LAJMI I FUNDIT:

Për 45 mijë euro hua, ia pagoi të akuzuarit mbi 26 mijë euro fajde

Për 45 mijë euro hua, ia pagoi të akuzuarit mbi 26 mijë euro fajde
Foto: Ilustrim

Pejë- I dëmtuari Rifat Jasiq ka thënë se të akuzuarit Artan Gjocaj, ia kishte paguar 26 mijë e 600 euro fajde për 45 mijë euro hua, të cilën hua e kishte marrë nga i akuzuari, por ky i fundit mohoi se paratë ia kishte dhënë me fajde të dëmtuarit.

Këto deklarime u bënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, para trupit të ri gjykues, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për prishjen e aktgjykimit lirues ndaj Gjocajt.


I dëmtuari Jasiq sqaroi se të akuzuarin Gjocaj e njihte me emrin Ramë Mushkolaj dhe me të njëjtin kishte arritur marrëveshje me shkrim që i akuzuari Gjocaj t’ia jepte hua shumën prej 45 mijë euro.

Këtë shumë, i dëmtuari tha se e kishte kërkuar nga i akuzuari që të investonte në restorantin e tij dhe të paguante fajdet që kishte marrë nga fajdexhinjtë tjerë.

“E kam thirrë për me i lypë para sepse desha të rregulloj një restorant dhe kam pas marrë para me fajde bukur shumë. Ai më është përgjigjur se kam dhe ia kam marrë 45 mijë euro”, tha Jasiq.

Për shumën hua të 45 mijë eurove, i dëmtuari Jasiq shpjegoi se të akuzuarit Gjocaj ia kishte paguar secilin muaj shumën prej 1 mijë e 900 euro fajde.

“Më ka thënë se po t’i dha 45 mijë euro, por nëse m’i kthen brenda 2 ose 3 muajve nuk t’lypi kurrgjë. Unë s’kam mundur me ia kthy brenda afatit, por i kam mbajt afër 18 apo 22 muaj dhe kam pagu 1 mijë e 900 euro në muaj fajde apo 26 mijë e 600 euro fajde”, tha i dëmtuari.

Ai shtoi se fajden e kishte paguar rregullisht dhe për secilin muaj në fletoren e tij kishte shkruar shumën e dhënë në emër të fajdes dhe datat kur i akuzuari kishte ardhë për t’ia marrë fajden.

Kurse, për marrëveshjen me shkrim për huanë prej 45 mijë euro, i dëmtuari shpjegoi se një pjesë të saj e kishte shqyer pasi të akuzuarit ia kishte paguar huanë dhe fajde dhe pasi i njëjti kishte refuzuar t’i jepte hua tjetër në shumën prej 150 mijë euro.

“Pasi ia kam dhënë huanë me fajde, kam bërë konstatimin dhe evidencën se kujt dhe sa i kam paguar fajde. Fletën në fletore e kam shkuar dhe e kam bërë konstatimin në faqen tjetër”, tha Jasiq.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gjocaj, avokati Gëzim Kollçaku tha se i dëmtuari e kishte shqyer pjesën e marrëveshjes me shkrim ku shihej se i akuzuari nuk kishte dhënë huanë me kamatë.

Avokati Kollçaku kërkoi të dinte nga i dëmtuari se cili kishte qenë qëllimi që e kishte shqyer marrëveshjen me shkrim e cila sipas avokatit, nuk përmbante fajde-kamatë.

“Qëllimi ka qenë sepse kur ia kam kthyer borxhin Ramës në shtëpinë e tij, atëherë unë kam shkuar pas, unë e kam kryer obligimin ndaj tij”, shtoi Jasiq.

I dëmtuari sqaroi se gjendja e tij ekonomike gjatë vitit 2015 dhe 2016 nuk kishte qenë e mirë dhe për këtë arsye kishte marrë para me fajde, mirëpo në prokurori, sipas avokatit, i dëmtuari kishte deklaruar se gjendja ekonomike e tij ishte normale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me kundërthënien mes deklarimeve, i dëmtuari sqaroi se gjendja e tij ishte përkeqësuar kur ia kishte paguar huanë dhe fajden të akuzuarit Gjocaj.

I dëmtuari, po ashtu u ballafaqua me pyetjet e të akuzuarit Gjocaj, i cili e pyeti nëse ai (i akuzuari) kishte qenë prezent, kur i dëmtuari kishte shënuar në fletoren e tij evidencën për fajde.

“Jo, s’ke qenë”, tha i dëmtuari, ndërsa shtoi se i akuzuari asnjëherë nuk e kishte kërcënuar për këtë rast.

Seanca e radhës u caktua më 7 shkurt 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj të vitit 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.

Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsiderur si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të gjykuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit.

I pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro.

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori