LAJMI I FUNDIT:

Degradimi i shtëpisë së Kolë Idromenos

Degradimi i shtëpisë së Kolë Idromenos

Në Gjuhadolin e Shkodrës, lagjen historike e karakteristike qindravjeçare të qytetit që lidh Katedralen me “Dugajët e Reja”, ndodhet diku strukur një shtëpi e veçantë. Ka qenë shtëpia e arkitektit, piktorit e skulptorit shkodran Kolë Idromeno.

Shtëpia e arktiektit tanimë është kthyer në lokal. Pa piktura brenda saj, por plot tryeza e karrige. Pa skulptura, por me një banak modest pas të cilit shërbehet birrë.


Ajo çfarë Idromeno ka lënë pas, pa asnjë mëdyshje mund të shërbenin si punime ekspozuese të një Muzeumi të madh i cili do të frekuentohej nga të gjithë e në çdo kohë. Aty mund të ekspozohej “Motra Tone”, “Dy Rrugët”, plani i “Kafes së Madhe”, arkitetkura e Katedrales së Shkodrës, arkitektura e qendrës së qytetit, skulptura e të tjera punime të artistit më të madh shqiptar të arteve figurative…

Por jo! Ngjitur derës së asaj shtëpie janë mjaftuar me një pllakë! Vetë kaq ka bërë Bashkia për artistin e saj të madh.

Njeriut që jetën ia kushtoi artit dhe vetë jetoi në një shtëpi modeste, sot po i shkatërrohet gjithçka. Idromenos së madh i është shkatërruar varri. I është shkatërruar shtëpia. Edhe rruga që ai vetë dizenjoi duke i dhënë emrin e tij, është shpërfytyruar nga tavolinat e kafeneve. Kështu, Idromeno ka mbetur pa shtëpi të denjë, pa varr të denjë dhe pa një muze, mininumi që do t’ia kishte ofruar çdo vend një figure aq të shquar sa Idromeno. Çdo vend përveç vendit tonë! /konica.al/