LAJMI I FUNDIT:

Dëshmia e avokatit: Lumezi na qerasi me qebapë e djathë në vitin ‘91 kur e dha provimin

Dëshmia e avokatit: Lumezi na qerasi me qebapë e djathë në vitin ‘91 kur e dha provimin

Ish-avokati i Enver Hasanit, Betim Shala, para dy jave ka dhënë deklaratë në Polici, në hetimin ndaj dosjes së provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, që të martën përfundoi duke rezultuar se Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin në fjalë. Avokati Shala në deklaratën e tij ka treguar se Lumezi e kishte qerasur atë në vitin 1991, pikërisht pse e kishte dhënë këtë provim.

Enver Hasani, pak muaj para se të dënohet për korrupsion, kishte bërë një kërkesë në Arkiv të Shtetit, për të hulumtuar dosjet e kandidatëve që kanë dhënë provimin e jurisprudencës gjatë vitit 1990-1991. Në kërkesën e bërë në prill të këtij viti, Hasani kishte shkruar se është duke hulumtuar për provimin e ish-avokatit të tij Betim Shala.

Por në fakt, i dënuari për korrupsion në UP, duke përdorur emrin e ish-avokatit të tij, në Arkiv kontrolloi dosjen e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Të gjeturat dhe pretendimet e tij, Hasani i publikoi një ditë pasi u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe më pas edhe dy media tjera për disa javë rresht u morën me publikimin e fakteve që gjoja Lumezi ka falsifikuar dosjen e tij.

Por, pretendimeve të ish-klientit të tij, avokati Betim Shala nuk ju ka besuar asnjëherë. Madje për këtë, ai ka dëshmuar edhe në Polici.

Duke mos dashur të komentojë veprimin e Hasanit, që përdori emrin e tij, për t’u qasur në Arkiv të Kosovës, Betim Shala në një bisedë për Gazetën Express rikujton se çka mban mend nga dita kur Aleksandër Lumezi e kishte qerasur në vitin 1991 pasi kishte dhënë provimin e jurisprudencës.

Deklarata e tij për Gazetën Express, është pothuajse e njëjtë nga përmbajtja, nga ajo që Shala e ka dhënë para dy jave në hetuesi, dhe që është e shënuar edhe në arsyetimin e aktvendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për hedhje poshtë të kallëzimit penal të Enver Hasanit për dyshimet për falsifikimin e dosjes së provimit të jurisprudencës.

“Aleksandër Lumezi, në atë kohë ka punuar në gjykatë të Qarkut në Prishtinë, unë në atë kohë në Prokurori të Qarkut në Prishtinë, të cilat kanë qenë në të njëjtën ndërtesë. Edhe gjatë kohës së pauzës, në atë kohë pauza ka qenë prej orës 09:00, të mëngjesit, ka ardhë dhe më ka ftu me dal me të, edhe e ka ftu edhe një koleg tonin, i cili ka qenë praktikant në prokurorinë e qarkut, i nacionalitetit serb. Emri i tij nuk më kujtohet tash”, rrëfen Shala për Gazetën Express, ngjarjen për të cilën nuk jep datë të saktë se kur ka ndodhur, por thotë se është i sigurt që ka qenë periudha prill-maj e vitit 1991.

Ai tregon edhe për arsye interesante që e ka shtyrë ta mbajë mend këtë qerasje.
“Kemi shku në qebaptore ‘Sarajeva’, Aleksandri na ka thanë që po dalim, po ju qerasi se e kom dhanë provimin”, tregon Betim Shala.

“Pse m’ka shty me mbajt mend këtë ngjarje, ka qenë një fakt që për mu më ka pas lënë përshtypje, dhe me siguri qajo ka ndiku që e kom mbajt mend, këtë ngjarje. Masi që porositem krejt, atëherë Leka [Aleksandër Lumezi] tha: Betim pe marrim edhe ka një copë djathë”, rrëfen avokati kosovar.

“Ky ka qenë qaj detaji që m’ka shti me mbajt mend këtë ngjarje”, përsërit ai.

Shala tregon se edhe vetë po atë vit kishte hyrë në riprovim të provimit, dhe se ndonëse nuk është i sigurt në kujtime, mendon se e ka parë Lumezin në provim. Megjithatë, siç ka deklaruar edhe në hetuesi, për qerasjen është i bindur se ka ndodhur dhe e mban mend për shkak të djathit.

“Aleksandër Lumezi në 91-ën e ka dhënë provimin”, ka thënë Betim Shala për Gazetën Express.


Dëshmia e avokatit Betim Shala në hetuesi

Ndryshe, të martën, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar hetimi për dyshimet e ngritura për dosjen e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Hetimi i kryer nga Prokuroria e Themelore e Prishtinës ka pasur me publikimin e dëshmive të plota të cilat hedhin poshtë çdo pretendim të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, të bëra në ditën kur u dënua për korrupsion sa ishte rektor i UP-së, se Lumezi e ka dosjen e manipuluar.

Gjetjet përfundimtare të hetimit zyrtar të kryer nga prokurori Kujtim Munishi, të monitoruara nga një prokuror i huaj i EULEX-it, janë se “dosja e z. Lumezi për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi” dhe se “Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës”.

“(3) gabimet administrative-teknike në regjistrat zyrtarë si dhe mënyrat e atëhershme manuale e jo të përsosura për korrigjimin e tyre, siç ishte përdorimi i llakut të bardhë për korrigjimet në tekst, ishin rezultat i menaxhimit të mangët të regjistrave zyrtarë nga shërbyesit e atëhershëm civilë, që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e librave të provimit të jurisprudencës, dhe këto gabime nuk mund t’iu atribuohen kandidatëve për provim, siç këtë e kanë bërë z. Hasani dhe disa media që i kanë besuar atij”, thuhet në njoftim.

Pak pas njoftimit për aktvendim, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë për Gazetën Express se ende nuk e ka të qartë situatën dhe qëllimet me të cilat, sipas tij, u sulmua ai dhe institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithëkëtë, Lumezi ka treguar se nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do të padisë Enver Hasanin për shpifje, pasi ai tashmë është i dënuar për korrupsion, dhe sipas Kryeprokurorit të gjithë personat e tillë, të akuzuar ose të dënuar, kanë pakënaqësi ndaj institucionit që ai drejton.