksion bakterial pas traumës ose operacionit), etj.

Shkaqe të tjerë të artralgjisë

Leukemia, efektet anësore të barnave ose reagimi alergjik ndaj barnave, tumoret e kockave, nyjeve ose indeve të buta, hipotiroidizmi etj.

Cilët janë faktorët e rrezikut për artralgji?

Një numër faktorësh rrisin rrezikun e shfaqjes së artralgjisë. Jo të gjithë njerëzit me faktorë rreziku do të kenë artralgji. Faktorët e rrezikut për artralgji përfshijnë:

• Mosha
• Obeziteti
• Pjesëmarrja në aktivitete të përsëritura që ushtrojnë presion në nyje
• Lëndimi i mëparshëm i nyjeve ose operacioni

Si trajtohet artralgjia?

Trajtimi për artralgji fillon me kërkimin e kujdesit mjekësor nga ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor. Trajtimi do të ndryshojë në varësi të artikulacionit që preket, ashpërsisë së dhimbjes dhe shkakut themelor.

Trajtimi do të adresojë shkakun themelor dhe do të synojë lehtësimin ose menaxhimin e simptomave.

• Artralgjia e lehtë mund të menaxhohet përmes një plani të kujdesit në shtëpi të rekomanduar nga ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor.
• Injeksionet steroide janë një trajtim i zakonshëm për inflamacionin e kyçeve. Nëse është e nevojshme, lëngu mund të hiqet nga nyja e prekur në një procedurë të quajtur aspirim të nyjeve (artrocentezë).
• Në disa raste, terapia fizike mund të jetë e dobishme.
• Artralgjia për shkak të një kocke të thyer mund të kërkojë kirurgji!
• Artralgjia për shkak të një infeksioni në nyje mund të kërkojë operacion për pastrimin e infeksionit, të ndjekur nga antibiotikët.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Osteoporoza, diagnostikimi dhe mjekimi bashkëkohor

Osteoporoza, diagnostikimi dhe mjekimi bashkëkohor

Shëndetësi
Kalo në kategori