LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitë e të huajve për Esat Pashën dhe flamurin e tij “shqiptar”

Dëshmitë e të huajve për Esat Pashën dhe flamurin e tij “shqiptar”

Nga: Marenglen Kasmi

Esat Pashë Toptani vazhdon ende të mbetet një personazh historik me shumë dritëhije. Ndoshta shkaku duhet kërkuar te mania pambarim e shqiptarëve për të revizionuar çdo gjë nga e kaluara si dhe në liberalizimin e tregut të botimeve që, gërshetuar me mungesën e redaktimit shkencor, çon hera-herës në botime jo krejtësisht të sakta në pikëpamje historiografike. Sigurisht që, është normale, madje e domosdoshme, që historia të ritrajtohet në vazhdimësi. Kjo lidhet më së shumti me kërkimet nëpër arkiva vendase e të huaja dhe, për një vend të mbyllur ku ka operuar historiografia shqiptare, është e natyrshme të zbulohen në vazhdimësi dokumente të reja.

Në këtë kuadër, po zbardhim më poshtë disa dokumente dhe botime gjermane, të cilat hedhin sadopak, një dritë më shumë mbi këtë çështje.


Gjatë kërkimit në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë para disa kohësh, në fondin R 130365 ndesha në një zarf letre, i cili kishte brenda tij një shkresë përcjellëse të ambasadës austro-hungareze në Berlin të datës 7 maj 1915, që i drejtohej Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane me tekst: “Ambasada perandorake dhe mbretërore ka nderin t’i dorëzojë Ministrisë së Punëve të Jashtme një notë të Esat Pashës të destinuar për përfaqësuesin perandorak gjerman që ka të bëjë me flamurin kombëtar shqiptar, që i është dorëzuar të ngarkuarit me punë të perandorisë austro-hungareze në Durrës”.

Më tej në zarf gjendej nota e nënshkruar nga Esati, drejtuar përfaqësuesit gjerman në Durrës, i cili ndërkohë ishte larguar nga Shqipëria.

Ndoshta kjo letër është një nga rastet e rralla – në mos hera e parë në dijeninë time – ku botohet një shkresë e nënshkruar nga Esat Toptani. Përmbajtja e shkresës është krejt formale. Ajo daton më 21 prill 1915 dhe është shkruar në Durrës. Esat Pasha i dërgon përfaqësuesit gjerman modelin e flamurit kombëtar shqiptar, gjithmonë sipas variantit të tij. Në fund të saj bie në sy një firmë e pastërvitur dhe e brishtë, çka ndoshta ilustron atë që Ekrem bej Vlora dhe bashkëkohës të tij e thonë, që Esati nuk dinte shkrim e këndim, por mesa duket kishte mësuar të firmoste me germa latine. Po ashtu, në shkresë duket qartë që teksti i saj është shkruar nga një dorë e mësuar. Gjithashtu në të vihet re edhe mania e Esatit për t’i dhënë sa më shumë pushtet vetes, kur nënshkruan si president i përkohshëm i Shqipërisë, komandat suprem dhe gjeneral.

Propozimi i Esat Pashës për modelin e flamurit të Shqipërisë në vitin 1915

Dhe, në fund, modeli i flamurit: një copë e kuqe me përmasa rreth 20 me 30 centimetra, me një yll të bardhë në cepin e poshtëm, djathtas. Bie në sy ngjashmëria me flamurin turk, ku është hequr vetëm gjysmëhëna. Ky fakt mund të ilustrojë lidhjen shpirtërore të Esatit me perandorinë osmane, por po ashtu mund të vlerësohet edhe si një element qetësues për kundërshtarët e tij “dumbabistë”.

Një biografi e pabotuar për Esatin nga Friedrich Wallisch

Shkrimtari austriak Friedrich Wallisch [Fridrih Valish 1890-1969] lindi në Moravi. Ai shërbeu në flotën ushtarake të Austro-Hungarisë dhe në vitin 1914 ndodhej në Shqipëri ku drejtonte sektorin akademik të flotës. Gjatë kësaj kohe ai raportoi për sundimin e shkurtër të Princ Vidit. Pas Luftës së Parë Botërore mbaroi studimet në Austri në degën e mjekësisë, por nuk e ushtroi kurrë profesionin e mjekut. Në pranverë të vitit 1923 ai themeloi në Vjenë një shtëpi botuese dhe në vitin 1929 krijoi një Shoqatë Austriako-Shqiptare (Österreichisch-Albanische Gesellschaft). Ka shkruar disa libra për Shqipërinë dhe Ballkanin.

