LAJMI I FUNDIT:

Dhembja dhe poshtërimi si sprovë e dëshirave apo frustrimeve seksuale

Dhembja dhe poshtërimi si sprovë e dëshirave apo frustrimeve seksuale

Nga: Agron Gërguri

Në Teatrin “Dodona” u dha premiera e dramës “Venus”, sipas David Ivesit, në regji të Bashkim Ramadanit dhe me aktorët Valmira Hoti dhe Besart Zeneli.


Liria e shprehjes seksuale dhe sadomazohizmi, rrëfyer përmes marrëdhënies së regjisorit dhe aktores gjatë procesit të audicionit, zhvillohet dhe universalizohet si marrëdhënie burrë-grua dhe më tutje prek raportet bashkëshort-bashkëshorte dhe dashnor-dashnore, bashkë me konsekuencat sociale, psikologjike dhe morale.

“Për me marrë copën prej gruas, duhet me dashtë edhe pjesën tjetër të saj”, thotë Vanda, dhe kjo thënie është kushtetuta e sjelljes së saj në raport me veten dhe pretenduesin – regjisorin dhe dramaturgun Tomas – në kërkim të një aktoreje për shfaqjen e tij.

Puna në teatër është mundësi e mirë për të bërë seks! Kjo fjali e thënë në shfaqje vjen si perceptim nga jashtë dhe ka të bëjë me lirinë e shprehjes sensuale (lexo seksuale), duke eksploruar hapësirën e errët të dëshirave si marrëdhënie esenciale mes burrit dhe gruas në rrafshin biologjik, psikologjik, shpirtëror dhe social. Kjo është shtrirja tematike që trajton shfaqja. Përpjekja për ta gjetur harmoninë, duke ecur nëpër labirintet e njohjes reciproke të gruas dhe të burrit – nisur nga shikimi apo nga fjala e parë, deri te seksi dhe te ndjenja e mungesës se a munden apo jo pa njëri-tjetrin – regjistron dashurinë apo nevojën jo të parëndësishme fiziologjike, sipas Frojdit, në të bërit art. Gjithë kjo në shfaqjen “Venus” shëmbëllen përmes raportit regjisor-aktor që vërteton për të saten herë se gruaja mbetet muza krijuese pa aromën e së cilës nuk ka art. Rrëfimin skenik regjisori Bashkim Ramadani e ambalazhon estetikisht me masë, duke na treguar edhe pjesën vulgare (por, pa vulgaritet), që shfaqjes i jep vlerë artistike me një lexim kreativ të tekstit dhe interpretimit të Valmira Hotit dhe të Besart Zenelit.

Gruaja si qenie e brishtë, edhe kur na duket se po flirton, se po oferton, ajo di të ndalet me “obligimin civilizues” që të rezistojë si shenjë e emancipimit seksual dhe njerëzor. Andaj, burri kurrë nuk është, apo nuk duhet të jetë i sigurt në duart e një gruaje e cila, në fakt, përkthehet në siguri drithëruese që të përfshin si shqetësim i dëshiruar të cilin mund ta prodhojë vetëm ajo që sa mund të bëhet “rob” po aq të robëron për të shpërbërë egoizmin – duke ndrydhur sustën e nukleusit të shpirtit për identitet dashuror që i duhet jetës, ashtu siç aktori duhet të krijojë marrëdhënie me personazhin në relacionin realitet-fiksion për të prodhuar art.

A duhet apo jo që në marrëdhënien regjisor-aktore gjithçka të përmbyllet me kontratë pune gjatë formulimit të së cilës patjetër konsumohet seksi dhe pastaj përfundon në përfitim material? Apo, e gjitha të përfundojë me një kontratë martese, si një burg i dëshiruar i përjetshëm i burrit dhe gruas. Sepse, pasi të kenë pushtuar njëri-tjetrin për të thyer monotoninë apo për të dëshmuar forcën reale, ata provojnë t’i ndërrojnë rolet edhe për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin.

