Një martesë në Egjipt përfundoi me pikëllim kur dhëndri u rrëzua dhe vdiq ndërsa vallëzonte me nusen e tij.

Ashraf Abu Hakam u pa në pamjet e filmuara duke festuar këtë rast të gëzueshëm në Aswan të enjten, para se të ndodhte tragjedia.


Në video, Hakam shihet duke mbajtur duart me gruan e tij të re ndërsa vallëzonin së bashku para miqve dhe familjes, transmeton Telegrafi.

Ai dhe nusja e tij po tundnin shkopinj Saidi - një shkop i fortë që përdoret në vallen tradicionale egjiptiane Saidi - vetëm pak çaste para katastrofës.

Hakam u pa në pamjet e filmuara duke u rrëzuar papritur në tokë ndërsa mbante dorën e gruas së tij.

Të ftuarit u afruan rreth tij në një përpjekje për t'i ofruar ndihmë ndërsa videoja e shfaq atë të shtrirë në shpinë në pistën e vallëzimit.

Muzika dhe të qeshurat u zëvendësuan shpejt me britma dhe psherëtima, ndërsa vendi i dasmës ra në rrëmujë.

Tragjikisht, përpjekjet për ta shpëtuar dështuan dhe mjekët më vonë konfirmuan se ai kishte pësuar një arrest të papritur kardiak.

Incidenti prekës u përhap shpejt në mediat sociale egjiptiane, me qindra njerëz që shprehën tronditje dhe ofruan ngushëllime.

'Ai ishte plot jetë, i buzëqeshur, i emocionuar për të ardhmen e tij', shkroi një mik.

'Zoti e mëshiroftë dhe i dhëntë një vend në pafundësinë e parajsës së Tij', tha një tjetër.

Të tjerë kujtuan festimin e fejesës së tij vetëm një ditë më parë, duke mos e imagjinuar kurrë se festimet do të shndërroheshin në zi brenda pak orësh.

'Jam e shqetësuar për këtë nuse dhe për bisedat që do ta pasojnë. Allahu i dhëntë durim', tha një tjetër. /Telegrafi/