Biografia e Esat Pashës që po japim më poshtë është shkëputur nga libri i tij “Shteti i ri – Shqipëria”, , botimi II, Stuttgart 1931. Ky libër është rrëfim i një udhëtimi automobilistik që autori ka kryer në Shqipëri në vitet 1930-1931.

“[…] Princit Wilhelm nuk do t’i kishin dalë thinjat as nga një ‘second Schleswig-Holstein’ (siç quhej në Paris me ironi pozita e Shqipërisë e ndarë ndërmjet Austrisë dhe Italisë, njësoj si Schleswig-Holstein ndërmjet Austrisë dhe Prusisë – M.K) dhe as nga kryengritja epirote, nëse në këtë kohë në Shqipëri nuk do të kishte ekzistuar një burrë i çuditshëm, i cili dinte të gatuante çorbën e tij mbi çdo zjarr të rrezikshëm. Ky ishte Esat Pashë Toptani. Jam ende i gëzuar që kam pasur rastin ta njoh personalisht këtë njeri. Jo vetëm sepse më ka mbetur në kujtesë si një personalitet tërheqës (ai dinte të paraqitej edhe si një zotëri simpatik e i ndershëm), por sepse ai ka qenë pa dyshim një nga figurat më interesante e të veçanta të historisë së re.

Gjysma e Esat Pashës ishte ajo e një uzurpatori të madh, me gjithë paturpësinë gjeniale të një komandanti mercenarësh të kohës së Rilindjes. Ndërsa, në gjysmën tjetër të tij, ai ishte një njeri i zgjuar me nuhatjen e një tregtari oriental. Me siguri do t’ia vlejë shumë ndonjëherë, të shkruhet romani i jetës së këtij njeriu.

Le të japim shkurt, shumë shkurt, historinë e jetës së tij: Esati rrjedh nga familja më e fuqishme aristokrate në Shqipërinë e Mesme, Toptanët. U bë oficer i xhandarmërisë turke. Më pas deputet. Hyri në oborrin e Abdyl Hamitit. Bëhet i përkëdheluri i këtij sulltani. Por, intrigon kundër tij. Merret vendimi për të rrëzuar Abdyl Hamitin. Asnjë nuk merr guximin t’i japë atij këtë lajm të padëshiruar. Esati guxon. Ish i përkëdheluri i sulltanit të rrëzuar, fiton nga ky akt një respekt të veçantë te xhonturqit. Dërgohet në Shqipëri si njeriu i tyre i besuar.

Si oficer xhandarmërie i xhonturqve, ai godet me ashpërsi lëvizjet çlirimtare të shqiptarëve të veriut. Që prej kësaj kohe konsiderohet si armiku më i rrezikshëm i lëvizjes çlirimtare shqiptare. Në fillimet e luftës ballkanike ai mbledh një ushtri private dhe i vjen në ndihmë guvernatorit turk të Shkodrës, Hasan Riza Pashës, i cili luftonte kundër ushtrisë malazeze. Gjatë rrethimit, Hasan Rizai vritet në mënyrë të pabesë. Nga kush? Vrasja e tij e çon Esatin në majë të piramidës. Ai bëhet pasardhësi i Hasanit si mbrojtës i qytetit. Bota e shikon Esatin si mbrojtësin e Shkodrës. Papritur, ai u dorëzon armiqve qytetin pa ndonjë arsye të dukshme.

Pasuria e tij rritet. Të afërmit e tij vdesin njëri pas tjetrit në vitet e tyre më të mira. Esati përfiton pasurinë e tyre. Ushtria e tij private – të cilën ai ka arritur në sajë të marrëveshjeve ta nxjerrë nga Shkodra – është aktive, si në luftë edhe në paqe. Ai e përdor atë për të përzënë fshatarët e Shqipërisë së Mesme nga tokat e tyre. Pasuria e tij rritet edhe më shumë. Fuqitë e Mëdha e njohin Shqipërinë si shtet të pavarur. Esati (më parë një shtypës i përgjakshëm i lëvizjeve çlirimtare) papritur shfaqet zjarr e shpuzë për pavarësinë e Shqipërisë. Por, nën mbretin Esati I. Për fat të keq kjo gjë nuk funksionon. Asnjë nuk e dëshiron mbretin Esat. Madje, as familja e tij nuk e dëshiron këtë gjë. Ajo trembet se, gjendja shëndetësore e anëtarëve të tjerë të familjes mund të përkeqësohet edhe më shumë. Plani “mbreti Esat I” do të ruhet për të ardhmen.

