LAJMI I FUNDIT:

Delawie: Gjykata Speciale do të akuzojë individë, e jo grupe etnike apo organizata (Intervista e plotë)

Delawie: Gjykata Speciale do të akuzojë individë, e jo grupe etnike apo organizata (Intervista e plotë)

Ambasadori amerikan, Greg Delawie në një intervistë dhënë mbrëmë për RTV Dukagjinin ka thënë se viti 2018 duhet të jetë vit i suksesit në dialog, të ecet para në raportet Kosovë-Serbi si dhe të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Ambasadori Delawie në këtë intervistë ka folur për shumë çështje, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale.


Ambasadori tha se është me rëndësi të kuptohet se Gjykata do të gjykojë individë të akuzuar për krime dhe jo grupe etnike apo anëtarë të organizatave e ngjashëm.

Lexoni të plotë intervistën e ambasadorit Delawie.

TV Dukagjini: Z. Ambasador, faleminderit që keni ardhur në studion tonë. Është kënaqësi e madhe t’ju kemi në këtë studio për herë të parë. Pra, ka mundësi të jepen disa porosi të mira gjatë kësaj interviste.

Delawie: Më vjen jashtëzakonisht mirë që jam këtu, Arben. E çmoj shumë ftesën dhe më vjen mirë që mund të ndihmoj për ta përuruar studion e re me këmbë të mbarë.

TV Dukagjini: Do t’ia fillojmë me dialogun. Ka shumë plane dhe edhe shumë porosi diplomatike për një raund të ri e të fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çka po ndodh? A ka ndonjë plan konkret për këtë?

Delawie: Mendoj se po ndodhin gjëra që janë pozitive lidhur me dialogun. Është me rëndësi që të dy anët t’i përmbushin obligimet që tashmë i kanë ndërmarrë. Sigurisht që Kosova ka ndihmuar me këtë duke filluar hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme që 2018-a të jetë viti i suksesit në dialog: që disi të ecet përpara në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet përparim. Për ta arritur këtë, mendoj se të gjithë duhet të mendojnë me shumë kreativitet dhe të përqendrohen në marrëveshjen përfundimtare. Çka do të ndodhë në fund? Çka do të thotë normalizim?

TV Dukagjini: Po thoni 2018. Do të thotë këtë vit, jo vitin e ardhshëm?

Delawie: Po shpresoj këtë vit, absolutisht.

TV Dukagjini: Pra, raundi i fundit i dialogut duhet të fillojë këtë vit? Sepse njerëzit këtu, opinioni këtu me siguri po presin për vitin e ardhshëm.

Delawie: Mund të them se s’ka kohë më të mirë se tani.

TV Dukagjini: Cila do të ishte porosia juaj për partitë politike në Kosovë, për opozitën e hisedarët kryesisht? Gjatë këtyre raundeve të fundit, nuk kemi aq përvojë të mirë të bashkëpunimit me opozitën për çështjen e dialogut me Serbinë. A pritni që ata të bashkëpunojnë dhe të jenë në tavolinë këtë herë?

Delawie: Mendoj se gjatë një muaji e ca i kemi parë partitë politike duke folur me njëra-tjetrën në tryezat e rrumbullakëta të sponsorizuara nga organizata e njerëz të ndryshëm, si dhe nga vetë partitë. Mendoj se kjo është shumë pozitive në përgjithësi për situatën politike të Kosovës. Sa i përket pikërisht dialogut me Serbinë, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që partitë të flasin se çka do të thotë krejt kjo. Si do të duken marrëdhëniet e ardhshme me Serbinë? A mund të pajtohen të gjithë për çdo gjë? Jo. Shpresoj po, por me siguri jo. Por duhet të flasin për këtë gjë dhe shpresoj që njerëzit do të bashkohen rreth një ideje se çka duhet të fitojë Kosova nga kjo; çka duhet të fitojë Serbia nga kjo? Cili do të jetë epilogu?

Nuk ka alternativë tjetër veç dialogut. Nuk mund t’i zgjedhësh fqinjët! Prandaj, një lloj akomodimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë thelbësor për të dy vendet. Dëshiroj të them se përmes dialogut janë arritur gjëra të rëndësishme në të kaluarën: policia në veri, çështja e dokumenteve, e transportit… por, me të vërtetë ka ardhur koha për tu përqendruar në atë se çka do të ndodhë tani. Cila do të jetë marrëveshja e fundit dhe tani përfundimisht është koha për tu përqendruar në atë gjë.