E gjithë kjo thuhet në shfaqjen “Venus”, përmes një transformimi interesant të reflektimit të situatës nga një audicion artistik në një audicion njerëzor, ku shoshitet edhe trajtimi misogjen i gruas në raport me vlerat që ajo përfaqëson.

Raporti regjisor-aktore kthehet në raportin njerëzor Vanda-Tomas. Ata e shfrytëzojnë teatrin si gënjeshtër të besueshme dhe, duke interpretuar personazhe tjera, vetë takohen në pikën e dëshirave, duke na zbërthyer përmbajtjen e marrëdhënies kozmike mashkull-femër (burrë- grua). Ky shndërrim – herë personazh, pra interpret, dhe herë profesion aktor-regjisor (dramaturg) – u shtrua dhe u funksionalizua në aspektin regjisorial dhe u aktrua mjeshtërisht nga çifti skenik Valmira Hoti (Vanda) dhe Besart Zeneli (Tomasi), në një ambient në shikim të parë të varfër, por me rekuizita të duhura për të zhvilluar skenat në punkte dhe kontrapunkte të cilat përmbushnin artikulimin e kthjellët të tekstit, me veprime fizike që përplotësonin fjalët duke lëshuar aromën e raportit ku seksi ndillej, por nuk ndodhte – sado që perceptimet për botën artistike, siç ndodh në teatër, kanë shpjegim më drejtë, thënë ndryshe përfolje, siç perceptohet nga jashtë, duke përligjur atë që emitohet si frekuencë e lirë komunikimi dhe edukim emocional (lexo seksual). Dallimi midis emocionit që interpretohet dhe atij real, në shfaqje trajtohet me sens duke stimuluar edhe të menduarit si veprim korrektues, përtej murit të katërt në raportin personazh-spektator.

Thuaja në të gjitha hallkat shfaqja ishte ndërtuar mirë edhe si narracion, edhe si shtruarje skenike. Përkundër temës dhe potencialit eksplicit të saj, masa dhe abstenimi nga shfryrja e epsheve krijonte dramën e përjetimit që derdhej tek spektatoret.

Skena dhe mizanskena, pastër e ndërtuar, në korrelacion me temën e vakët dhe shumë aktuale që ka të bëjë me trajtimin e dëshirave seksuale – që ndërthuren me karrierën – ishin ndërtuar deri në pikën e provokimit. Sigurisht, bota e errët e dëshirave (lexo fantazive) seksuale ka edhe shtresime tjera, por regjisori ka zgjedhur të na thotë se puna në teatër, ashtu si në jetë, nuk është krejt siç duket.

Besart Zeneli, në rolin e Tomasit ruan dhe zhvillon personazhin, sado që nganjëherë rrëshqet në veprime “të rëndomta” – si pushim për të dalë tek partiturat me theksime komplekse psikologjike. Në veçanti, interpreton përmbajtjesisht situatat midis mundësisë e dëshirës, por akti nuk ndodhë e pastaj thyhet shpirti seksual dhe liget burrërorja!

Gjithashtu, aktorja Valmira Hoti, me sensualitetin e saj emetonte frekuencat e lojëjoshjes, brenda së cilës kishte sensorin e vetëpërmbajtjes duke vijëzuar karakterin kompleks të gruas si qenie e brishtë në forcën e saj – përmes një sprove komplekse midis profesionit, epshit dhe vlerave morale emancipuese të cilat i emeton jo vetëm përmes trupit, por dëshmon ehe esencën e shpirtit dhe mendjes.

Skenografia funksionale, ndriçimi i dizajnuar mirë dhe efektet e qëlluara muzikore krijonin ambient dhe përplotësonin emocionet e personazheve dhe “leximin” e tyre.

Mbase me disa shkurtime do të ngjishej veprimi skenik dhe shfaqja do fitonte në ritëm dhe thellësi të pafundme që ka tema e “Venusit”. /Telegrafi/