Gjithsesi gjërat nuk ecin kaq shpejt. Fuqitë e Mëdha zgjedhin me të drejtë Wiedin për princ. Kandidati i kurorës, Esati, brenda njëzet e katër orësh shndërrohet në shërbëtorin më besnik të sundimtarit të tij. Ai shkon në Neuwied, si edhe në Vjenë e Romë në krye të delegacionit shqiptar. Dekorohet në Austri dhe Itali me medaljen e Kryqit të Madh. I jep besën princit Wilhelm se do ta mbështesë atë me gjithë ndikimin dhe fuqinë e tij deri në frymën e fundit. Premtim i çuditshëm i një vasali. Në këto fjalë bese vërehen ngjyra kërcënimi, apo jo? Bëhet krahu i djathtë i princit. Lejon t’i delegohet një tjetër personi posti i kryeministrit dhe vetë kënaqet me postin e Ministrit të Luftës, Ministrit të Brendshëm dhe Gjeneralismit. Kësisoj ai ka në dorë gjithë fuqinë civile dhe ushtarake.

Ushtria e tij private vazhdoi të ishte aktive. Nëse dëshiron të tregohesh i sjellshëm, këto banda mund t’i quash gardistë të Esatit. Madje, persona tejet të sjellshëm i quajnë ata xhandarët e Ministrit të Luftës. Sa herë xhandarët e vërtetë, ata të qeverisë së princit, kërkojnë të shkojnë në vendrojat e tyre në brendësi të vendit, përfshihen çdo herë në luftime me njerëzit e Esatit. Betejat zgjasin aq kohë sa trupat e qeverisë marrin nga Durrësi urdhrin që të shmangin luftimet me xhandarët e Ministrit të Luftës! Kësi gjërash ndodhin në këto kohë paqësore në një vend evropian të shekullit XX.

Që një figurë si Esati nuk mund të kishte ekzistuar në Shqipëri para 20 vjetësh, vërteton atë që unë dua të vërtetoj: Aty (në Shqipëri – M.K) mesjeta sapo ka perënduar tanimë, në shekullin e njëzetë. Ky vend ka kapërcyer brenda natës në kohën moderne.

Vazhdojmë më tej me Esat Pashën: Fuqitë e Mëdha nuk dëshironin Esatin I, por Wilhelmin I. Në rregull, atyre duhet t’u tregohet se nuk kishin të drejtë. Esati bën një rezistencë pasive kundër epirotëve pro grekë. Meqenëse kundër kryengritësve nuk mund të mbarohet punë në rrugë luftarake, nënkoloneli holandez Thomson, si përfaqësues i shqiptarëve, kërkon të mbyllë luftën pa gjak duke bërë lëshime të vogla. Ai negocion me Zogarfin, drejtuesin e epirotëve. Esati urdhëron menjëherë kthimin e holandezit nga Epiri. Njerëzit e Esatit i ofrojnë marrëveshje joshëse qeverive në Romë, Athinë dhe Beograd.

Por, e gjitha kjo histori po zgjaste shumë për Esatin. Një ditë të bukur ushtrinë e tij private marshoi në drejtim të Durrësit, me qëllim që të bënte të padëmshëm Princin, athua se ky nuk kishte boll probleme. Kjo do të thotë, Esati e organizoi me zgjuarsi këtë gjë. Vetë qëndroi në Durrës – athua se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë po ndodhte dhe prej aty urdhëroi ushtrinë e tij private të sulmonte qytetin. Ministër i Brendshëm dhe Ministër Lufte i çuditshëm, i cili nuk di asgjë. Holandezët nën drejtimin e majorit Sluys ndihmuan në thyerjen e sulmit. Nuk përbënte më sekret që ekselenca e tij, Ministri i Luftës ishte organizatori i sulmit. Kësisoj ai duhej të largohej për në Itali, ku rrugët për të ishin të hapura. Në mesin e muajit qershor u zhvilluan beteja të reja në rrethinat e Durrësit. Koloneli Thomson, një njeri i çmuar dhe i zoti ra në luftime. Gjendja e Wilhelmit bëhej gjithnjë e më e vështirë. Vullnetarë austriakë u ofruan në shërbim të tij. Në Vjenë u rekrutua një legjion shqiptar.