TV Dukagjini: Sa gjatë mund të vijojë ky dialog, të themi për përkufizimin e kësaj marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? A duhet ky dialog të ndërhyjë në çështjet si shkëmbimi i territoreve apo në çështjet tjera rajonale? Ka pasur shumë diskutime edhe për këtë. A është kjo ide që mund të diskutohet në dialog?

Delawie: Mendoj se kjo ideja e shkëmbimit të territorit del në pah sepse njerëzit nuk dinë çka tjetër të mendojnë për këtë çështje. Mendoj se ajo ide e bllokon të menduarit kreativ që palët nga të dy anët do të duhet të mendojnë se si të arrijnë te një zgjidhje përfundimtare. Ne nuk mbështesim shkëmbim të tokës ose ide që vërtetë do të krijonin më shumë probleme se sa që do të zgjidhnin. Çka shpresojmë është që të gjithë të bëhen kreativë; të hyjnë në këto diskutime me vullnet të mirë dhe që të thonë: “Shikoni, çka do të arrijmë për vendet tona” – qoftë Kosova apo Serbia – “që do t’ua përmirësojë jetën e njerëzve tanë?” Ky është thelbi i tërë kësaj.

TV Dukagjini: Në fakt, pas marrëveshjes për asociacionin ekziston gjithë ky skepticizëm për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ka frikë – duke marrë parasysh shembullin e Bosnjës – ekziston frika se Kosova nuk do të jetë funksionale nëse ka mekanizma të caktuar të qeverisjes këtu.

Delawie: Dimë gjithçka për sfidat me të cilat përballet Bosnja dhe Hercegovina. Mendoj se partnerët tanë evropianë po ashtu i dinë ato. Mendoj se nuk kemi asnjë interes për të kontribuar në një situatë të tillë që do të shkaktonte probleme të ngjashme këtu. Pra, është njëmend me rëndësi që njerëzit të jenë kreativë. E kuptoj se ka një lloj pasigurie për idenë për Asociacionin; çka nënkupton ajo për të gjithë, por unë mendoj se është faktor për stabilitet. Ka të bëjë me atë se si vetë qytetarët e Kosovës do të kishin qasje më të mirë në shërbime esenciale si kujdesi shëndetësor dhe arsimimi ku gjuha është aq e rëndësishme. Nuk e shoh si kërcënim për Kosovën. E shoh si mënyrë për shtimin e stabilitetit, për rritjen e mirëkuptimit dhe të vullnetit të mirë në një zonë ku ka munguar kohëve të fundit.

TV Dukagjini: A prisni më shumë intensitet në procesin e dialogut krahasuar me proceset e tjera teknike e politike që i kemi pasur? Sepse të dy proceset që i kemi pasur më parë me Serbinë kanë marrë kohë mjaft të gjatë.

Delawie: Për të qenë i qartë, më lejoni t’i ndaj dy çështjet sa i përket hartimit të statutit të asociacionit dhe vetë dialogut në përgjithësi. Sa i përket hartimit të asociacionit, u desh mjaft kohë derisa ia filloi, por tash po vazhdon. Sigurisht shpresoj që komisioni për hartim, i cili quhet ekipi menaxhues, do të shqyrtojë mënyra për t’ua përmirësuar jetën e të gjithëve këtu, si dhe të jetë pozitivë dhe shpresoj që qeveria, kur të jetë radha e saj, të shqyrtojë draftin e paraqitur nga ekipi dhe që të gjejnë mënyrë për të arritur pajtim për të gjitha.

Sa i përket dialogut në përgjithësi, mendoj se ka ardhur koha për punë më intensive, më intensive se që e kemi parë në 2-3 vitet e fundit sepse siç e thashë edhe më herët 2018-a është koha për të arritur ujdi.

TV Dukagjini: Janë bërë dhjetë vjet prej shpalljes së pavarësisë e vitin e ardhshëm bëhen 20 vjet pas luftës në Kosovë. A është ky afati kohor? A është ky afati i fundit kohor për të arritur marrëveshje?

Delawie: Negociatorët përpiqen t’iu shmangen afateve të fundit kohore sepse mund të jenë të rrezikshëm. Por, për dhjetë vjet, mendoj se për një shtet dhjetëvjeçar, Kosova po ia del mjaft mirë. Absolutisht. Shikojeni vitin 2017 – kur u mbajtën zgjedhjet. U mbajtën zgjedhjet qendrore e lokale. Veçanërisht në komunitetet me shumicë, ato u mbajtën po aq mirë sa zgjedhjet në çfarëdo shteti të Evropës Perëndimore e në SHBA. Gjysma e shteteve të botës do të kërcenin nga gëzimi nëse do të mbanin zgjedhje po aq të mira siç i kishte Kosova vitin e shkuar. Kjo paraqet rritje të njëmendtë në demokraci në Kosovë dhe në legjitimitetin demokratik. Keni – e dini se gjysma e popullit në Kosovë është nën moshën 25 vjeçare. Keni gjithë ata të ri të talentuar duke punuar në TIK, në ndërmarrësi, sport. Kosova mund të krenohet me shumëçka.

E tash, çka duhet të bëhet është që politikanët, të punësuarit tuaj, t’ua demonstrojnë kosovarëve se po punojnë për ta dhe që shqetësimi i tyre i parë është shteti i Kosovës dhe populli i Kosovës. Mendoj se duhet të punohet më shumë për këtë, por për një shtet dhjetëvjeçar, Kosova po ia del mjaft mirë.

TV Dukagjini: Meqenëse po përmendet dhjetëvjetori i shtetësisë, cili është vlerësimi juaj për aftësinë e Kosovës për të qeverisur?

Delawie: Qeverisja e mirë ka të bëjë me marrjen e vendimeve për të mirën e komunitetit, për shtetin dhe për njerëzit e Kosovës. Në këtë mendoj se sfida më e madhe është sundimi i ligjit. Është shumë me rëndësi që politikanët kosovarë, qofshin deputetë, në qeveri apo shërbyes civilë, të ri-zotohen duke thënë: unë punoj për Kosovën, për popullin e Kosovës e nuk po punoj për kushëririn tim apo për nipin e mbesës time apo të ngjashme. Po punoj për popullin e Kosovës.

E në këtë fushë mund të bëhet punë e rëndësishme madje edhe tani. Është një pako e katër ligjeve që ka kaluar në leximin e parë në Kuvend dhe tash pritet të dalë në leximin e dytë e që merren me llogaridhënien, drejtësinë dhe integritetin e sektorit të gjyqësorit. Sigurisht që do t’ua kërkoj të gjithë deputetëve që t’i shqyrtojnë këto ligje me shumë kujdes me idenë për t’i miratuar ato për të përmirësuar llogaridhënien në sektorin e gjyqësorit në Kosovë. Një arsye tjetër pse viti 2018 është kaq i rëndësishëm ëshët sepse tani që marrëveshja për shënimin e kufirit ka kaluar, BE-ja do ta vëzhgojë sundimin e ligjit në Kosovë. E kanë thënë këtë. Ky është viti i duhur për t’ia demonstruar BE-së, por para së gjithash qytetarëve të Kosovës, se sundimi i ligjit është prioritet dhe qeveria duhet të arrijë përparim për sundimin e ligjit.

TV Dukagjini: Meqenëse e përmendët sundimin e ligjit, e kemi pasur EULEX-in këtu. Ishte misioni më i madh i BE-së në një vend të tretë. Si e vlerësoni punën e EULEX-it që është bërë dhe cila duhet të jetë e ardhmja e këtij misioni?

Delawie: I kemi pasur 8 apo 10 policë e prokurorë në EULEX gjatë 2-3 viteve të fundit, pra kemi dhënë kontribut të rëndësishëm në EULEX. Mendoj se EULEX-i ka dhënë kontribut të rëndësishëm për Kosovën. I ka pasur sfidat e veta, si çdo institucion tjetër. Sa i përket të ardhmes së EULEX-it, e kuptoj se qeveria dhe BE-ja janë duke folur për këtë çështje dhe që diskutimet po shkojnë mbarë. Do të ketë një riorientim të madh të EULEX-it gjatë muajit të ardhshëm. Kjo është pozitive, sepse gjërat po shkojnë për së mbari për tranzicionin e EULEX-it.

