LAJMI I FUNDIT:

Dendias për memorandumet me RMV-në: Çdo qeveri vlerëson atë që është në interesin e saj

Dendias për memorandumet me RMV-në: Çdo qeveri vlerëson atë që është në interesin e saj

Siç njoftojnë nga AIM, lidhur me tre memorandumet me Maqedoninë e Veriut, të cilat ende nuk janë ratifikuar në Parlamentin grek, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, në një intervistë për portalin grek “In” u shpreh se çdo qeveri vlerëson se çfarë është në interesin e saj.

“Çdo qeveri vlerëson gjithmonë se cili është interesi kombëtar dhe cilat karta negociatash duhet të mbajë në dorë. Pra, mendoj se qeveria e re greke që do të dalë pas zgjedhjeve, për të cilën shpresoj dhe shpreh sigurinë se do të jemi ne, do ta shqyrtojë çështjen dhe do të shohë se çfarë është në interesin e Greqisë”, tha Dendias.


I pyetur nëse do të merrte përsipër që pas zgjedhjeve të votohen memorandumet, ai tregon se kjo nuk është në kompetencën e tij.

“Nëse them po kjo nuk do të ishte e rëndësishme për shkak se nëse ka premtim, kjo duhet të vijë nga kreu i partisë dhe kryeministri aktual dhe i ardhshëm. Unë jam ministër, nuk jam kryeministër”, deklaroi Dendias./Telegrafi/