Detaje të reja të dokumentarit të fundit të Diogo Jotas para vdekjes tragjike
Një dokumentar, që pasoi suksesin e Liverpoolit në fitimin e titullit, ka sjellë një pasqyrë të ndjerë mbi jetën e Diogo Jotas dhe kuptimin e golit të tij të fundit kundër rivalëve të përjetshëm, Evertonit.
Jota humbi jetën tragjikisht në moshën 28-vjeçare, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, 25 vjeç, në një aksident automobilistik në veri të Spanjës, më 3 korrik.
Vetëm tre muaj para asaj dite të zymtë për Liverpoolin, Portugalinë dhe mbarë botën e futbollit, Jota festonte me buzëqeshje të gjerë pasi kishte shënuar në derbin e Merseyside kundër Evertonit.
Duke folur në dokumentarin e sapo publikuar për atë gol të shënuar në prill, Jota rrëfeu emocionet e tij: “Ishte një sezon shumë i vështirë për mua, por gjithmonë isha aty duke luftuar. Munda ta ndihmoja ekipin atë ditë dhe jam krenar për atë që arrita.
"Është e vështirë ta përshkruash. Ky është ndjesi që kërkoj kur luaj futboll. Prandaj ia kushton gjithë jetën dhe të gjitha përpjekjet momenteve të tilla — kur mund të vendosësh fatin e një ndeshjeje të rëndësishme".
"Si sulmues, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të shënosh. Ndjenja është e pabesueshme. Ajo fitore na dha vrull, dhe në fund mund të thuhet se ishte një javë vendimtare”, potencoi Jota.
Duke përshkruar emocionin e fitimit të Ligës Premier për herë të parë në karrierë, pasi e kishte ëndërruar që fëmijë në Portugali, ai shtoi: “Është diçka që as nuk mund ta imagjinoja kur isha i vogël. Doja të luaja në Premier League, por nuk e mendoja kurrë se do ta fitoja. Është një arritje e jashtëzakonshme për një djalë nga Gondomar që kishte vetëm këtë ëndërr”.
Liverpooli ka konfirmuar se do ta nderojë Jotën me një skulpturë jashtë Anfield-it dhe do të tërheqë fanellën e tij me numrin 20 nga përdorimi.
Ndërkohë, murale të tij kanë nisur të shfaqen në mbarë zonën e Merseyside, si një homazh për yllin portugez. /Telegrafi/






