Mendoj se kryesorja që Kosova duhet të mendojë tash është se kur EULEX-i ta përfundojë rolin e tij ekzekutiv, nuk do të jetë më askush tjetër përveç qytetarëve kosovarë që do t’i marrin këto vendimet kryesore për t’i ndjekur penalisht e për t’i gjykuar kriminelët e mundshëm. Pra, kjo nënkupton shumë më shumë përgjegjësi për sektorin e gjyqësorit të Kosovës, por po ashtu nënkupton se s’është më askush tjetër te kush mund ta drejtosh gishtin. Asnjë i huaj nuk mund të fajësohet për çkado që ndodh në sundimin e ligjit tash. Gjithçka është në duart e qytetarëve kosovarë. Shpresoj që kjo do të bëjë që njerëzit të thonë do ta bëj më të mirën, do të jem i drejtpërdrejtë, do të marr vendime në përputhje me ligjet e kushtetutën e asgjë tjetër sepse kjo i duhet Kosovës.

TV Dukagjini: A ka këtu hapësirë për më shumë skepticizëm duke marrë parasysh se kishim EULEX-in këtu, një mision me profesionistë këtu dhe sërish nuk bënë punën më të mirë të mundshme. Nuk jemi në gjendjen më të mirë sa i përket sistemit të gjyqësorit tani. A mund të shpresojmë që vendorët do të punojnë më mirë?

Delawie: Absolutisht që duhet të shpresojmë. Jo vetëm të shpresojmë, por ta kërkojmë këtë me ngulm. Është e drejtë e qytetarëve të Kosovës për t’i kërkuar qeverisë së tyre duke thënë: Ju punoni për mua dhe dua ta bëni punën siç duhet. E mënyra e duhur është e shkruar në kushtetutë, është e shkruar në ligjet e Kosovës. Ka pasur përmirësime; gjërat po shkojmë më mirë. Nuk janë të përsosura, por mendoj se është me rëndësi të pranohet se po përmirësohen dhe që duhet të përmirësohen edhe më tej dhe atë më shpejt.

TV Dukagjini:Gjithashtu, anembanë ka shumë diskutime për Gjykatën Speciale. Çka duhet të presim nga Gjykata Speciale?

Delawie: Së pari, Jack Smith, një amerikan, është caktuar kryeprokuror special para një jave e ca. Mendoj se kjo është pozitive dhe mendoj se kjo shpreh përkushtimin amerikan të vazhdueshëm për Gjykatën. Mendoj se është me rëndësi të kuptohet se Gjykata do të gjykojë individë të akuzuar për krime. Nuk do të gjykojë grupe etnike apo anëtarë të organizatave e ngjashëm. Mendoj se është shumë me rëndësi që Kosova ta mbajë zotimin e saj për ta ndihmuar Gjykatën Speciale për ta përmbushur misionin e saj. Mendoj se duhet të punohet për këtë.

TV Dukagjini: A duhet të varen proceset e tjera politike nga puna e Gjykatës Speciale? Ka pasur shumë diskutime këtu se si Gjykata Speciale do të ndërhyjë në proceset e tjera politike.

Delawie: Mendoj se është me rëndësi që proceset politike të vijojnë, që zyrtarët qeveritarë ta kryejnë punën për të cilën njerëzit i paguajnë. Nuk e di se kur do ta marrë hapin e ardhshëm Gjykata Speciale, s’kam ide. Nuk është çështje diplomatike, është çështje e sundimit të ligjit. Sigurisht nuk dua t’i jap askujt asnjë shkas për të mos e kryer punën për popull. E kam dëgjuar këtë arsyetim dhe jam i zhgënjyer me këtë arsyetimin se meqenëse Gjykata Speciale ka mundësi të bëjë diçka, ne duhet ta ndalojmë punën A, B apo C. Mendoj se është gjëja e gabuar për ta bërë. Mendoj se njerëzit duhet ta bëjnë punën për të cilën paguhen dhe ta bëjnë atë tash.