Por, pastaj në Vjenë kishin të tjera probleme. Erdhi lufta. Wilhelmi humbi gjysmën e austriakëve, gjermanëve dhe holandezëve. Pasi ai kishte hipur njëherë në bordin e një anijeje, me qëllim që të mos të shndërrohej si të thuash në një pasardhës të Maksimilianit të Meksikës, atij i duhej të largohej më 5 shtator 1914 përfundimisht nga Shqipëria.

Duket se Esatit iu hap rruga që me ndihmë të Antantës të realizonte dëshirën e tij të hershme. Ai tanimë ishte regjent në Durrës. Por, helli, që ai e kishte përdredhur kaq shumë, tashmë po rrotullohej kundër tij. Armiqtë e tij shqiptarë marshuan drejt qytetit. Ndër vite ai kishte bërë plot armiq. Më pas erdhën austriakët dhe gjermanët, të cilët kishin me të ende një llogari të hapur. Esati duhej të largohej përsëri. Ai ishte kujdesur prej kohësh të hapte llogari me shuma të majme në banka të mëdha europiane. Ai u shpërngul në Paris dhe vazhdoi të thurte intrigat e tij si gjatë kohës së luftës edhe pas saj. Ai ishte duke përgatitur terrenin për t’u “vëllazëruar” me Jugosllavinë, derisa në një ditë qershori të vitit 1920, iu mor jeta plot stil. U qëllua për vdekje në Paris nga një patriot shqiptar. Do të kishte qenë tepër absurde nëse Esat Pasha do të kishte pasur një vdekje natyrale […]”.

Mysafir në shtëpinë e Esat Pashës

Vila e Esat Pashës në Durrës

Në zbatim të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit duhej të përgatiste kushtet e ardhjes së princ Wiedit në Shqipëri. Ndërkohë që Ismail Qemali u shpreh i gatshëm të japë dorëheqjen si kryetar i qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani ende nuk ishte bindur të hiqte dorë nga sundimi i tij në Shqipërinë e Mesme dhe t’i hapte kësisoj rrugën ardhjes së princ Wied-it në Shqipëri. Në këtë kuadër, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit vendosi të dërgonte tek Esati në Durrës dy përfaqësues, për të biseduar e për ta bindur atë të jepte dorëheqjen. Këta ishin konsulli i përgjithshëm britanik Lamb dhe përfaqësuesi gjerman në KNK, Sekretari i Dytë në shërbimin diplomatik Rudolf Nadolny.

Shtëpia e Esat Pashës në Tiranë

Në kujtimet e botuara të Rudolf Nadolyt në Köln në vitin 1985, ai e përshkruan takimin me Esatin si më poshtë:

“[…] Komisioni i Kontrollit vendosi të largonte nga posti si Ismail Qemal Beun ashtu edhe Esat Pashën dhe të ftonte për të ardhur në Shqipëri Wilhelm Wiedin, i cili ndërkohë ishte shprehur dakord të hipte në fronin shqiptar. Ismail Qemal Beu ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen. Ai u shpreh menjëherë i gatshëm me kusht që, edhe Esat Pasha të jepte dorëheqjen. Kjo ishte më e vështirë, sepse Esati sundonte si “Shef i Ekzekutivit të Senatit për Shqipërinë e Mesme” dhe as që i shkonte ndërmend një gjë e tillë. Kësisoj, u mor vendimi që, konsulli i përgjithshëm britanik Lamb dhe unë të hipnim në bordin e kryqëzorit austriak “Pantera” dhe të udhëtonim për në Durrës për të negociuar me të.

U nisëm të dy në një mbrëmje me kryqëzorin dhe, herët në mëngjes hodhëm spirancën në gjirin e Durrësit, përballë kodrës ku ishte shtëpia e Esat Pashës. Rreth orës 09.00, të shoqëruar nga dy marinarë morëm të përpjetën për në shtëpinë e sundimtarit.

