Departamenti i Drejtësisë ngriti të martën akuza të reja penale kundër James Comey, ish-drejtorit të FBI-së.

Comey u akuzua në gjykatën federale në distriktin lindor të Karolinës së Veriut për një fotografi që ai postoi në Instagram gjatë pushimeve vitin e kaluar, në të cilën guaska deti ishin rregulluar për të shkruar "86 47", transmeton Telegrafi.


Postimi u mor si kërcënim për Donald Trump. Numri 86 mund të përdoret si shkurtim për të hequr qafe diçka, dhe Trump është presidenti i 47-të.

Comey më pas e fshiu postimin dhe kërkoi falje, duke thënë se nuk e dinte që numrat ishin të lidhur me dhunën.

"Nuk më shkoi kurrë ndërmend, por unë kundërshtoj dhunën e çdo lloji, kështu që e hoqa postimin", shkroi ai në Instagram.

Aktakuza, e bërë publike të martën, thotë se një person i arsyeshëm "do ta interpretonte si një shprehje serioze të qëllimit për t'i bërë dëm presidentit të Shteteve të Bashkuara".

Comey u akuzua për dy krime - bërjen e një kërcënimi kundër presidentit dhe transmetimin e atij kërcënimi, nëpërmjet mediave sociale, përtej kufijve shtetërorë.

Të dyja akuzat janë të dënueshme me gjobë dhe një dënim me burg deri në pesë vjet.

“Mendoj se është e drejtë të thuhet se kërcënimi i jetës së kujtdo është i rrezikshëm dhe potencialisht një krim. Kërcënimi i jetës së presidentit të Shteteve të Bashkuara nuk do të tolerohet kurrë nga Departamenti i Drejtësisë”, tha Todd Blanche, prokurori i përgjithshëm në detyrë, në një konferencë për shtyp të martën.

Blanche nuk pranoi të komentonte se si departamenti i drejtësisë do të provonte se Comey kishte qëllim të dëmtonte Trumpin, duke thënë se kjo do të ishte e parakohshme.

“Comey i mohon me forcë akuzat e përfshira në padinë e ngritur në distriktin lindor të Karolinës së Veriut”, tha avokati i Comey, Patrick Fitzgerald, në një përgjigje ndaj akuzave.

“Ne do t’i kundërshtojmë këto akuza në sallën e gjyqit dhe mezi presim të shfajësojmë Comey dhe amendamentin e parë”, shtoi ai. /Telegrafi/