LAJMI I FUNDIT:

Detaje të reja rreth veturës fluturuese me motor BMW

Detaje të reja rreth veturës fluturuese me motor BMW

Një veturë që mund të shndërrohet në një aeroplan të vogël ka marrë “dritën jeshile” në Sllovaki.

Kompania Klein Vision, e cila prodhoi AirCar, tha se vetura iu nënshtrua 70 orësh testimesh rigoroze gjatë fluturimit, duke përfshirë 200 ngritje dhe ulje. Zhvillimi i veturës fluturuese ka përfunduar dhe plotëson të gjitha standardet e Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA).

“Fluturimet sfiduese testuese përfshinin fluturime dhe manovra të gjata dhe treguan stabilitet të mahnitshëm statik dhe dinamik në modalitetin e aeroplanit”, njoftoi kompania.

AirCar fuqizohet nga motori 1.6 litërsh i BMW-së që përdor “benzinën që është dispozicion në çdo pikë karburanti”.

Mund të fluturojë në lartësi deri në 5500 metra dhe duhen dy minuta e 15 sekonda për t’u shndërruar nga modaliteti i veturës në aeroplan. Krahët dhe bishti palosen automatikisht në rast udhëtimi në rrugë.

Kërkohet një licencë piloti për të operuar AirCar dhe kompania shpreson që shitjet të fillojnë në më pak se 12 muaj.

Në qershor, AirCar kreu një fluturim testues 35-minutësh midis aeroporteve Nitra dhe Bratislava në Sllovaki. Pas uljes, AirCar vazhdoi të lëvizte nëpër rrugët e qytetit në modalitetin e veturës.

“AirCar po hap derën për prodhimin masiv të makinave fluturuese efikase. Ky është konfirmimi përfundimtar dhe zyrtar i aftësisë sonë për të ndryshuar udhëtimin përgjithmonë”, tha shpikësi i AirCar Stefan Klein. /Telegrafi/