LAJMI I FUNDIT:

Dështon takimi i 19 korrikut Kurti-Vuçiq në Bruksel

Dështon takimi i 19 korrikut Kurti-Vuçiq në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia po tenton të sabotojë dhe minojë procesin e dialogut.

Bislimi, duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, bëri të ditur se ka dështuar aranzhimi për takim Kurti-Vuçiq në Bruksel.


Takimi ishte planifikuar të mbahet në Bruksel me 19 korrik të këtij viti.

Kjo për shkak se presidenti serb i ka dhënë përparësi takimit me presidentin e Egjiptit,  Abdel Fattah al-Sissi, i cili pritet ta vizitojë Serbinë të martën.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, tha se presidenti serb nuk ka treguar gatishmëri për takim.

Në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi deklaroi se Serbia është duke e sabotuar procesin e dialogut, për dallim nga Kosova, që sipas tij është duke u treguar më aktive.

Bislimi bëri të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar së është i gatshëm që sa më shpejtë të fillojnë diskutimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas Bislimit, për një gjë të tillë nuk ka vullnet shteti serb.

“Takimi i datës 14 korrik është dashur të jetë trelateral mes zotëri Lajçak-ut dhe dy kryenogicatorëve. Ai nuk ka ndodhur për arsye se Serbia ka bërë presion për ndërrim të agjendës, i cili normalisht nuk është pranuar. Pra, kemi një sabotim apo minim të procesit nga ana e Serbisë. Por, megjithatë për të treguar vendosmërinë e palës kosovare që të jemi aktiv në dialog dhe të punojmë drejt marrëveshjes finale, kam udhëtuar në Bruksel dhe kam pas dy takime me Lajçakut, ku kemi diskutuar për hapat e mëtejmë. Ideja ka qenë që të përgatitet tereni për takim të radhës, mbase këtë javë, nesër, ndërmjet dy krerëve të shtetit, por kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së zotëri Vuçiq-it që të shkojë në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.

“Zotëri Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejtë të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, por Vuçiq ka nxjerr si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, ka vijuar Bislimi.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq, ishte zhvilluar para një viti, kurse gjithsej Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm dy herë.