LAJMI I FUNDIT:

Detaje të reja për të ndjerën nga Istogu: Para se të paraqitej në QMF, kishte vizituar familjarët në Skenderaj

Detaje të reja për të ndjerën nga Istogu: Para se të paraqitej në QMF, kishte vizituar familjarët në Skenderaj

Udhëheqësi i Shtabit Emergjent në Istog, Besart Dreshaj ka dhënë detaje për pacienten nga Istogu që sot ndërroi jetë e që kishte edhe COVID-19.

Dreshaj për RTV Dukagjini ka thënë se pacientja në fjalë në fillim ishte paraqitur në QKMF-në e Istogut për t’u trajtuar për problemet që kishte me lukthin.


“Mjekët tanë kanë vlerësuar se pacientja në fjalë ka nevojë për trajtim më të specializuar në Spitalin e Pejës pasi pos problemeve të lukthit vuante edhe nga sëmundja e zemrës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai më pas thotë se dy ditë pas qëndrimit në Spitalin e Pejës pacientja në fjalë është dërguar me urgjencë në Prishtinë ku i është nënshtruar edhe operacionit.

“Pas përfundimit të operacionit fatkeqësisht pacientes i është përkeqësuar gjendja. Ajo i është nënshtruar më pas analizave më të detajuara. Pas atyre analizave për fat të keq ajo ka rezultuar pozitiv edhe me COVID-19”.

Udhëheqësi i Shtabit Emergjent në Istog thotë se mjekët nga kjo komunë që kanë pasur kontakte me tashmë të ndjerën janë në vet izolim dhe sipas tij situata është nën kontroll.

Dreshaj thotë se në bazë të dëshmive të familjarëve, e ndjera kishte qenë në vizitë te familjarët në Skenderaj.

“Pasi ka vizituar Skenderajn ishte kthyer te familja e saj në Istog e më pas edhe ishte paraqitur në QKMF në Istog e më pas ka vazhduar tutje [Pejë, QKUK]”, tha mes tjerash Besart Dreshaj./Telegrafi/