Diçka tjetër që mendoj se është e lidhur me Gjykatën Speciale ose të paktën ndërlidhet me luftën: mendoj se duhet të ketë përpjekje për të ndërtuar konsensus kombëtar rreth asaj çka ka ndodhur në të kaluarën, për tu marrë me çështjen e të pagjeturve, me çështjen e pajtimit. Lufta ka përfunduar qe një kohë tashmë, nuk mund t’i zgjidhni fqinjët, duhet të jetoni me fqinjët tuaj dhe të jetoni edhe me fqinjët në vendin tuaj. Është me rëndësi të lëvizet përpara në çështjet e tilla.

TV Dukagjini: Si e shihni të ardhmen e rajonit? Ka shumë skeptikë për perspektivën evropiane që herë që e marrim ndonjë raport të progresit apo dokument të rëndësishëm nga BE-ja. A është BE-ja e gatshme për tu marrë me Ballkanin?

Delawie: Unë jam optimist. Mos u bëni diplomat nëse nuk jeni optimist. Jam optimist për Kosovën, jam optimist për rajonin. Gjërat definitivisht po shkojnë mbarë. Sa herë që kemi ndonjë vizitor amerikan, që ka qenë këtu para pesë apo dhjetë viteve, i dëgjojmë duke thënë: “ua, kjo ka ndryshuar, kjo ka ndryshuar”. Është shumë mirë kur dëgjojmë diç të tillë. Nëse jetoni me këtë gjë, nuk i shihni gjërat aq shumë sepse bëhen të rritshme.

Jam optimist për rajonin. Mendoj se njerëzit duhet të punojnë së bashku. Qeveria duhet të ri-zotohet për të punuar për qytetarët e Kosovës. Duhet të ri-zotohet për të gjetur ndonjë zgjidhje për dinamikën Kosovë-Serbi. Duhet të ri-zotohet për sundimin e ligjit.

Mendova të them, duke iu përgjigjur njërës prej pyetjeve tuaja më herët, se një ndër vendimet më të rëndësishme do të duhet të merret së shpejti, shpresoj gjatë javës së ardhshme: Kuvendi duhet të zgjedhë pesë gjyqtarë të ri për Gjykatën Kushtetuese. Ky është vendim kritik. Ata duhet të jenë njerëz të mirë, juristë të mirë që do t’i interpretojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. T’ua them një fakt befasues: gjysma e popullatës së Kosovës janë femra. Mendoj se do të ishte shumë me rëndësi që një ose më shumë prej këtyre individëve që do të zgjidhen për Gjykatën Kushtetuese të jenë femra. Kjo Gjykatë duhet të jetë profesionale, por duhet po ashtu të pasqyrojë larminë e popullatës së Kosovës.

TV Dukagjini: Pyetja e fundit, e do t’i kthehem sërish dialogut. A keni ndonjë afat të fundit kohor për rundin e fundit? Në fakt, ne ndjejmë se kemi humbur shumë kohë për këto proceset historike ose që qeveria ka humbur shumë kohë ose përqendrim në këto procese historike. A ka ndonjë afat të fundit kohor për raundin e fundit të dialogut ashtu që të mund t’iu kthehemi çështjeve të rëndomta?

Delawie: Nuk e di a ka afat kohor, por e di se nuk ka kohë për të pritur. Ka ardhur koha. Mendoj se e pamë gjithë atë ‘stuhi e stres’ për marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi e pastaj kaloi në Kuvend dhe malet janë ende aty. Nuk u rrënuan. Kosova ende është këtu. Mendoj se dialogu do të jetë ashtu. Duhet të arrihet një ujdi. Duhet të negociohet, duhet të jetë e menduar mirë, duhet të jetë kreative, duhet të jetë në interes të të dy vendeve. Por, kjo do t’ua japë të gjithëve mundësinë për të ecur përpara me jetën e tyre dhe për të thënë: Ok, si të sigurohem që fëmijët e mi marrin arsimim të mirë? Ose si ta trajtojmë kujdesin shëndetësor? Kosova ka çështje tjera të rëndësishme se vetëm këto çështje të politikës së jashtme që kanë dominuar gjatë mandatit tim. E di se ato janë vërtetë të rëndësishme për Kosovën, sigurisht që janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Mendoj se sa më shpejt që e arrijmë ujdinë përmes dialogut, atëherë njerëzit do të mund të përqendrohen në çështjet tjera që janë vërtetë thelbësore. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Drejtësi
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Kalo në kategori