ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Pavle Grboviq, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj të fundit lidhur me "spastrimin etnik" dhe "deportimin" e shqiptarëve të Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Grboviq tha se zhvendosja ose transferimi i detyruar i popullsisë përbën krim lufte dhe krim kundër popullatës civile, duke theksuar se sqarimi i ministres vetëm sa e rëndon edhe më shumë pozicionin e saj.


Sipas tij, deklaratat e Paunoviqit konfirmojnë natyrën kriminale të politikës që ajo mbështet, edhe pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, u distancuan nga deklarata e saj fillestare.

"Me këtë shpjegim, ministrja e konfirmoi natyrën kriminale të politikës që mbështet, edhe pasi presidenti Vuçiq dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, u distancuan nga deklarata e saj. Ministrja duhet të shkarkohet që nesër. Nëse kryeministri nuk ka forcën politike për ta bërë këtë, atëherë ai vetë duhet të japë dorëheqje", ka deklaruar Grboviq.

Ai paralajmëroi se, nëse as shkarkimi i ministres dhe as dorëheqja e kryeministrit nuk ndodhin, atëherë do të jetë e qartë se e gjithë pushteti ekzekutiv në Serbi ndan të njëjtat qëndrime si Paunoviq.

"Nëse asnjëra prej këtyre nuk ndodh, atëherë është e qartë se e gjithë pushteti ekzekutiv ndan të njëjtat qëndrime kriminale si ministrja Paunoviq", u shpreh deputeti serb.

Paunoviq ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, Serbi dhe ndërkombëtarisht pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën" në vitin 1998. Më pas, ajo u përpoq ta zbusë deklaratën, duke thënë se kishte dashur të përdorte termin "deportim" dhe jo "spastrim etnik".