Departamenti i Arsimit drejt shuarjes - Administrata Trump largon nga puna gati gjysmën e punëtorëve

Departamenti amerikan i Arsimit ka në plan të pushojë mbi 1300 punonjës, duke e përgjysmuar numrin e personelit në kuadër të strategjive të presidentit, Donald Trump për të eliminuar agjencinë. Ky hap është pjesë e një reforme të gjerë që ka si qëllim kufizimin e ndikimit të qeverisë federale dhe kalimin e më shumë përgjegjësive tek shtetet.
Pas këtyre pushimeve të paralajmëruara, numri i punonjësve që do të mbeten aktivë në departament pritet të jetë rreth 1300, një numër që është afërsisht sa gjysma e punonjësve të mëparshëm, që aktualisht janë 4100.
Ky ndryshim drastik synon të sjellë kursime të konsiderueshme në buxhetin federal, por ka shkaktuar shqetësime në lidhje me mundësinë e një ndikimi negativ në eficiencën e departamentit dhe shërbimet që ofrohen për qytetarët.
Sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, e cila është konfirmuar në këtë pozicion nga Senati disa ditë më parë, ka theksuar se një nga prioritetet e saj kryesore është të pakësojë burokracinë e panevojshme dhe të sigurojë që fondet federale të shpërndahen në mënyrë më të drejtpërdrejtë për shtetet dhe institucionet arsimore.
Ajo ka deklaruar se shumë nga programet e suksesshme të arsimit duhet të administrohen nga shtetet, duke u dhënë mundësi atyre të përshtatin politikat sipas nevojave specifike të komunitetit.
Në një intervistë të zhvilluar për rrjetin Fox News, McMahon tha se është e nevojshme të reduktohen shpenzimet e qeverisë dhe të fuqizohen shtetet për të menaxhuar më mirë sfidat e arsimit.
Ajo theksoi se do të sigurohet që shpenzimet për arsimin të shkojnë aty ku janë më të nevojshme, duke i mundësuar shteteve të krijojnë dhe zbatojnë politika të personalizuara që i përshtaten kërkesave të secilës zonë.
Një ditë pas konfirmimit të saj nga Senati, më 3 mars, Sekretarja McMahon dërgoi një mesazh të qartë për Departamentin e Arsimit, duke paralajmëruar se shkurtime të mëdha do të realizoheshin në ditët në vijim.
Ajo u kërkoi punonjësve të përgatiten për ndryshimet që priten dhe u theksua se ky proces do të jetë një pjesë e domosdoshme e reformave që synojnë të rrisin efektivitetin e departamentit, por me një fokus të theksuar në decentralizimin e kontrollit dhe shpërndarjen e burimeve. /Telegrafi/


































