Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga plagosja e një personi në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë.

Sipas policisë viktima është qëlluar nga persona ende të panjohur.


Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:59, ndërsa viktima, mashkull kosovar, po ruante një pronë private në momentin e sulmit.

Pas plagosjes, viktima është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja armësh.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa autorët mbeten ende të paidentifikuar. Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”. /Telegrafi/