LAJMI I FUNDIT:

Deputetët me dilema rreth shtesave për fëmijë, Komision për harmonizimin e qëndrimeve

Deputetët me dilema rreth shtesave për fëmijë, Komision për harmonizimin e qëndrimeve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar sot në Kuvend lidhur me shtesat e fëmijëve.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, si propozuese e Rezolutës në lidhje me shtesat e fëmijëve tha se për shkak të harmonizimit të qëndrimeve rreth shtesave për fëmijë ka nevojë për koordinim shtesë të Grupeve parlamentare lidhur me këtë.


Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se e mbështesin idenë që t’i ndahen shtesa fëmijëve, por brenda atij buxheti duhet të kategorizohen fëmijët.

“Është pak problematike në kontestin e situatës në Kosovë  që fëmija i një familje që jeton me ndihmë sociale, pra në varfëri, të marrë shumën e njëjtë si fëmija i një milioneri“, ka thënë ai.

Por, shefi i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se shtesat për fëmijë i dedikohen të gjithë fëmijëve pa marrë parasysh a kanë apo nuk kanë.

“Nëse e quajmë shtesa për fëmijë, ne të gjithë kemi qenë fëmijë dhe e dimë që prindërit tonë kanë marrë shtesa për fëmijë dhe pa dallime a ka qenë i punësuar në punë të shtetit apo në punë private, shtesat për fëmijë kanë qenë të rregulluara me ligj“, tha ai.

Ndryshe, në fund deputetët u pajtuan që të krijohet një Komision për të harmonizuar qëndrimet e Grupeve parlamentare.