LAJMI I FUNDIT:

Dështimi i procesit për largimin e kryetarëve në veri – serbët lokalë iu bindën Beogradit

Dështimi i procesit për largimin e kryetarëve në veri – serbët lokalë iu bindën Beogradit

Procesi i votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri që u mbajt të dielën më 21 prill, po shihet si një proces i dështuar.

E gjithë kjo për shkak të pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në votim në këto komuna.


Serbët lokal të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, bojkotuan procesin e djeshëm të votimit, pas thirrjeve që bëri ditë më parë Lista Serbe.

Shkarkimi i kryetarëve - sot votohet në katër komunat në veri
Lexo po ashtu Shkarkimi i kryetarëve - sot votohet në katër komunat në veri

Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe të njëjtat u mbyllen në orën 19:00.

Si pasojë e dështimit të këtij procesi, kryetarët aktualë shqiptarë në këto komuna e kanë siguruar edhe një vit mandat, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.

Rezultatet e KQZ-së pas mbylljes së vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, bëri të ditur se në procesin e sotëm të votimit kanë marrë pjesë vetëm 253 persona.

Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues, nga 13.674 votues apo 0.91%, në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%.

Në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7.209 pra 0%.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18.796 apo 0.59%.

Reagimet e krerëve të shtetit dhe ndërkombëtarëve

Dështimi i procesit për shkakrimin e kryetarëve ose jo në katër komunat në veri të Kosovës, nxiti reagime nga krerët e shtetit dhe ambasadorët e akredituar në vend.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Kosova u dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj.

“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale”.

Osmani: Kosova organizoi zgjedhje në veri dhe plotësoi kushtet e BE-së, të hiqen masat e padrejta menjëherë
Lexo po ashtu Osmani: Kosova organizoi zgjedhje në veri dhe plotësoi kushtet e BE-së, të hiqen masat e padrejta menjëherë

Presidentja tha se edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rezultatet e votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.

Sipas tij, “20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin, për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledhë 20% por jo edhe 50%”.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka akuzuar Listën Serbe dhe Beogradin zyrtar për bojkot me qëllim të sabotimit të procesit të votimeve sot në katër komunat e veriut të Kosovës.

“Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen assesi veten te një proces kaq demokratik”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ai përgëzoi institucionet e sigurisë për përmbyllën e kësaj ditë pa asnjë incidente.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit.

​Sveçla akuzon Listën Serbe dhe Serbinë për sabotim të procesit të votimeve në veri
Lexo po ashtu ​Sveçla akuzon Listën Serbe dhe Serbinë për sabotim të procesit të votimeve në veri

Sipas Ambasadës, përmes pjesëmarrjes në votim, serbët kanë mundur të “avancojnë drejt demokracisë efektive dhe përfaqësuese”.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është e drejtë kyçe në shoqëritë demokratike”.

Çfarë deklaroi Lista Serbe?

Pas përfundimit të procesit të votimit në veri për shkarkimin apo jo të kryetarëve aktualë, ka reaguar Lista Serbe.

Përmes një postimi në Facebook, subjekti i kontrolluar nga Beogradi ka pranuar se kanë pasur ndikim për të pamundësuar pjesëmarrjen e lirë të qytetarëve serbë në votime.

“E para është se Lista Serbe ka pasur thellësisht të drejtë kur i ka bërë thirrje popullit serb që të mos marrin pjesë në këtë shfaqje të lojës së Kurtit sepse është krijuar nga fillimi me qëllimin që të dështojë.”

LS-ja ka thënë se ishin të gatshëm të merrnin pjesë në këtë proces porse, sipas tyre, nuk donin të luanin “lojën e drejtuar nga Kurti” nga e cila, pretendohet se nuk planifikohej largimi i kryetarëve aktualë.

Kjo parti ka pretenduar se më 21 prill është dëshmuar se nuk janë Lista Serbe dhe Serbia që po frikësojnë serbët, por kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe siç, ka thënë, njësitë e tij ilegale parapolicore, që sipas Listës Serbe kanë rezultuar me rrugë të zbrazëta në veri.

Procesi u përmbyll pa incidente

Policia e Kosovës, ka njoftuar se përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me procesin e votimit në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, i cili u mbajt sot me 21 prill 2024.

Procesi në aspektin e sigurisë ka kaluar i qetë dhe pa incidente deri në mbylljen e qendrave të votimit.

“Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit të votimit ishin angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por kanë qenë të paraparë edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, brenda Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia: Procesi i votimit në veri kaluar i qetë - pa incidente
Lexo po ashtu Policia: Procesi i votimit në veri kaluar i qetë - pa incidente

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano është shprehur i kënaqur se si ka shkuar procesi i votimit në katër komunat veriore.

Përmes një postimi në platformën X, Barbano ka thënë se për EULEX-in është i pranueshëm zhvillimi i një procesi paqësor të votimeve.

“Pas përfundimit të votimit, EULEX-i pranon mënyrën paqësore në të cilën u zhvillua procesi. Përshëndesim përpjekjet e shfaqura nga të gjithë ata që janë përfshirë në ofrimin e sigurisë në 4 komunat veriore gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Barabano.

Çfarë i parapriu votimit të 21 prillit?

Votimet e 21 prillit janë organizuar sipas një udhëzimi administrativ të nxjerrë prej Qeverisë së Kosovës, muaj më parë, që parasheh largimin e një kryetari prej pozitës që mban.

Fillimisht ishte paraparë organizimi i një peticioni, në të cilin janë mbledhur 20 për qind e nënshkrimeve të nevojshme për të organizuar më pas votimin.

Udhëzimi administrativ është nxjerrë pasi faktori ndërkombëtar ka kërkuar largim të kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke konsideruar se ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar – kur ata i kanë fituar zgjedhjet – është mbajtur në përputhje me ligjin, megjithatë, ai nuk ka qenë legjitim për shkak të daljes së ulët.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Ato i fituan dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje – Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq – dhe dy të Partisë Demokratike të Kosovës – Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale është përcjellë me tensione të mëdha në maj të vitit të kaluar.

Si pasojë e situatës së krijuar të plagosur mbetën disa pjesëtarë të KFOR-it. BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, me arsyetimin se nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Dënimi me 25 vjet i Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Kurrfarë vendimi, nuk e kuptoj si më të vlefshëm kriminelët se polici që mbron ligjin e shtetin

Dënimi me 25 vjet i Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Kurrfarë vendimi, nuk e kuptoj si më të vlefshëm kriminelët se polici që mbron ligjin e shtetin

Lajme
25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

Drejtësi
Human Rights Network dënon sulmin e ministrit Murati ndaj mediave dhe shoqërisë civile

Human Rights Network dënon sulmin e ministrit Murati ndaj mediave dhe shoqërisë civile

Lajme
Vendosja e kamerave të sigurisë në veri, Elshani: Do të krijojmë një klimë të sigurisë më të madhe te qytetarët

Vendosja e kamerave të sigurisë në veri, Elshani: Do të krijojmë një klimë të sigurisë më të madhe te qytetarët

Elfije Boletini
Hapet dyqani i parë social në Prishtinë, Rama: Qytetarët në nevojë mund të furnizohen çdo muaj falas me produkte ushqimore e higjienike

Hapet dyqani i parë social në Prishtinë, Rama: Qytetarët në nevojë mund të furnizohen çdo muaj falas me produkte ushqimore e higjienike

Prishtina
Kalo në kategori