Bisedimet rezultuan shumë të vështira. Esati nuk binte dakord të jepte dorëheqjen. Ai pinte duhan dhe ndërkohë kishte mbaruar dy paketa. Ra qetësia, sepse asnjë nuk dinte më çfarë të thoshte. Esati hodhi vështrimin nga dritarja dhe pyeti përse kryqëzori nuk ishte afruar më pranë bregut. I thashë se kryqëzori nuk është aspak larg, por vetëm 2500 metra prej shtëpisë. Ai më pyeti se nga e dija me kaq saktësi. Iu përgjigja se, këtë gjë ma kishte thënë oficeri i artilerisë, kur po përgatiste topat. Esati u zverdh në fytyrë dhe bisedimet filluan nga e para. Brenda një kohe relativisht të shkurtër ramë dakord. Esati do të jepte dorëheqjen me kusht që të ishte në krye të delegacionit që do të shkonte për të marrë princin në Gjermani. Nënshkruam marrëveshjen me shkrim dhe i telegrafuam Komisionit të Kontrollit që mund të vinin. Lamb-i u kthye në Vlorë. Ndërsa unë pranova ftesën e Esat Pashës për ta shoqëruar atë në vendlindjen e tij, Tiranë.

Mëngjesin tjetër u nisëm. Ishin 36 km dhe vërehej qartë se sa i begatë dhe i lënë pas dore ishte ky vend. Rreth drekës mbërritën në Tiranë. Ishte një qytet i vjetër me pemë të lashta bliri dhe me vilën me veshje druri të Esat Pashës, të pikturuar plot shije artistike.

Dreka ishte shumë festive, por mua nuk më shijoi. Ajo përbehej nga 15 gatime të ndryshme – të gjitha me mish qengji. Kulmi u arrit me kokat e pjekura të qengjit. Kisha zënë vend në të djathtë të Esatit dhe ai më vuri personalisht një kokë qengji në pjatë. Qengji më vështronte me sytë e fikur dhe mua mu rrotullua stomaku. Thashë se nuk mund ta haja këtë gjë, sepse nuk isha i mësuar me zakonet e vendit. Prandaj, Esati duhej ta hante për mua kokën e qengjit. Esatit i erdhi shumë keq, por e mori kokën e qengjit dhe e hëngri me të vërtetë, pasi kullufiti fillimisht kokën që kishte në pjatën e tij. Fillimisht hëngri sytë. Ishte e tmerrshme të shikoje këtë gjë. Unë hëngra vetëm bukë dhe fruta, pasi kisha shtyrë me zor një pjatë me supë, të cilën për pak sa nuk e nxora. Shqiptarët nuk ngopeshin së ngrëni dhe as u shkonte ndër mend të pushonin. Pas drekës bëmë një shëtitje të shkurtër në qytet dhe pastaj erdhi darka, që ishte e ngjashme me vaktin e drekës. Mu shpif edhe më shumë. Natën e kalova po aty. Lavamani i dhomës time ishte një konstrukt primitiv prej druri, por me legenë elegantë argjendi dhe me një gjym uji po kaq të përkryer. Shtrati ishte krejt i thjeshtë dhe prej druri, por jastëku dhe çarçafët ishin qëndisur me fije ari dhe mëngjesin tjetër e kisha të pikturuar në trup gjithë modelin. Mëngjesin tjetër u nisa për në Durrës në një gjendje të mjerueshme. Me të mbërritur rashë në shtrat i sëmurë për vdekje. Në mbrëmje u zvarrita në restorant dhe porosita spinaq me vezë, por për hir të zotit, vezën duhej ta skuqnin me gjalpë dhe jo me dhjamë qengji. Më servirën vërtet spinaq me vezë. Veza ishte skuqur me gjalpë, ndërsa spinaqi ishte përgatitur me dhjamë qengji – çka mua sigurisht që më sëmuri prapë […]”.

Në trend Kultura

Më shumë
Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

A mundet roboti të rikrijojë atmosferën e kryeveprës së Leonardo da Vincit?

A mundet roboti të rikrijojë atmosferën e kryeveprës së Leonardo da Vincit?

Who is Who

Who is Who

Ku guri bëhet akoma më i gurtë

Ku guri bëhet akoma më i gurtë

KËNGË

KËNGË

Poezi
Reportazh nga rajoni i Vlorës

Reportazh nga rajoni i Vlorës

Kalo në kategori